Ryshfeti dhe shantazhi gjunjëzojnë drejtësinë

  • 18 August 2018 - 08:11
Ryshfeti dhe shantazhi gjunjëzojnë drejtësinë
Preteni: Politika ua bëri kushtet e mira të punës, objekte të reja, paga maksimale, përfitime jetësore, shumë vende pune dhe shumë privilegje të tjera,ndërkaq gjyqësori politikës po ia kthen me mospunë dhe me heshtje!

"Mbyllja me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete, e dosjeve të aferave korruptive e kriminale, të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafiooligarkëve të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë, pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra, deri në parashkrim, flet për një drejtësi me një 'virus kancerogjen', që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur, kjo nuk do koment", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot"


GURAZIU: SHTETI I KOSOVËS ËSHTË SHNDËRRUAR NË NJË OAZË TË KRIMIT, PËR SHKAK TË SISTEMIT TËRËSISHT TË DEGRADUAR DHE TË DËSHTUAR TË DREJTËSISË

Kurse analisti Ragip Guraziu ka potencuar për "Kosova Sot" se shteti i Kosovës është shndërruar në një oazë të krimit, për shkak, siç ka thënë ai, të sistemit tërësisht të degraduar dhe të dështuar të drejtësisë. Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të sëmura totalisht, që po u duhet një kurim për t'i kthjellur dhe për t'u zgjuar nga një gjumë i rëndë, ku e kanë degraduar Kosovën tej mase. "Dhe, sot kemi institucione që nga Qeveria e deri te institucioni i fundit, të dështuara totalisht, ani kur bëhet fjalë për Kushtetutën gjithnjë thirren në të dhe drejtësi, por në anën tjetër vetë e shkelin me dy këmbët. Edhe në këtë vit, si vitet tjera, ende po vazhdon të degradohet dhe bastardohet shteti i Kosovës në një oazë të krimit, për shkak të sistemit tërësisht të degraduar dhe të dështuar të drejtësisë", ka potencuar Guraziu. Ai shtoi se një sistem me njerëz që shohin vetëm xhepin e vet, e nuk e bën punën sipas ligjit dhe Kushtetutës. Pasi, siç ka pohuar ai, janë mekanizmat e drejtësisë të sëmurë rëndë që nuk ka kush i kuron. "Mbyllja me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete e dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë te shtetit dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë, pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet për një drejtësi me një 'virus kancerogjen', që vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur, kjo nuk do koment", ka pohuar Guraziu më tej. "Derisa kemi një shtet që thirret në Kushtetutën e shtetit dhe drejtësinë, e vetë i shkelin me dy këmbë, edhe në të ardhmen do të kemi dështim të shtetit të së drejtës, duke mos arritur të përmbushë as funksionet themelore të tij", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot". 

PRETENI: PRONONCIMET E MINISTRIT DHE POLITIKANËVE TË TJERË JANË EDHE NJË DËSHMI SE "GJYQËSORI" KONTROLLOHET NGA POLITIKA

Analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni, ka pohuar në një prononcim për "Kosova Sot" se i gjithë angazhimi qytetar duhet të orientohet drejt presionit publik kundër institucioneve të drejtësisë. Kosova, ka thënë ai, nuk e meriton këtë gjyqësor. "Rasti i prokurorit Elez Blakaj nuk duhet lënë harresës, duhet zbuluar se kush e kërcënoi, kush e dekonspiroi, pse nuk veproi prokuroria dhe shumë pyetje tjera. Prokuroria e Shtetit në vend që të veprojë dhe rastin ta dërgojë në gjykatë, ajo veproi kundër, i lajmëroi të akuzuarit dhe ata bënë presion tek prokurori. Titullarët e prokurorisë e tradhtuan prokurorin. Një prokuror i ndershëm, i guximshëm dhe profesional, u dashtë të largohet nga Kosova. Tmerr! Ai është dashur të avancohet e të bëhet kryeprokuror. Duhet larguar të paditurit, falsifikatorët, matrapazët dhe të përkëdhelurit e politikës", ka pohuar ai, duke shtuar se ky është rasti më i fuqishëm që dëshmon se si është kapur gjyqësori nga politika. Më tej Preteni ka potencuar se duhet me urgjencë të largohen kryeprokurori, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryetari i KPK-së dhe se me rënien e tyre do të bjerë komplet, siç ka pohuar ai, sistemi i krijuar mbrapsht, sistem i korruptuar dhe i kapur nga politika. Ndërsa ka thënë se prononcimet e ministrit dhe politikanëve tjerë janë edhe një dëshmi se "gjyqësori" kontrollohet nga politika. "Politika ua bëri kushtet e mira të punës, objekte të reja, paga maksimale, përfitime jetësore, shumë vende pune dhe shumë privilegje tjera. Gjyqësori politikës po ia kthen me mospunë dhe me heshtje", u shpreh Preteni. "E gjithë e vërteta doli në shesh, kush ka vullnet për punë kërcënohet e largohet. Mercenarët mbesin. Mjerë qytetari i Kosovës me këtë 'gjyqësor'", ka potencuar për "Kosova Sot" analisti Hasan Preteni për "Kosova Sot".
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se shteti i Kosovës vazhdon të degradohet dhe bastardohet në një oazë të krimit, për shkak të sistemit tërësisht të degraduar dhe të dështuar të drejtësisë, që sheh vetëm xhepin e vet e nuk e bën punën sipas ligjit dhe Kushtetutës. Kështu kanë potencuar për "Kosova Sot" analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë, duke konkluduar se mekanizmat e drejtësisë tashmë nuk janë duke kryer punën e tyre dhe kanë rënë në një letargji të përgjithshme, duke përçuar një porosi të dhimbshme për qytetarët e shtetit të Kosovës. Për analistët, mbyllja me porosi e kërcënime, sikur edhe me pagesa e ryshfete të dosjeve të aferave korruptive e kriminale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të pista dhe shumë të tjera që mbahen e flenë nëpër sirtarë, pa u hetuar e gjykuar me vite të tëra deri në parashkrim, flet për një drejtësi me një "virus kancerogjen", që, siç janë shprehur ata, vështirë se shërohet me këta njerëz që udhëheqin politikën në vend dhe drejtësinë e tyre të porositur. Në një situatë të tillë, sipas analistëve, ka një dështimi të shtetit dhe drejtësisë, duke mos arritur të përmbushë as funksionet themelore të tij. Politizim i skajshëm Ndërkaq, në një prononcim për "Kosova Sot", Blerim Burjani, analist dhe njohës i fushës së drejtësisë, ka potencuar se drejtësia në vend vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha, për shkak të, siç ka thënë ai, politizimit të skajshëm. "Drejtësia mbetet një nga problemet më të theksuara të shtetit, dalja nga gjendja e tillë pothuajse është e pamundshme dhe arsyet janë të komplikuara dhe mjaft të politizuara. Jo krejt drejtësia dhe njerëzit që punojnë në këto organe janë të komplikuara, për rastet politike dhe gjërat e kontrollimit të parasë publike mund të mos vlejë ndikimi i prokurorisë në marrjen e masave apo zhvillimin e ndjekjes penale", ka potencuar Burjani. Po sipas tij, ndjekja e rasteve sikurse e rasteve si të zyrtarëve të lartë politikë, rasti 'Stenta' dhe disa raste që lidhen politika dhe biznesi janë pothuajse të pamundura të trajtohen nga organet e drejtësisë, sepse, sipas tij, ndërhyrja politike mund të jetë e madhe. Ndaj ka thënë ai gjasat për të kuruar drejtësinë në këtë stad janë të pamundshme.

(Kosova Sot)