Murati: Blakaj, Lumezi, Haradinaj e Veseli e vërtetojnë kalbjen e sistemit të drejtësisë

  • 20 August 2018 - 23:28
Murati: Blakaj, Lumezi, Haradinaj e Veseli e vërtetojnë kalbjen e sistemit të drejtësisë

Se listat e veteranëve luftëtarë janë manipuluar në funksion të klientelizmit partiak e klaneve kriminale, kjo nuk do shumë fakte për ta dëshmuar. Numri i mbi 60.000 veteranëve luftëtarë e dëshmon këtë.

Kështu ka thënë Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ndërsa thekson se nuk ka asnjë variant, sado fleksibil, që mund ta çojë numrin e veteranëve luftëtarë në më shumë se 25.000 vetë.

“Me këtë akt po shtrembërohet e vërteta mbi luftën çlirimtare. E kjo është lufta jonë pra, përpjekja e djemve dhe vajzave më të mira të kombit, gjaku i dëshmorëve. Por po plaçkitet edhe buxheti i shtetit. Buxheti ynë, xhepat tanë, paratë tona, pra. Paratë e shtetit nuk janë të huaja, por janë tonat”, thotë Murati.

Gjithashtu, se diçka nuk po shkon mirë me sistemin tonë të drejtësisë, nuk është dashur shumë mend për të konstatuar, thotë ai, duke shtuar se krejt kjo çka po ndodh me deklaratat e ish-prokurorit Elez Blakaj, me këto të kryeprokurorit Lumezi, të kryeministrit Haradinaj e kryeparlamentarit Veseli, e vërtetojnë këtë kalbje të sistemit të drejtësisë.

“Ajo që është evidente deri më tani është ndërhyrja e klaneve politike dhe grupeve kriminale për ta fundosur sistemin e drejtësisë. Tash o duhet institucionet e shtetit dhe politika, një politikë e re që do duhej ndërtuar mbi konsensusin e luftimit të krimit, të ndërhyjnë për të rregulluar sistemin, o në mungesë të vullnetit politik duhet qytetarët të ndërhyjnë urgjentisht për të ndërruar këtë politikë aktuale të degraduar moralisht, në mënyrë që të vendoset në binarë normal sistemi i drejtësisë”, deklaron Murati i LB-së.

Ai potencon se pa vendosjen e sundimit të ligjit, “mos të presim avancim në asnjë fushë të jetës duke u nisur prej ekonomisë, arsimit, shëndetësisë e deri tek sporti, ambienti e kultura etj”.

 

(Kosova Sot)