Ndërtimtarët nuk u përmbahen planeve rregulluese

  • 28 August 2015 - 16:40
Ndërtimtarët nuk u përmbahen planeve rregulluese

Objektet banesore nuk respektojnë të gjitha standardet urbanistike

Drejtori i Urbanizmit, Sali Lajqi, ka thënë se ka tejkalime të etazhitetit dhe tejkalime të tjera, por, sipas tij, inspektorët komunalë janë përgjegjës për stopimin e këtyre rasteve

Ka më shumë se katër vite që kur Komuna e Pejës ka filluar me hartimin dhe miratimin e planeve rregulluese në nivel të bashkësive territoriale, por jo gjithherë janë respektuar këto plane nga ndërtuesit.

Edhe sot e kësaj dite ndërtimtarët nuk pushojnë së ngrituri objekte kolektive banesore, të cilat vazhdojnë të mos respektojnë të gjitha standardet urbanistike, që i parasheh ligji dhe planet rregulluese.

Sali Lajqi, drejtor për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Pejë, thotë se ata u lëshojnë pëlqime urbanistike dhe leje të ndërtimit palëve të interesuara, por sipas tij, ndërtuesit nuk po u përmbahen lejeve të lëshuara dhe devijojnë nga projektet fillestare. “Ndodh të tejkalojnë etazhitetin, si dhe bëjnë tejkalime të tjera, por për ketë nuk është përgjegjës drejtoria jonë. Për këtë duhet të përkujdeset Inspeksioni komunal”, ka thënë Lajqi.

Dashi: Nuk po respektohet ligji me rastin e dhënies së lejeve

Në anën tjetër, Demë Dashi, drejtor për Shërbimeve të Inspeksionit, ka thënë se ka raste kur devijohen projektet e objekteve ndërtimore, por ka edhe tejkalime të etazhitetit. Sipas tij, Inspeksioni komunal në këto raste kur arrin t’i identifikojë në fazën e ndërtimit, i rrënon ato, ose ndërmerr masat konform ligjit, duke dërguar fletëparaqitje në gjykata dhe ndërmarrë masa të tjera konform kompetencave.