Të akuzuarit e EULEX'it mund të përfundojnë në Speciale

  • 27 August 2015 - 22:21
Të akuzuarit e EULEX'it mund të përfundojnë në Speciale

Sami Lushtaku e Sylejman Selimi, mund të përfundojnë si subjekt të Gjykatës Speciale. Fatin e tyre mund ta ketë edhe Fatmir Limaj, Oliver Ivanoviq dhe secili i akuzuar për krime lufte nga prokurorë të EULEX-it.

Sipas planifikimeve aktuale, misioni i BE-së për sundimin e ligjit përfundon punën në qershor të vitit të ardhshëm. Deri atëherë, nëse nuk merret ndonjë vendim për zgjatje mandati, rastet që janë në gjykim nga ky mision mund të kalojnë tek Gjykata Speciale.

Ndonëse nuk është e paraparë me norma juridike që rastet e tilla t’i mbarten Gjykatës Speciale, avokati Tomë Gashi beson se kjo mund të ndodhë me një marrëveshje politike.

“Nëse do të ketë një kërkesë politike që rastet e krimeve të luftës të kalojnë të gjitha pas përfundimit të Misionit të EULEX-it në Gjykatën Speciale, kjo mund të ndodhë, mirëpo në atë rast Gjykata Speciale do të ngarkohet aq shumë, saqë do t’i duhen decenie për t’i kryer të gjitha rastet e mundshme”, ka thënë Gashi

Një trup gjykues i përbërë nga EULEX-i, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, po gjykon politikanin serb, Oliver Ivanoviq, nën dyshimin për krime lufte, ndërsa ka dhënë një vendim për Grupin e Drenicës të cilin e dënoi me 65 vjet burg.

Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi me bashkëluftëtarë të tjerë, po presin verdiktin e Apelit, pas ankesës së palës mbrojtëse.

Por, Misioni Evropian, EULEX, nuk ka dashur të paragjykojë në lidhje me modalitetet e përfundimit të mandatit.

Në një përgjigje elektronike thuhet se mandati Task Forcës Hetuese Speciale dhe Dhomave të Specializuara merret me pretendimet e bëra në Raportin e Dick Martyt.

“Të gjitha krimet e tjera të supozuara se janë kryer gjatë luftës, bien në kompetencë të veçantë të PSRK-së, një shërbim të specializuar të Prokurorisë, në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Brenda PSRK-së, prokurorët e EULEX-it dhe të Kosovës kryejnë funksione ekzekutive. Ligjet e miratuara në prill te vitit 2014 përcaktojnë se prokurorët e EULEX-it normalisht vazhdojnë të punojnë me rastet që janë në vazhdim e sipër, dhe nëse në ‘rrethana të jashtëzakonshme një rast i caktohet një prokurori të EULEX-it’, me vendim të përbashkët nga organet kompetente, të cilat janë: Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i EULEX-it”.

Sipas drejtuesve të EULEX-it, Misioni Evropian ka trashëguar 1200 raste të krimeve të luftës nga UNMIK-u. Janë mbyllur 500 prej tyre, ndërkaq ekzistojnë edhe 300 lëndë të pazgjidhura tek prokurorët e Kosovës dhe ata të EULEX-it në kuadër të PSRK-së, transmeton RTV Dukagjini.