Bie dukshëm numri i veturave të vjetra, rriten ato të rejat

  • 21 August 2018 - 22:01
Bie dukshëm numri i veturave të vjetra, rriten ato të rejat

Që nga hyrja në fuqi e ligjit që kufizon vjetërsinë e veturave numri i atyre të përdorura ka rënë dukshëm.

Zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci është shprehur importi i veturave të vjetra është rreth 40 për qind më pak së vitin e kaluar, ndërsa ato të rejat kanë shënuar rritje.

“Sa i përket importi kemi rënie te numrit te vetura me rreth 40 % me pak se vitin kaluar derisa importi i automjeteve te reja ka shënuar rritje”, ka thënë ai.

Kështu, importi i veturave të vjetra nga janari deri në muajin korrik për vitin 2017 ka qenë 14 mijë e 737 copë.

Mirëpo, ky numër dukshëm ka shënuar rënie këtë vit. Në statistikat e doganës për Indeksonline bëhet e ditur se këtë vit janë importuar vetëm 8 mijë e 197 vetura të vjetra.

Kjo për shkak të ligjit për kufizimin e vjetërsisë dhe motorit të automjeteve.

Mirëpo, nga importi i këtyre veturave të vjetra, taksat e mbledhura ishin mbi 34 milionë euro.

Taksat këtë vit kanë rënë në 23 milionë.

Ndërsa, në vitin 2017 numri i veturave të reja ka qenë i vogël për shkak të hyrjes në masë të madhe të atyre të vjetrave.

Ndryshe, numri i tyre ka qenë 1 mijë e 578 copë. Mirëpo, ky numër këtë vit ka shënuar rritje, përkatësisht në 2 mijë e 123 vetura të reja.

Stavileci ka bërë të ditur se në pikat kufitare ka pasur disa raste kur janë kapur automjete të cilat nuk kanë pasur zhdoganim.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.

 

(Kosova Sot)