BIK ndanë dhurata për fëmijët e SOS Fshatrave

  • 21 August 2018 - 15:42
BIK ndanë dhurata për fëmijët e SOS Fshatrave

Bashkësia Islame e Kosovës ka shpërndarë dhurata në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove, për fëmijët e SOS Fshatrave në Prishtinë.

Me këtë rast, kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava, kërkoi që këta fëmijë të ndihmohen shumë më shumë nga shoqëria, ndërsa paralajmëroi se Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojnë me aktivitete të tilla, sidomos në raste të festave, edhe në të ardhmen.

Tërnava: Të përkujdesemi më shumë për fëmijët

“Sot në shenjë të simbolikës së ditës së Kurban-Bajramit, është edhe kjo ndihmë që kemi ofruar për fshatin SOS, në vlerë për 2 mijë e 500 eurove për fëmijët e strehuar këtu në këtë vend. Dëshiroj të them se është një punë e madhe që po bëhet në këtë fshat. Është një interesim nga stafi që punon në këtë fshat dhe kjo më gëzoi shumë.  Fëmijët gëzonin një shëndet jashtëzakonisht të mirë dhe ne si shoqëri duhet të bëjmë me shumë, sepse këta janë fëmijët tanë, të përkujdesemi që të kenë kushte edhe më të mira dhe të punohet edhe më shumë në këtë drejtim dhe të përkrahen edhe më shumë”, tha Tërnava.

Kreu i BIK-ut, ka arsyetuar zgjedhjen e fëmijëve të shtrirë në spitalin e Pediatrisë dhe fëmijët e strehuar në SOS Fshatra, për t’iu ndihmuar për nderë të kësaj feste të madhe.

Shuma për fëmijët e shtrirë në Pediatri dhe ata të strehuar në SOS Fshatra të Kosovës, arrin rreth 10 mijë euro.

Tërnava: Nuk ka asgjë më të shenjtë se fëmijët

“Për njerëzit, për prindërit, për familjet nuk ka diçka me të shenjtë se fëmijët, ndaj shëndeti është mbi të gjitha. Prandaj, kur një familje ka një fëmijë të sëmurë, atëherë dihet se çfarë ndjen ajo familje. Prandaj, ata fëmijë të shtrirë në Pediatri atje, ju i patë edhe kushtet dhe ne deshëm që sado pak të jemi me ata që kanë nevojë me tepër, shëndeti i tyre ka nevojë të përmirësohet, sado pak një impuls të vogël, një buzëqeshje ta shohim në fytyrat e tyre sidomos në këtë ditë të veçantë për gjithë myslimanët që jetojnë anë e kënd globit, në veçanti në Kosovë. Ardhja jonë këtu në veçanti për fëmijët e braktisur vetvetiu flet. Nuk duhet ndonjë koment i madh për të kuptuar përgjigjen pse fëmijët e braktisur, prandaj ne duhet të jemi me ata që janë braktisur”, tha Tërnava.

Ndërsa, Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ pranë SOS Fshatrave të Kosovës, ka falënderuar myftiun Tërnava dhe gjithë njerëzit e vullnetit të mirë për ndihmën e dhënë.

Peci: Ndihma e BIK-ut meriton mirënjohje

“Gjithsesi kjo vepër meriton mirënjohje dhe respekt dhe jo vetëm BIK-un, por gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët kanë gjetur kohë dhe vullnet t’i ndihmojnë fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës. Në emër të fëmijëve të SOS Fshatrave të Kosovës i falënderojmë për vullnetin dhe për solidaritetin që kanë treguar në këtë ditë feste”, tha Peci.

Ndryshe, BIK-u në kontinuitet ka qenë në gatishmëri për të ndihmuar SOS Fshatrat, ndërkohë që donacionet janë siguruar nga besimtarët myslimanë, mirëpo ka pasur edhe një donacion nga një shoqatë nga Dubai, të cilët me theks të veçantë kanë dërguar një shumë të konsiderueshme për të cilat kanë sinjalizuar që të jenë dhurata për Kurban-Bajram. 

 

(Kosova Sot)