MIFTARI: NJË SHTET QË ËSHTË I KAPUR NGA MAFIO-POLITIKA NUK KA SHPRESË!

  • 20 August 2018 - 13:01
MIFTARI: NJË SHTET QË ËSHTË I KAPUR NGA MAFIO-POLITIKA NUK KA SHPRESË!
 Analisti Naim Miftari, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Kosova është në krizë dhe telashe të madhe dhe atë që nuk e ka arritur Serbia duke zbrazur Kosovën nga shqiptarët, janë duke e arritur "shtetformuesit" tanë bashkë me Bashkimin Evropian, që në heshtje janë duke bërë asimilim dhe pastrim etnik modern ndaj popullit shqiptar, duke ua instaluar një klasë politike që si duket mision i ka vetëm keqpërdorimin e vjedhjen."Këta qëllimisht janë duke e varfëruar dhe izoluar popullin tonë, duke mos i lënë rrugë të tjera pos migrimit të detyrueshëm në mënyra të ndryshme në Evropë, por edhe më larg. Një vendi që i ikin kuadrot e shkolluara jashtë shtetit ai nuk është shtet dhe e pret dështimin edhe si shtet, por edhe si popull. Një shtet që është i kapur nga mafio-politika nuk ka shpresë, prandaj ikin mjekët, rinia, profesorët, ikin inxhinierët, punëtorët, prokurorët e policët, sepse ata vuajnë këtë gjendje jo të drejtë", ka pohuar Miftari. "Prokurorët Kosovës marrin 60% rrogë më shumë sesa prokurorët e rajonit, por nuk guxojnë të hapin raste të keqpërdorimeve multi-milionëshe. Këta prokurorë janë vetëm kukulla nga teatri i mafisë politike, ku drejtor kryesor i mafisë dhe dështimit të shtetit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Me ndihmën e mafisë ne kemi një kryetar mafioz që s'i jep askujt llogari sot, pasi nuk u zgjodh me vota të qytetarëve, por me marrëveshje mafioze, duke shfrytëzuar urinë për pushtet të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Prandaj, askush nuk ka guxim që të ballafaqohet me njerëzit e tij, sidomos në salla të gjykatave. Kjo vlen sidomos për dëshmitarët që pasojnë keq, pasi si mbron askush nga institucionet e kapura nga krimi i organizuar", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.