Skizofrenia presidenciale mban në ankth Kosovën

  • 18 August 2018 - 08:06
Skizofrenia presidenciale mban në ankth Kosovën
"Presidenti i vendit e ka humbur toruan dhe nuk mund të them se me këto veprime po e ndjek ndonjë linjë miqësore apo armiqësorëve ndaj Perëndimit. Thjesht, ose ka një skizofreni politike ose vërtet qenka çështja te shpëtimi nga Gjykata Speciale, për të cilën spekulohet në vazhdimësi", thotë analisti Albinot Maloku për gazetën "Kosova Sot

Analistë të politikës dhe qytetarët janë të mllefosur, ngase Kosova po rrezikon që t'i ftohë marrëdhëniet miqësore me shtetet mike, siç janë Gjermania e Britania e Madhe, për shkak të aventurës së Hashim Thaçit që ta ndajë Kosovën. Analistët thonë se ndërkombëtarëve që na mbështetën kaq fort tash po u shkon mundi dëm, ngase, sipas tyre,Hashim Thaçi është gati të hedhë gjithçka poshtë që vetëm e vetëm të shpëtojë veten e ta ndihmojë Vuçiqin. Sipas njohësve të kësaj fushe, loja e Hashim Thaçit është një lojë tepër e rrezikshme, që po e cenon sovranitetin e Kosovës duke shkelur Kushtetutën e vendit. Një ekspert i çështjeve të Ballkanit, ish-analist i lartë i CIA-s për rajonin dhe Evropën, David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin "Johns Hopkins" në Uashington, thotë se debati i rihapur për këtë temë është dytësor dhe çështja më e rëndësishme është ajo e sovranitetit të Kosovës, që do të mbetet e hapur për sa kohë Kosova nuk njihet nga Serbia dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj dhe për të cilën gjë profesori thotë se nuk sheh shenja se kjo do të ndryshojë, ndërkaq që Serbia dhe Vuçiqi këtë qëllim e kanë, që edhe më tutje mos ta njohin Kosovën e pavarur duke blerë kështu kohë. Ai shkon me tutje duke dhënë shembullin e Tajvanit, i cili kishte një vend në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit për dekada, derisa balanca e pushtetit ndryshoi dhe tani Kina është në OKB dhe Tajvani jo. Sipas ish-analistit të CIA-s, ngjashmëria mes dy situatave, do të ishte se Kosova nuk do të kishte sovranitet, do të kishte vetëm një vend në OKB, që është shumë më pak. Sipas pikëpamjes se tij, nëse Kosova pranon që në fillim më pak sesa sovranitet të plotë, si pjesë e marrëveshjes fillestare, atëherë e ka të humbur lojën. Analistët dhe qytetarët e kanë frikën se Kosova me këta pushtetarë në krye me Hashim Thaçin e kanë humbur lojën, ngase ata fokusin e kanë si të shpëtojnë nga Gjykata Speciale, duke bërë pazare të pista për ndarjen e Kosovës dhe duke u mburrur pastaj se Kosova e mori një karrige të përkohshme në OKB, por që realisht po e cenon rëndë sovranitetin e përhershëm të shtetit. Presidenti dështoi në unifikimin e vendit Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të habitemi nga sjellja e papërgjegjshme e Hashim Thaçit që i ka humbur rruga në oborr, që është edhe vlerësim i shumicës së njohësve të politikës."Andaj një sjellje e tillë e Hashim Thaçit do të vazhdojë derisa qytetarët tanë të heshtin, përkundër faktit që sjellja e Hashim Thaçit po na tregon se po rrezikon që të na prishë me aleatët tanë", ka thënë ai."Të fillosh një debat të tillë me Serbinë, aleate besnike e Rusisë, për një temë që edhe për mua është dytësor për dallim nga ajo e sovranitetit të Kosovës, kjo më së miri e tregon papërgjegjësinë e kryetarit të shtetit para qytetarëve të vendit. Ndërkaq, e tëra kjo nga pala serbe po bëhet me synimin e vetëm që Serbia dhe Vuçiqi edhe e kanë këtë qëllim, që edhe më tutje mos ta njohin Kosovën e pavarur, duke blerë kështu kohë dhe duke iu afruar BE-së", shpjegon Lajçi.

BISLIMI: HASHIM THAÇIT DUHET T'I MERRET MANDATI I PRESIDENTIT, PASI AI MUND TA SAKATOJË E TA TRADHTOJË TERRITORIN E KOSOVËS PËR AMBICIET E TIJ DHE FRIKËN NGA GJYKATA SPECIALE

Politologia Liridona Bislimi, për gazetën "Kosova Sot", tha se Hashim Thaçit duhet t'i merret mandati i presidentit, pasi që ai mund ta sakatojë e ta tradhtojë territorin e Kosovës për ambiciet e tij dhe frikën nga Gjykata Speciale."Nga puna e deritashme presidenti, ndonëse ka dalë disa herë për ta bërë më të qartë propozimin e tij, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse është bërë edhe më konfuz e një president i tillë, siç ka qenë deri më tani nuk mund t'i kërkosh të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e vendit e të kombit!", u shpreh ajo. "Presidenti Thaçi nuk ka arritur të jetë unifikues në proceset që e kanë përcjellë vendin, duke cenuar rëndë sovranitetin e përhershëm të shtetit dhe duke u shndërruar si presidenti më i dështuar në periudhën e pasluftës", vijoi më tej Bislimi. "Të qenët president sigurisht që është një nder i madh, por sigurisht vetëm për ata që e meritojnë. Hashim Thaçi si presidenti i shtetit tonë po vazhdon t'i shkaktojë dëme vendit, qoftë në rrafshin ndërkombëtar po ashtu edhe atë të brendshëm, e stagnimi më i madh ekonomik dhe fragmenti i politikës kosovare ka ndodhur pikërisht pas paraqitjes se tij në jetën publike, së bashku me grupin që identifikohet si klani 'Pronto'", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: NË KËTË LOJË SHUMË TË NDYRË JANË TË PËRZIER EDHE EDVIN KANABISI DHE SPIUNI I KAMOTSHËM I SERBISË FASHISTE, UDBASHI DHE KËLYSHI I JOVICA STANISHIQIT, BATON HAXHIU

Ndërsa analisti Reshat Badallaj-Zhuriani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se shtetet më të fuqishme të botës dhe Evropës: SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, e ndonjë tjetër, përkrahin fuqishëm popullin e Kosovës, ndërkaq janë të vetëdijshëm se shteti është në duart e mafio-oligarkëve, hajnave, banditëve dhe vagabondëve, në krye me kapon e mafio-oligarkëve, Hashimin e Brojës, dhe këlyshët e tij aty rrotull. "Është parë në ditën me diell se Hashimi i Brojës gjithë këtë pazar të ndyrë që po e bën me kumbarën e tij, Aleksandar Vuçiqin, nuk e bën për asgjë tjetër vetëm për interesat e tija personale. Po ç´di ky matrapaz se çfarë është Kushtetuta e vendit. Po ky që tani pi verë dhe alkool me okë deri dje e ka ngrënë sapunin për djathë dhe peshkut i ka thënë sorrë", u shpreh ai. "Po nuk duhet harruar edhe një gjë, se në këtë lojë shumë të ndyrë janë të përzier edhe Edvin kanabisi dhe spiuni i kamotshëm i Serbisë fashiste, udbashi dhe këlyshi i Jovica Stanishiqit, Baton Haxhiu", vijoi më tej Badallaj. "Për të kuptuar më mirë dhe për të ndalur këto lojëra të pista dhe pazare të këtij grupi mafiozësh që u prin Hashimi i Brojës, Edvin kanabisi dhe këlyshi i UDB-së serbe, Batoni, sa më parë duhet që t'i ndalet turri i kësaj bande mafioze që për interesa të veta shesin vendin që shiten më mijëra hektarë tokë dhe bile bënin presion që të fryhen kontot e kësaj bande kriminelësh. Ky u pa se për të shpëtuar bishtin e tij nga Gjykata Speciale dha 8000 e ca hektarë tokë, solli Zajednicën në Kosovë dhe tani ngutet t'i japë edhe kombinatin 'Trepça', ku është shpirti i pasurive nëntokësore", theksoi ai. "Sa më parë populli duhet përgatitur për të ngritur në protesta masive gjithëpopullore për të larguar nga paria e shtetit këtë bandë që i bie kambanave të mortit për Kosovën. Ngase qysh nesër do të jetë vonë...", u shpreh Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Edhe përkundër pyetjeve të dërguara të gazetarit të gazetës "Kosova Sot" për gazetarin e apostrofuar nga analistët,Baton Haxhiun, ai nuk ka dhënë përgjigje.


Hertica: Çështja më e rëndësishme është e sovranitetit të Kosovës Eksperti i integrimeve evropiane, Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot" thotë se Britania e Madhe dhe Gjermania janë deklaruar decidivisht haptas kundër idesë së Hashim Thaçit për rishikim apo ridizanjimit të kufijve të Republikës, ku këta dy aleatë të shqiptarëve kanë bërë thirrjet për mosndryshim të kufijve të Ballkanit, sepse një hap i tillë do të sjellin destabilizim në rajon."Eksperti për çështje të Ballkanit, ish-analist i lartë i CIA-s për Evropën, thotë se patologjia e Perëndimit për çdo zhvendosje territori e cungon diskutimin për Kosovën dhe Serbinë, sepse Kosova është njohur nga shumë shtete me këta kufij dhe assesi nuk do të ndryshohet, sepse do të humbë konceptin e shtetësisë shekullore. Ndërsa David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin "Johns Hopkins" në Uashington, thotë se historia e Evropës është një histori e ndryshimit të kufijve, por është lënë si opsion pa koncept në këndvështrimin e tij, debati i rihapur për këtë temë është dytësor dhe çështja më e rëndësishme është e sovraniteti të Kosovës, sepse për të është luftuar dhe financuar nga aleatët e shqiptarëve, për sa kohë nuk e njeh Serbia si shtet i barabartë ndërkombëtarisht dhe nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe është një shtet i njohur universalisht", vijoi më tej ai. Qytetarët të irrituar nga pushteti Veç analistëve politikë, edhe qytetarët po frikohen se Kosova po i ftohë marrëdhëniet me shtetet mike dhe se po rrezikohet sovraniteti i shtetit. Andaj, sipas tyre, për shkak të aventurës së Hashim Thaçit që ta ndajë Kosovën, vendi ynë po rrezikon me të madhe që t'i prishë marrëdhëniet miqësore me shtetet mike, siç janë Gjermania e Britania e Madhe. Kështu, qytetari Islam Velija, për gazetën "Kosova Sot" thotë se fati tragjik ynë është se elita udhëheqëse nuk ka arritur që të jetë ajo që duhet me këtë kapital njerëzor që e kemi. "Meritokracia e sotme është e ngjashme me atë të komunizmit, që mbeti në pushtet derisa u rrënua komunizmi. Por, jam optimist se marrëdhëniet tona me aleatët tanë nuk do të prishen, ngase po deshën aleatët tanë edhe do të mund t'i largonin liderët tanë nga pushteti, por për ta nuk paraqesin ndonjë rrezik potencial. Por një gjë dihet dhe nuk ka fije dyshimi se liderët tanë me sjelljet e tyre të papërgjegjshme kanë humbur shumë shanse përballë aleatëve tanë", u shpreh ai. Ndërsa qytetari tjetër, nga Prishtina, Beqir Koxha, për "Kosova Sot" thotë se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjë aktivitete të prishjes së perspektivës së saj, e në veçanti mos të rrezikojë prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në. "Qytetarët tanë janë të vetëdijshëm se aleati më i mirë dhe më besnik janë SHBA-të. Andaj çdo tendencë që vjen nga rusët dhe aleatët e tyre, Serbia, klasa jonë politike duhet që të jetë shumë vigjilente dhe asnjë ide për ndarjen e Kosovës nuk guxon të përfillet, sepse marrëdhëniet me SHBA-në duhet që të jenë fondamenti themelor i jetës së qytetarëve të Kosovës", vlerësoi ai.

MALOKU: PRESIDENTI I VENDIT OSE KA NJË SKIZOFRENI POLITIKE OSE VËRTET QENKA ÇËSHTJA TE SHPËTIMI NGA GJYKATA SPECIALE

Eksperti politik Albinot Maloku për gazetën"Kosova Sot" thotë se raporti i politikës vendore me ndërkombëtarët nuk është ai i duhuri dhe ndërkombëtarokracinë aktuale, me të cilën qeveriset vendi nuk mund ta prishin politikanët e varur nga të huajt. "Në relacion me këtë nuk shoh prishje të mundshme të raporteve të Kosovës me ndërkombëtarët sa shoh mundësi të konsumimit të politikanëve aktualë nga të huajt, e të cilët në një moment do t'i hedhin nga froni", u shpreh ai."Presidenti i vendit e ka humbur toruan dhe nuk mund të them se me këto veprime po ndjek ndonjë linjë miqësore apo armiqësorëve ndaj Perëndimit.Thjesht, ose ka një skizofreni politike ose vërtet qenka çështja të shpëtimi nga Gjykata Speciale, për të cilën spekulohet në vazhdimësi", vijoi më tej Maloku."Nga vendet perëndimore, Gjermania është gati e vetmja që ka qëndrim konsistent ndaj Republikës së Kosovës. Dëshmi për këtë është qëndrimi i kancelares Angela Merkel e i përcjell edhe nga ambasadori Christian Heldt në Prishtinë.Të jemi të sinqertë, administrata e presidentit Trump kohët e fundit ka një risi me këto rekomandimet për elasticitet mes palëve në zgjidhjen e problemeve Kosovë -Serbi. Zbërthim të asaj se çka do të thotë ky elasticitet nuk ka as nga ambasadori në ikje, Greg Delawie, as nga ambasadori në ardhje, Philip Kosnett, pas prezantimit në seancën dëgjimore në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë", ka thënë ai. Sipas Malokut, gjithmonë ka pasur besim se pasi ndërkombëtarët kanë investuar e ndihmuar kaq shumë në dhe për Kosovën, atë nuk do ta lëshojnë aq lehtë të marrë rrugën e gabuar. "Asnjë individ, qoftë edhe presidenti i vendit, nuk do të mund ta dëmtojë vendin për interesat e nevojat e tij personale. Në këtë rrafsh nuk besoj që veç presidenti Hashim Thaçi mund ta dëmtojë vendin. Kryeministri e kryetari i Kuvendit duhet të jenë më të vendosur për t'i ndaluar hyxhymin pa kokë e orientimin që e ka marrë presidenti Hashim Thaçi", tha Albinot Maloku për "Kosova Sot". 


GURAZIU: THAÇI DUHET QË TË JETË I KUJDESSHËM, SEPSE, SIÇ THOTË POPULLI, NUK DO T'I SHKOJË GJITHNJË ''KUNGULLI MBI UJË''

Analisti Ragip Guraziu për gazetën"Kosova Sot" thotë se kështu siç ka filluar Hashim Thaçi do t'i ftohë marrëdhëniet me shtetet mike të Kosovës, kurse tashmë Kosova e ka humbur lojën me këta pushtetarë në krye me Hashim Thaçin. "Kjo ngase ai me shokët e tij fokusin e tyre e kanë vetëm se si të shpëtojnë nga Gjykata Speciale, duke bërë pazare të pista për ndarjen e Kosovës dhe duke u mburrur pastaj se Kosova e mori një karrige që pa asnjë dyshim se do të jetë një karrige e përkohshme në OKB. Thaçi me veprimet e tija realisht po e cenon rëndë sovranitetin e përhershëm të shtetit. Aq më tepër kur kemi parasysh mbështetjen e ndërkombëtarëve që na mbështetën aq fort deri këtu ku jemi, sakrifica e tyre edhe në politika të investimeve, Thaçi me veprimet e tija kohën e fundit pikërisht për interesat e veta personale, për shkak të aventurave të tija për ndarjen e Kosovës, do na qet faqen e zezë te të gjithë qytetarët dhe kombit shqiptar", vlerësoi ai. "Në këtë mënyrë, për shkak të aventurës së Hashim Thaçit që ta ndajë Kosovën, vendi ynë po rrezikon me të madhe që t'i ftohë marrëdhëniet miqësore me shtetet mike, siç janë Gjermania e Britania e Madhe. Kështu do pendohen tani se po u shkon mundi dëm ndërkombëtarëve që na mbështetën kaq fort e tash, ngase Hashim Thaçi është gati të hedhë gjithçka poshtë, vetëm e vetëm që të shpëtojë veten dhe që ta ndihmojë Vuçiqin. Andaj e themi lirshëm se kjo është loja e Hashim Thaçit, që është një lojë tepër e rrezikshme që po e cenon sovranitetin e Kosovës duke shkelur Kushtetutën e vendit", potencoi Guraziu. Sipas tij, Thaçi duhet që të jetë i kujdesshëm, sepse, siç thotë populli, nuk do t'i shkojë gjithnjë ''kungulli mbi ujë''. "Kosova e ka humbur lojën me këta pushtetarë në krye me Hashim Thaçin, të cilët fokusin e kanë si të shpëtojnë nga Gjykata Speciale, duke bërë pazare të pista për ndarjen e Kosovës dhe duke u mburrur pastaj se Kosova e mori një karrige në OKB, që realishte cenon rëndë sovranitetin e shtetit", u shpreh Ragip Guraziu për "Kosova Sot".