Prokuroria: Mosmarrëveshja për motrën e mitur i parapriu vrasjes së 30 vjeçarit në Gjakovë

  • 21 August 2018 - 10:09
Prokuroria: Mosmarrëveshja për motrën e mitur i parapriu vrasjes së 30 vjeçarit në Gjakovë

Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj të akuzuarit Esat Bajrami.

Ai po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se më 1 nëntor të vitit të kaluar, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, Esat Bajrami me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hanën, 30 vjeç.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje që e kishin i ndjeri më të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Mbrojtësi i të akuzuarit Esat Bajrami, avokati Ndrecë Dodaj, ia ka dorëzuar Gjykatës kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kërkesën për kundërshtimin e provave të paraqitura në aktakuzë.

Mbrojtja thekson se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, të vrasjes së ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.

Lidhur me kërkesën e parashtruar nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit, prokurori i shtetit Ali Uka pati kundërshtime.

“Mendojmë se nga provat e siguruara gjatë procedurës së hetimeve, të propozuara në aktakuzë në tërësi është provuar se në veprimet e këtu të akuzuarit Esat Bajrami, qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale të vrasjes, si dhe elementet qenësore të veprës penale armëmbajtje pa leje”, tha prokurori Uka.

Dyshohet se i akuzuari Esat Bajrami në nëntor të vitit 2017, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hana.

Babai i të ndjerit Arlind Hana, këtu i dëmtuari shtoi se provat të cilat janë bashkangjitura në aktakuzë janë të gjitha të sakta.

Gjyqtari i rastit Nikollë Komani, pasi kishte vlerësuar dhe analizuar pretendimet e mbrojtes me të cilën ka kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, si dhe duke u bazuar në kundërshtimet e prokurorit dhe të gjitha provat e bashkangjituara në aktakuzë, me aktvendim e refuzoi kërkesën e mbrojtësit.

Në seancën e kaluar, i akuzuari Esat u deklarua i pafajshëm për veprën penale të vrasjes, ndërsa pranoi se kishte pasur armë pa leje.

Gjithashtu i njëjti kishte shtuar se “mua më vjen keq për rastin por e kam kryer pa dashje”.

(Kosova Sot)