Hajnat hakmerren ndaj zyrtarëve pyjorë: I rrahin dhe ua thyejnë veturën

  • 28 August 2015 - 18:50
Hajnat hakmerren ndaj zyrtarëve pyjorë: I rrahin dhe ua thyejnë veturën

Dy inxhinierë dhe një teknik të Agjencionit Pyjor të Kosovës, në regjionin e Mitrovicës, ishin nisur në terren për të mbikëqyrë punëtorët e tyre në vendin e quajtur “Duboqak”, hapësirë kjo prej 6.800 hektarë, e cila është në mbrojtje të shtetit. Por, rrugës për atje ata ishin sulmuar.

Një grup prej tre personave me maska dhe të armatosur, ua kishin zënë rrugën, duke i rrahur dhe duke ia thyer veturën. Inxhinieri Bedri Behluli, që sulmuesit kanë dalë para veturës dhe kanë nisur të sulmojnë. Ai rrëfen për momentet kur para tyre kanë dalë personat që në dorë mbanin një kallashnikov dhe dy stupca.

“Rasti ka ndodhur në orar të punës rreth orës 11:15 sot. Na kemi qenë duke shkuar në terren dhe kemi dalë me i vizitu punëtorët që janë në Duboqak. Në hyrje të asaj njësie, kanë dalë tre persona - njëri me kallash dhe dy me stupca. Kanë qenë të maskuar. Na kanë sulmuar menjëherë pa fol asnjë gjë. E kanë thyer edhe veturën me të cilën udhëtonim”, rrëfehet Behluli.

Zyrtarët e dinë se kush janë sulmuesit dhe i kanë paraqitur në Polici, ndërsa vetë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre është e mirë dhe qysh nesër do të vazhdojnë punën në terren.

Rasti, si e shpjegojnë këta zyrtarë, ka origjinën qysh para një muaji. Personave që kanë sulmuar zyrtarët e Agjencionit të Pyjeve, u është konfiskuar një masë drunore dhe një traktor. Këtë e konfirmon kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Pyjeve, Ahmet Zejnullahu.

“Para një muaji është bërë një konfiskim i masës drunore edhe i automjetit (traktor) që është përdorur për bartjen e drurëve, i cili për momentin është konfiskuar deri në procedurë gjyqësore dhe gjendet në stacionin policor në Skenderaj. Ai që i ka sulmuar është identifikuar si personi i njëjti që i është konfiskuar traktori dhe masa drunore”, ka thënë ai.

Në vendin ku janë sulmuar zyrtarët e këtij Agjencioni, janë duke punuar rreth 10 punëtorë në përmirësimin e strukturave të pyjeve.

‘Duboqak’ shtrihet në territorin e komunave Skenderaj, Mitrovicë dhe Zubin Potok, dhe është një prej katër vendeve të tilla në Kosovë të cilat janë shpall me interes të veçantë për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, transmeton KosovaPress.