Kosova mund të anulojë Marrëveshjen për sigurimet nëse Serbia nuk e respekton

  • 28 August 2015 - 16:05
Kosova mund të anulojë Marrëveshjen për sigurimet nëse Serbia nuk e respekton

Rrahim Pacolli, Kryesuesi i Delegacionit të Kosovës për bisedimet teknike për sigurime në Bruksel dhe njëherësh kryetar i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës,  ka thënë se Kosova mund të pezullojë Marrëveshjen për sigurimet, nëse edhe pala serbe nuk e zbaton atë në tërësi.

“Desha t’ju informoj se Marrëveshja e arritur në Bruksel me palën serbe për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar po aplikohet në tërësi nga pala kosovare. Deri më tani mbi 40 mijë qytetarë janë pajisur me polica TPL Plus, të cilët po lëvizin në territorin serb", thuhet në njoftimin e tij.

"Çështje problematike mbetet ajo se qytetarët e Kosovës , me targa te automjeteve RKS, po detyrohen të vendosin targat “Proba” me rastin e hyrjes në territorin serb.

Nga fillimi zbatimit të marrëveshjes në fjalë kam kërkuar zgjidhjen e këtij problemi, por me sa duket pala serbe nuk ka marrë parasysh këtë kërkesë.

Andaj, i bëj përsëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masat e duhura lidhur me këtë çështje. Qytetarët serbë të detyrohen po ashtu të zëvendësojnë targat e tyre me targa të përkohshme, e nëse nuk ka ndryshime deri në fillim të shtatorit, do të shqyrtohet mundësia për anulim të kësaj marrëveshje”, përfundon njoftimi i Pacollit.

(Kosova Sot)