Tensionet ndërmjet Donald Trump-it dhe familjes Bush zgjasin me dekada

  • 28 August 2015 - 21:54
Tensionet ndërmjet Donald Trump-it dhe familjes Bush zgjasin me dekada

Në një ditë të muajit janar të vitit të kaluar, Donald Trump kishte luajtur golf me politikanët, në pronën e tij në Florida. Miliarderi kishte folur për legalizimin e kumarit dhe kishte shtuar që pronat e tij ishin shumë të përshtatshme për ndërtimin e kazinove. Mirëpo, përkundër faktit që ishte hequr si i interesuar në lojë, një gjë e vetme ka qenë në mendjen e tij: Jeb Bush-i, transmeton Kosova Sot Online.

 “Ai po fliste gjëra të këqija për Jeb-in dhe, sinqerisht, nuk mendoj që ai ka pasur ndonjëherë mendim të mirë për të”, ka thënë Steve Crisafulli, që ka qenë në atë ditë duke luajtur golf me Trump-in.

Fjalë të këqija për Jeb-in

Crisafulli është mbështetës i Bush-it dhe meqë nuk ishte ndjerë rehat me atë bisedë, kishte vendosur që ta mbronte ish guvernatorin e Floridës. “Sa herë që jam takuar me Trump-in ai ka thënë ndonjë gjë të keqe për Jeb-in”, ka shtuar ai.

Armiqësia në mes të dy pretendentëve kryesorë për ta marrë nominimin e Partisë Republikane, që ka eskaluar së fundmi, sa vjen e shtohet tani kur kampanjat e politikanëve janë bërë më dinamike. Ndërsa, duke marrë parasysh faktin që Trump-i është dominues nëpër sondazhe, kurse Bush-i është dominues në aspektin e mbledhjes së fondeve, tensionet në mes këtyre dyve pritet të jenë faktor i rëndësishëm për javët dhe muajt në vazhdim, pasi që të dy kandidatët do të mundohen ta heqin njëri-tjetrin nga rruga drejt nominimit.

Megjithatë, kampanja për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 është vetëm një episod i mosmarrëveshjeve të Trump-it me familjen Bush. Që prej viteve të 1980-a, kur Trump dhe George H.W. Bush ishin ngritur si forca në sferat e tyre të veprimit, marrëdhënia në mes të Trump-it dhe familjes Bush ka qenë një melodramë.

Teksa ka folur për marrëdhënien e tij me familjen Bush ai e ka mohuar që problemi të ketë rrënjë familjare, megjithatë ish presidentin Bill Clinton, për shembull, e ka cilësuar si shumë më të afërt.

E gjitha, të paktën në sytë e publikut, kishte filluar kur George H.W. Bush kishte ngritur taksat gjatë mandatit të tij, përkundër faktit që ishte zotuar që nuk do ta bënte një gjë të tillë. Më vonë, Trump-i ishte hedhur George W. Bush-it për luftën në Irak.

Qëllimi i Trump-it, të bëhet president  

Megjithatë, përkundër faktit që ka pasur mospajtime me pothuajse të gjithë anëtarët e familjes Bush, zemërimin e veçantë ai gjithmonë e ka ruajtur për Jeb Bush-in, me emrin e të cilit ai tallet herë pas here. Një bashkëpunëtor i Trump-it, i cili ka folur në kushte anonimiteti, për të qenë në gjendje që të shprehej më lirshëm, ka thënë: ‘Trump-i është shumë i mençur dhe tani ai udhëhiqet nga dy qëllime: Qëllimi i parë është të bëhet president, ndërsa qëllimi i tij i dytë është që ta mos e lë Jeb-in të bëhet president”.

Për marrëdhëniet e tij me familjen Bush, Trump ka folur edhe në një intervistë të dhënë për ‘The Washington Post’, kur, teksa ka folur për Jeb Bush-in ka thënë: “Ky djalë nuk e di se çka është duke bërë”.

Teksa ka folur për babanë e tyre, George H.W. Bush, Trump-i ka thënë: “Si person, më ka pëlqyer shumë. Mirëpo më ka zhgënjyer shumë kur kishte thënë ‘Më dëgjoni, nuk do t’i rris taksat’ e më pas i kishte rritur”. Ndërsa, duke folur për presidentin e fundit të familjes Bush, George W. Bush, Donald Trump ka thënë: “Nuk dukej i mençur. Shpeshherë i kam parë intervistat e tij dhe më pas i kam pyetur njerëzit përreth ‘A mendoni që e ka kuptuar pyetjen?’”.

Bushi nuk mund të sjellë tokën e premtuar

 Ndërsa, sa i përket Jeb-it, Trump-i vazhdimisht thotë se nuk beson që ai mund ta sjellë tokën e premtuar.

Ai nuk ka harruar të ndalet edhe në çështjen e punës së Jeb Bush-it në ‘Lehman Brothers’, ku ishte paguar nga 1.1 deri në 2 milionë euro në vit, e ku kishte shërbyer si këshilltar.

“Kjo është një shumë e madhe parash. Më lejoni t’ju pyes: Pse do ta paguanit një person 1.1 milion euro në vit, vetëm për të qëndruar”, ka thënë Trump, i cili beson që rroga e Jeb-it në ‘Lehman Brothers’ është shpaguar në periudhën kur ai ishte bërë guvernator i Floridës.

Megjithatë, përkundër armiqësisë së kamotshme, Trump-i iu kishte ndihmuar familjes Bush për të mbledhur fonde, gjë për të cilën ka marrë kritika, me kritikët që kanë thënë se është absurde ta ndihmosh dikë, të cilin e urren.

Ndër kritikat më të mëdha të Trump-it, drejtuar familjes Bush, është ajo për, siç ka thënë ai, krijimin e Shtetit Islamik, meqë, sipas Trump-it, sikur Bush-i të mos kishte intervenuar në Irak, Lindja e Mesme nuk do të ishte në gjendjen në të cilën është sot.

(Kosova Sot)