Burjani: Njerëzit e korruptuar ua rrisin pagat gjyqtarëve tri herë me radhë, edhe pse kanë në sirtarë gati 400 mijë lëndë!

  • 20 August 2018 - 14:24
Burjani: Njerëzit e korruptuar ua rrisin pagat gjyqtarëve tri herë me radhë, edhe pse kanë në sirtarë gati 400 mijë lëndë!
Kurse Blerim Burjani, analist dhe njohës i fushës së drejtësisë, ka potencuar për "Kosova Sot" se shteti ligjor është një çështje komplekse. Sipas tij, për shumë arsye Kosova ka pasur një fatkeqësi të madhe, luftën me Serbinë, sepse ishte vend i varfër, me shumë probleme, dhe bashkësia ndërkombëtare e ndihmoi mjaft shumë dhe, pavarësisht që miqtë ndërkombëtarë investuan shumë që Kosova të ndërtohet dhe të zhvillohet ekonomikisht dhe të jetë shtet i barabartë në regjion, zhvillimi institucional ligjor ngeli dhe Kosova ka përplot deformime në të gjitha fushat. Sipas tij, më i rëndi është funksionimi i dobët i shtetit ligjor, edukimi dhe vetëdijesimi i dobët për ndërtimin e një shteti ligjor. "Në Kosovë u ndërtua një logjikë e mbrapshtë individuale, ku një njeri udhëheq shtetin, pra s'ka demokraci, ka vetëm autoritarizëm, ka edhe nepotizëm, luftë për pasurim. Humbja e kredibilitetit para qytetarëve të kësaj skene politike është e madhe dhe është në duart e qytetarëve ta ndryshojnë skenën politike, të vendosin për një të ardhme të tyre dhe për një shtet ligjor", ka thënë ai. Burjani ka shtuar se nuk ka gjyqësi të pavarur, ku njerëzit e tillë janë përkëdhelës nga politika, ku, siç ka potencuar më tej ai, njerëzit e korruptuar ua rrisin paga gjyqtarëve tri herë me radhë dhe kanë në sirtarë gati 400 mijë lëndë, shumica të parashkruara në mungesë të trajtimit. "Në një shtet si Kosova, ku gjyqtarët dhe prokurorët kanë kontrata të dyfishta, pa ndryshim të qeverisjes nuk ka funksionim dhe ndjekje penale për njerëz të korruptuar", ka pohuar njohësi i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot".