Aleksandër Lumezi: Elez Blakaj, prokuror i dështuar, mori 72 mijë euro pa asnjë sukses

  • 21 August 2018 - 07:41
Aleksandër Lumezi: Elez Blakaj, prokuror i dështuar, mori 72 mijë euro pa asnjë sukses

Duke komentuar deklaratat e prokurorit Elez Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka lansuar akuza për prokurorin i cili publikoi një letër të gjatë ku arsyeton dorëheqjen e tij me pretendimet për presione.

Lumezi ka mohuar që Blakaj e Millaku kishin një marrëveshje mos ta njoftonin atë për rrjedhën e hetimeve për veteranët pas diskutimit rreth intervistimit të Kadri Veselit.

“Elezaj ka ardhë tek unë dhe më ka dhënë informacione për rastin e veteranëve edhe pas takimit që kemi pasur për çështjen e Kadri Veselit”, ka thën Lumezi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se nuk e di cili është qëllimi i Elezajt por ka shumë pikëpyetje për profesionalizmin e tij.

“Unë nuk e di cili është qëllimi i Elez Blakajt. Ai po don me u bo prokuror hero por deri sot asnjë rast të rëndë në karrierën e tij nuk e ka ngritë. Një rast të rëndë ia kemi dhanë me e provu, i ka marrë 72 mijë euro rroga dhe një aktakuzë të mirë nuk e ka ngritë. Çfarë profesionisti është ai?”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se prokurori Blakaj kishte ngritur aktakuzën ndaj Shefqet Krasniqit por aktakuza kishte dështuar në gjykatë. “A është sukses apo mossukses kjo?”, ka pyetur Lumezi.

Ai e ka quajtur dobësi veprimin e Elezajt.

“Është një dobësi e një prokurori që e ka lënë një lëndë në gjysmë dhe e ka njollosë edhe sistemin prokurorial e edhe prokurorinë e shtetit, e edhe shtetin e Kosovës. Në kohën kur EULEX-i është largu me thanë qe çfarë prokuror kemi na. A munden prokurorët me kry një lëndë qysh duhet, a është ky prokuror me dinjitet”, ka thënë Lumezi.

Në bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shpjeguar takimin me prokurorin Blakaj ku është diskutuar aktakuza për aktorët e “Pronto”-s. Në bisedë Lumezi ka pranuar se ka folur me Besim Beqajn rreth aktakuzës në një takim që e ka pasur me këtë të fundit.

“Tek pjesa e PRONTOS, ai ka qenë një prej prokurorëve të cilin unë e kam iniciuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe e kam formuar një ekip të prokurorëve për hetimin e këtij rasti, ka qenë: Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani. Mbasi që është ngritur aktakuza unë i kam thirrur në zyrën time me ma shpjegu se cilat janë provat dhe faktet që e kanë mbështetur dyshimin e bazuar për me ngritë aktakuzën. Në këtë takim kanë folë me rend prokurorët dhe kur ka ardh rendi tek Elez Blakaj, ky ka thënë që unë nuk e kam ndërmarrë asnjë veprim e as nuk e kam lexuar aktakuzën, por unë e mbështes Drita Hajdarin në tërësi”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se ka pasur një mospajtim me prokurorin për shkak se ai nuk e kishte lexuar aktakuzën.

“Unë i kam thënë: qysh nuk po të vjen marre me thanë që e mbështet Dritën në tërësi si prokuror special pa i pa provat dhe pa e lexu aktakuzën. Kjo është injorancë e skajshme e jotja. Ti duhet me thanë që nuk e kam lexu kryeprokuror dhe mandej me dhanë mendimin, e jo me thanë që për shkak të mospunës se vetë dhe neglizhencës në punë tash e akuzon Kryeprokurorin e Shtetit. Aty ka qenë në takim edhe Drita Hajdari edhe prokurori Lulzim Sulejmani e edhe kryeprokurori Reshat Millaku”, ka thënë Lumezi.

Ai ka thënë se diskutimi për aktakuzën e “Pronto”-s ka qenë profesional dhe pa tentativa të ndikimeve.

Në pretendimin e tij prokurori Blakaj ka shkruar se Lumezi i nevrikosur kërkonte llogari për aktakuzën e “Pronto”-s. ”Madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë!”thuhet në letrën e Blakaj.

Lumezi ka pranuar se është takuar me Besim Beqajn dhe kanë diskutuar për rastin “Pronto”.

“Është përmend që Besim Beqaj ka dashtë me u taku me mu lidhur me këtë çështje. Ai më ka thirrë në telefon dhe kemi bisedu dhe ai më ka thanë që është i shqetësuar për këtë rast, e unë i kam thanë që do ta këqyrim dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha provat, e nëse ka prova normal do të ngritet aktakuza, e nëse jo… Po krejt kjo është me rëndësi që biseda në mes neve është bo mbasi është ngritë akti akuzues dhe ka shku në gjykatë”, ka thënë Lumezi. Ai ka thënë se me Besim Beqajn është takuar në një ndejë.

“Ai ka qenë i revoltuar edhe me mua edhe me sistemin që jena në mënyrë të padrejtë duke e bo edhe jena me qëllime të caktume duke e akuzu atë pasi nuk ka asnjë provë që ai ka ndiku në punësimin e njerëzëve në rastin e ‘Pronto’-s” ka thënë Lumezi. Ai ka thënë se takimi me prokurorin është bërë katër javë pas ngritjes së aktakuzës.

“Edhe unë nuk jam pajtu me rastin e ‘Pronto’-s se kam thanë që ka prova vetëm për disa nga të akuzuarit, e jo për të gjithë të akuzuarit. Aktakuza ka shku shumë më përpara se me ndodh takimi, e jo para se me shku aktakuza”, ka thënë Lumezi.

Në një bisedë për KALLXO.com, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka folur për takimin me prokurorin Elez Blakaj ku ishte folur për thirrjen e Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në rastin e veteranëve.

Lumezi nuk e ka mohuar takimin por ka dhënë version tjetër për ato çfarë ka qenë qëllimi i takimit. Kryeprokurori që në bisedë thotë se ka qenë iniciuesi i hetimit të madh për veteranët, ka theksuar se kërkesa e tij ka qenë vetëm për të sqaruar situatën.

“Për rastin e Kadri Vesilt unë e kam ftuar prokurorin pasi e kam kuptuar që prokurori e ka ftu si dëshmitar Kadri Veselin edhe kam kërku nga ai shpjegime pse e ka thirrë. Sqarimi i prokurorit ka qenë se ai e ka ftu në cilësinë e dëshmitarit lidhur me deklarimet të cilat i ka bërë në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Unë i kam thënë që në cilësinë e dëshmitarit nuk mund të thirren deputetët, as ky e as Lumir Abdixhiku për ato çka kanë fole në foltoret e Kuvendit të Kosovës sepse është parim kushtetues, sepse ata kanë imunitet për atë çfarë flasin në foltore”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se Veseli nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dhe as person i dyshuar në këtë rast.

“Fundi i fundit Kadria nuk ka qenë dëshmitar i drejtëpërdrejtë, nuk ka qenë as komandant i zonës as nuk ka qenë në komisionin për dhënien e benefiteve për veteranët e luftës. Ky ka dashtë me e thirrë për mendje të madhe, këshe unë e kam thirrë po sa e di unë s’e ka marrë në pyetje kurrë”, ka thënë Lumezi.

Ai ka shtuar se prokurori Blakaj nuk ka qenë i penguar për ta thirrur Veselin në intervistë por edhe kur e ka thirrur ai nuk e ka pyetur asgjë.

“Edhe kur e ka thirrë nuk e ka marrë në pyetje. As Kadriun as Lumir Abdixhikun, vetëm ka thënë a dini diçka rreth kësaj çështjeje? Kodi Penal e parasheh kush mund të thirret dëshmitar, mund të thirren vetëm njerëzit që kanë njohuri për ngjarjen që ka ndodhur ose janë dëshmitarë të drejtëpërdrejt ose të tërthortë”, ka thënë Lumezi për KALLXO.com.

Ai ka thënë se në intervistimin e një dëshmitari nuk mund të flitet për interferim.

“Unë si kryeprokuror i kam shfrytëzuar kompetencat e mia lidhur me një dëshmitar por të ishte i dyshuar atëherë kishim mund të themi se ka interferim nga kryeprokurori por kryeprokurori ka të drejtë me pru udhëzime të detyrueshme për raste konkrete por unë nuk kam pru. Unë kam qenë ai që e kam inicu rastin e veteranëve të luftës”, ka thënë Lumezi. Ai ka sqaruar se iniciativa për të sqaruar rastin e Veselit ka ardhur nga  vetë ai e jo nga dikush brenda kabinetit të Kadri Veselit.

“Nuk kam pasur ankesë prej Veselit por unë e kam marrë vesh nga kryeprokurori që është thirrë Kadri Veseli dhe pasi që e ka lëshu ftesën e kam thirrë me ma dhanë shpjegimin pse e ka thirrë dhe në çfarë cilësie e ka thirrë Kadri Veselin”, ka thënë Lumezi.

Në një letër të bërë publike përmes profilit të tij në ‘Facebook’, prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, akuzoi Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, se ka kërkuar llogari prej tij pse në mesin e dëshmitarëve në rastin e veteranëve e kishte ftuar edhe kreun e Kuvendit, Kadri Veselin.

Lexoni të plotë deklaratën e Elez Blakajt:

Të nderuar kolegë, miq dhe qytetarë,

I shtyrë nga reagimet e shumta dhe ndikimin në publik nga dorëheqja ime, kam vendosur që përmes këtij adresimi të sqaroj për kolegët dhe opinionin e gjerë arsyet e dorëheqjës sime.

Këto ditë kam parë e lexuar shkrime të ndryshme si dhe kam dëgjuar për interpretime te ndryshme lidhur me çështjen e dorëheqjes sime. Nuk jam përgjigjur, sepse ashtu siç e kam njoftuar në një letër të veçant për dorëheqjen time kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Blerim Isufaj dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, z. Reshat Millaku, ku i kam theksuar se shkaktarët do të paraqiten, e konfirmoj se disa nga ata veç se janë paraqitur- lajmëruar, tashmë.

Dorëheqja ime ka dy porosi: Protestë dhe Mesazh!

 

– Si protestë, në kuptim të shprehjes së pakënaqësisë dhe mospajtimit për një menaxhment skajshmerishtë të politizuar, ku rastet e profilit të lartë shumë vështirë lejohen të kalojnë, e madje edhe kur arrin të kalojnë, i tërë procesi shantazhohet me qëllim që në fazat e me vonshme ato raste të dështojnë, sepse janë aty argat i politikës ditore.

– Ndersa si mesazh, kjo vlen për kolegët, se me asnjë çmim nuk guxojmë t’i shesim parimet dhe dinjitetin tonë, para ngritjes në karrierë, apo për hater të shefave tonë, pagave që nuk i meritojmë, kërcënimeve të ndryshme, favoreve tjera me motive të ulta, etj. sepse me qasjen tonë prej servili jemi duke kontribuar në shkatërrimin e shtetit tonë dhe shpresës për të ndërtuar një shtet ligjor, përpjekje dhe sakrificë e shumë gjeneratave, me përkrahje edhe të miqve tonë (mos na lasht Zoti pa ta!), të cilët jemi duke i humbur çdo ditë e më shumë!

 

A kam qënë i kërcënuar!

– Kur e kam pranuar punën si prokuror i shtetit të gjitha i kam llogaritur, e poashtu kam qenë i vetdijshëm se mund të jem i rrezikuar. Po, e them se kam qenë i kërcënuar me parë, e poashtu përfshirë edhe në rastin e “Veteranëve”, mirëpo të gjitha këto i kam injoruar, ani pse vetës dhe familjës ja kam bërë shumë më të vështirë jetën, e për këtë dua t’i kërkoj falje familjes sepse kanë vuajtur shumë, sidomos gjatë vitit të fundit.

– Kam pranuar thirrje telefonike nga persona të njohur e të panjohur, më kanë kontaktuar personalisht edhe fizikisht , duke mi përcjell lloj lloj mesazhesh e duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së “ se ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do mi njollos vlerat e luftës”, “ pse a po te dhimbën paret e shtetit ty, a mos po ti marrim ty”, “ le, bonja si tjerët” etj., mirëpo të gjitha këto i kam tejkaluar dhe kam vazhduar me punën time me një ekip të vogël bashkëpuntorësh me synimin final që ta kemi një hetim të mirëfilltë, të thellë, gjithpërshirës që duhej te kulmoj me një vendim të bazuar në fakte dhe ligj, në rastin konkret me aktakuzë, që nuk kuptoj arsyet pse ende nuk është dërguar në gjykatë. E për t’ua bërë të qartë se do vazhdoj të hetoj dhe nuk do të ndalem, pavarsisht tentimeve për frikësim, të gjithë antarët e Komisionit Verifikues Shteteror për njohje dhe verifikim te veteraneve, personalisht i kam intervistuar.

– A është dashur t’i lajmëroj këto raste, përgjigja është pooo…., por KU!!!

Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”…. Poashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor… ndersa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”.

– Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë!

– Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksander Lumezi. Pas këtij takimi jemi kthyer në PSRK, jemi marr vesh me Kryeprokurorin e PSRK-se z. Millaku “se për asnjë veprim tjetër për rastin e “Veteranëve” nuk do ta informojmë z. Lumezi, e madje edhe kur do ta ngrisim aktakuzën, PO NUK MË DOLI KËSHTU”, doli qe z. Lumezi ka qënë i njoftuar për veprimet dhe aktakuzën dhe se z. Reshat Millaku për më shumë se një muaj nuk me ktheu përgjigjie, duke e mbajtur aktakuzën të cilën e kisha nënshkruar ani pse të gjitha provat dhe shkresat janë gati për të shkuar në gjykatë dhe se ajo aktakuzë, në atë përmbajtje dhe me ata të akuzuar, nuk po shkonte dhe se dyshoj edhe tani se do të shkoj në gjykatë, pavarësisht se Kryeprokurori Millaku po arsyetohet edhe tani në disa detaje teknike dhe precizim të dispozitivit te aktakuzës, po thjeshtë dëshmo vullnetin e vendosi edhe ato detaje teknike pra, dhe le të dërgohet Aktakuza në gjykatë! Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!

– Opinioni duhet ta dij se ky rast ka nxjerrë në pah realitetin se çfarë niveli, integriteti dhe morali kemi, me çfarë lehtësije abuzojme dhe e vjedhim shtëpinë tonë dhe se me sjellje të tilla vazhdimishtë jemi duke e fyer, sakrificën dhe mundin e shumë gjeneratave, në veçanti të atyre që kanë luftuar dhe rënë për këtë vëndë. Andaj, unë vlerësoj se NE duhet të kemi frikë vetëm nga një faktë, E AI ËSHTË TURPI, e unë, për asnjë moment nuk pranoj të jem prokuror i shtetit dhe të turpërohem, sepse ky është kërcënuesi më i madh!!!

– Njoftoj opinionin publik se edhe përkundër vullnetit tim personal për t’i adresuar këto probleme brenda sistemit, e kam pasur të pamundur sikurse e ka të pamundur pothuajse secili prokuror dhe zyrtar në sistemin prokurorial të raportoj këto apo çdo shkelje tjetër, pasi që i njejti sistem tanimë është në duar të një numri të caktuar të prokurorëve të cilët thjeshtë nuk njohin ligj dhe procedura. Në një shtet normal, qytetarët do të pyesnin nëse Këshilli Porkurorial apo Shoqata e Prokurorëve ka ndërmarr ndonjë veprim lidhur me rastin tim që nga dorëheqja, besoj se përgjigjen tanime e dini të gjithë. Mjerim!

– Në fund dëshiroj ti falendëroj të gjithë koleget, bashkëpuntorët dhe hetuesit, të cilët nga fillimi i marrjes se përgjegjesisë sime si prokuror kanë besuar dhe me kanë përkrahur ne punën tonë të përbashkët, duke siguruar ata se, kudo që te jem, në cfardo pozite të jem do punoj për një sistem të drejtësisë me dinjitet, sepse SOT ky është amaneti që duhet të jetësohët.

(Kosova Sot)