Aktakuza për skandalet e PTK-së kap vetëm disa "koka turku"

  • 21 August 2018 - 09:31
Aktakuza për skandalet e PTK-së kap vetëm disa
Grapci: Prokuroria Speciale nuk duhet t'i hetojë vetëm ish-krerët e menaxhmentit të PTK-së, por edhe Bordin e "Z-Mobile" 

Ditë më parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tre personave, Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, për veprën penale "keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar". Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimi, gjatë periudhës kohore shkurt 2012 tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t'i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime, sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale, "keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar" nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së. Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri në momentin kur, më datë 24.05.2017, ky i pandehur, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kundërligjshëm kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final. Sipas prokurorisë, i pandehuri Agron Mustafa, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, "keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës theksohet se i pandehuri i tretë, Rexhë Gjonbalaj, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, nuk ka përmbushur detyrën e tij me qëllim që të i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri R. Gj, ka kryer veprën penale, "keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së. Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj disa ishkrerëve të menaxhmentit të PTK-së, që lidhet me kontratën e dëmshme e të kundërligjshme me "Z-Mobile" të Blerim Devollit, i afërt me pushtetin,pas një periudhë të gjatë skandalesh, abuzimesh, keqpërdorimesh, në ish- kompaninë më fitimprurëse publike në vend, është komentuar nga analistët dhe ekspertët e ekonomisë. Ata thonë se është tërësisht e pamjaftueshme nëse një aktakuzë ngarkon vetëm disa menaxherë apo ish-menaxherë, duke lënë të paprekur urdhërdhënësit e tyre dhe "biznesmenët" korruptues që kanë përfituar e po përfitojnë kriminalisht qindra miliona euro nga ky aset publik, duke zhvatur pronën e shtetit. Ata kanë bindjen se Prokuroria Speciale nuk do t'i shkojë deri në fund rastit të PTK-së, pa u ndikuar nga politika apo biznesi i kriminalizuar. A do të jetë edhe kësaj radhe, si zakonisht, organi i akuzës gjithnjë duke përzgjedhur disa "koka turku", për t'i akuzuar, ndërsa i ka amnistuar shumicën, përfshirë edhe personat me pushtet që kanë ushtruar ndikim në aranzhimin e tenderëve apo kontratave të majme e kriminale, mbetet të shihet. Analistët e deputetët të opozitës vlerësojnë se ky është momenti i fundit, kur duhet të hapet plotësisht "Kutia e Pandorës" për PostëTelekomin e Kosovës, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku përfunduan miliarda euro, në xhepat e kontot e cilave kompani dhe cilëve pushtetarë.

Salihu: Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku përfunduan miliardat e PTK-së Deputeti i opozitës, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot" thotë se, ndonëse me shumë vonesë, fillimi i këtij procesi gjyqësor nga prokuroria duhet ërshëndetur."Por, me këtë rast, ajo që është me rëndësi është se drejtësia vendore duhet që t'i shkojë deri në fund ndriçimit të rastit të PTK-së, por me kushtin pa u ndikuar nga politika apo biznesi i kriminalizuar, gjë që kam frikën se do të jetë kështu, ngase që nga paslufta gjyqësori ynë është shumë i ndikuar nga politika ditore", është shprehur ai. Salihu thotë se e ka frikën që edhe kësaj radhe ky proces gjyqësor do të jetë sa për sy e faqe dhe për një konsum të brendshëm vendor e ndërkombëtar dhe, si zakonisht, organi i akuzës gjithnjë do të zgjedhë disa "koka turku", vetëm sa për sy e faqe, sa për t'i akuzuar, ndërsa do të amnistojë shumicën e të involvuarve të politikës, përfshirë edhe personat me pushtet që kanë ushtruar ndikim në aranzhimin e tenderëve apo kontratave të majme e kriminale.

Sipas deputetit Salihu, ky është momenti i fundit kur duhet të hapet plotësisht rasti dhe të ndriçohet "Kutia e Pandorës" për PostëTelekomin e Kosovës, sepse fundja qytetarët tanë kanë të drejtë të dinë se ku përfunduan miliarda euro, në xhepat e kontot e cilave kompani dhe cilëve pushtetarë tanë që rrinë e bëjnë sehir me paratë e taksapaguesve kosovarë. Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" thotë se ngritja e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të menaxhmentit të PTK-së është paksa e vonuar, për shkak se dëmi veçse është bëre nga 'Z-Mobile'. Sipas tij, nuk është vonë të merren masat e mëtutjeshme kundër kompanisë 'ZMobile', kompani e cila udhëhiqet nga Blerim Devolli, i cili me marifetet e tij dinake ia ka arritur në njëfarë mënyre ta shkatërrojë PTKnë.

Kadriaj: Shpesh ka devijuar pista e hetimeve Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se çdo hap i Prokurorisë së Shtetit është për t'u përshëndetur dhe mirëpritur, duke e ditur gjendjen e tanishme të nivelit të lartë të korrupsionit dhe të zhvatjes së pasurisë së shtetit nga njerëzit e deleguar nga politika. Pra, edhe pse i vonuar si veprim nga ana e prokurorisë në ndjekjen dhe parandalimin e dëmtuesve të parasë publike si zyrtar dhe bashkëpunëtorët e tyre, por uroj që mos të jetë vetëm skenar sa për t'i hedhur hi syve opinionit, sepse shumë herë kanë marrë veprime, por me vite kanë mbetur lëndët pa epilog, duke e devijuar pistën e hetimeve". Analisti i ekonomisë, Artan Haziri, për gazetën "Kosova Sot" thotë se Kosova ka shumë hapësirë për akuza ndaj personave zyrtarë. "Në çdo nivel të pushtetit ka shkelje të detyrave dhe korrupsion. Duhet ligji që të zbatohet për të gjithë njëjtë, si për ata që janë në pushtet dhe për çdo qytetar", është shprehur ai.

Aliu: Para organeve të drejtësisë duhet të japin llogari të gjithë keqpërdoruesit Ndërsa analisti Bislim Aliu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se duhet vlerësuar dhe mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër tre personave: Ejup Qerimi, Agron Mustafa dhe Rexhë Gjonbalaj, për veprën penale "keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar". Sipas Aliut, ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj këtyre ish-krerëve të menaxhmentit të PTK-së, që lidhet me kontratën e dëmshme dhe të kundërligjshme me "Z-Mobile", të Blerim Devollit, që është i afërt me pushtetin, duhet përfshirë të gjithë, edhe urdhërdhënësit. Analisti Hazbi Kadriu për "Kosova Sot" thotë se një kompani gjigande u soll buzë falimentimit. Ai thotë se kjo aktakuzë e ngritur së fundi për disa udhëheqës në ketë institucion do të jetë ndoshta një pikënisje, por pa shpresë se do shtrihet edhe në të gjithë të tjerët që janë involvuar në këtë rrugë të falimentimit të këtij institucioni shumë të rëndësishëm të vendit tonë. Gazetari i ka dërguar dje pyetje Prokurorisë Speciale lidhur me çështjen, por nuk ka marrë përgjigje.


(Kosova Sot)