“Debati” Mustafa-Kurti, si fëmijët në rrugë

  • 28 August 2015 - 18:03
“Debati” Mustafa-Kurti, si fëmijët në rrugë

Debati mes shefit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përveçqë nuk është dinjitoz për kokat e politikës kosovare, diskursi i përdorur është tepër banal, vlerësojnë analistët kosovarë ballafaqimin virtual në mes të Mustafës dhe VV-së.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se përplasjet me deklarata ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe zyrtarëve të VV-së janë aq të ulëta e banale, sa që do të ishin të tepërta edhe po të përdoreshin nga fëmijët në rrugë.

Kjo gjuhë, për Mushkolajn, nuk i takon kryeministrit Mustafa, sepse ai duhet ta dijë se përfaqëson jo veten, e as familjen e tij, por të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Pastaj, përfshirja në sharje e fyerje edhe e familjarëve të tij, kalon çdo cak të njerëzores. Në vend se të përballen argumentet, gara po bëhet se kush kë po e shan e fyen më shumë, se kush kë po e quan më kafshë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Mustafa nuk do të duhej të ishte lëshuar në komente që nuk i kanë aspak hije një kryeministri.

“Nëse zgjedh të replikojë me secilin që e kritikon, atëherë ai ka probleme të mëdha dhe duhet urgjentisht ta rishikojë qasjen e tij në komunikimin publik”, ka shtuar Mushkolaj.

Edhe analisti Arben Ahmeti mendon se kryeministri duhet ta dijë se nuk është kryeministër vetëm i dikujt, por i gjithë qytetarëve te Kosovës. Sipas tij, partitë opozitare mund ta degradojnë gjuhën nëse vlerësojnë se ajo është mënyra për të ardhur në pushtet dhe për këtë “nuk kanë pse të japin përgjegjësi”!

“Krejt ndryshe është situata me kryeministrin, i cili i takon të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Ahmeti për Telegrafin.

Ndryshe, gjatë të së enjtes, në mes kryeministrit Isa Mustafa dhe ish-kreut të VV-së, Albin Kurti, është zhvilluar një debat virtual i cili është shoqëruar më një gjuhë të ashpër dhe denigruese, së cilës i bashkohen pastaj edhe djali i kryeministrit, Besnik Mustafa, VV dhe aktivistët e saj.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës edhe një herë ka reaguar ndaj veprimeve të VV-së, duke thënë se Qeveria po zhvillon demokracinë, e cila ndërtohet me debat publik dhe me ballafaqim argumentesh e jo me shpifje dhe me denigrime familjare. Ai ka shtuar se veprimet e VV-së janë të papranueshme, të paligjshme, kundër traditës dhe zakoneve shqiptare që kemi ndërtuar me shekuj.