Pak projekte për Luginën e Lumbardhit

  • 28 August 2015 - 18:29
Pak projekte për Luginën e Lumbardhit

Sipas Musa Salihut, nga dhjetë projekte që janë zotuar të financohen në fshatrat e Luginës, deri më tani vetëm njëri prej tyre ka filluar

Mungesa e ujit të pijes, furnizimi i dobët me energji elektrike, mungesa e objekteve shkollore për ciklin e ulët, mungesa e transportit urban janë disa prej shqetësimeve që i paraqesin banorët haptas, e për të cilat kërkojnë zgjidhjen nga ana e komunës së Prizrenit.

Në vazhdën e debateve publike dhe konsultimet me qytetarët për draftimin e buxhetit të Komunës, si dhe investimet për vitin 2016, drejtuesit e Komunës së Prizrenit, kanë takuar banorët e Luginës së Lumbardhit. Me këtë rast, para të tubuarve në Reçan kryetari Ramadan Muja ka dhënë sqarimet lidhur me planifikimet dhe mundësitë e financimit të projekteve në këtë anë. Banorët janë ankuar se për shkak të buxhetit të vogël që kanë shkollat e kësaj ane, po mungon edhe mirëmbajtja e objekteve shkollore. Musa Salihu nga ky lokalitet ka paraqitur një mori kërkesash. Sipas tij, për fat të keq, nga dhjetë projekte që janë marrë konkulzione të financohen në fshatrat e Luginës, deri më tani vetëm njëri prej tyre ka filluar. Edhe banorët e fshatit Korishë kanë pasur kërkesa që lidhen me infrastrukturë si shtrimi i rrugëve etj. Ndërsa Ymer Hoxha nga Malësia e Re ka kërkuar që në këtë fshat të ketë infrastrukturë për ujë të pijes dhe rrugë të shtruara.

Kryetari Muja premtoi se të gjitha kërkesat do të analizohen dhe se komisioni profesional i komunës i angazhuar për hartimin e buxhetit do të inkorporojë në planifikimet buxhetore për vitet në vijim.(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)