Preteni:Titullarët e prokurorisë e tradhtuan prokurorin

  • 18 August 2018 - 14:11
Preteni:Titullarët e prokurorisë e tradhtuan prokurorin
Analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni, ka pohuar në një prononcim për "Kosova Sot" se i gjithë angazhimi qytetar duhet të orientohet drejt presionit publik kundër institucioneve të drejtësisë. Kosova, ka thënë ai, nuk e meriton këtë gjyqësor. "Rasti i prokurorit Elez Blakaj nuk duhet lënë harresës, duhet zbuluar se kush e kërcënoi, kush e dekonspiroi, pse nuk veproi prokuroria dhe shumë pyetje tjera. Prokuroria e Shtetit në vend që të veprojë dhe rastin ta dërgojë në gjykatë, ajo veproi kundër, i lajmëroi të akuzuarit dhe ata bënë presion tek prokurori. Titullarët e prokurorisë e tradhtuan prokurorin. Një prokuror i ndershëm, i guximshëm dhe profesional, u dashtë të largohet nga Kosova. Tmerr! Ai është dashur të avancohet e të bëhet kryeprokuror. Duhet larguar të paditurit, falsifikatorët, matrapazët dhe të përkëdhelurit e politikës", ka pohuar ai, duke shtuar se ky është rasti më i fuqishëm që dëshmon se si është kapur gjyqësori nga politika. Më tej Preteni ka potencuar se duhet me urgjencë të largohen kryeprokurori, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, kryetari i KPK-së dhe se me rënien e tyre do të bjerë komplet, siç ka pohuar ai, sistemi i krijuar mbrapsht, sistem i korruptuar dhe i kapur nga politika. Ndërsa ka thënë se prononcimet e ministrit dhe politikanëve tjerë janë edhe një dëshmi se "gjyqësori" kontrollohet nga politika. "Politika ua bëri kushtet e mira të punës, objekte të reja, paga maksimale, përfitime jetësore, shumë vende pune dhe shumë privilegje tjera. Gjyqësori politikës po ia kthen me mospunë dhe me heshtje", u shpreh Preteni. "E gjithë e vërteta doli në shesh, kush ka vullnet për punë kërcënohet e largohet. Mercenarët mbesin. Mjerë qytetari i Kosovës me këtë 'gjyqësor'", ka potencuar për "Kosova Sot" analisti Hasan Preteni për "Kosova Sot".