Shpend Ahmeti 'godet' Isa Mustafën

  • 28 August 2015 - 23:48
Shpend Ahmeti 'godet' Isa Mustafën

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas intervistës së kryeministrit Isa Mustafa.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se përderisa veprimet kryesore të qeverisë mbeten gjykata speciale dhe asociacioni, e problemet kryesore të Kosovës mbeten korrupsioni e papunësia, faj nuk i kanë as opozita e as mediat. Ofendimet nuk e shpëtojnë asnjërin nga paaftësia për ta përfaqësuar e mbrojtur shtetin, shkruan Ahmeti.

Ja dhe postimi i plotë të Ahmetit në Facebook:

Në qofte se në parim nuk sheh problem në dhënien e tenderëve anëtarit të familjes, atëherë shuma e parave ka pak rëndësi. Shumat e mëdha janë çështje e kohës, ose kanë ndodhë më herët ose do të ndodhin më vonë.

Përderisa disa dje menduan se tjetërkush ja shkruan statuset në facebook, sot u bindën se ofendimet e djeshme nuk ishin reagim i momentit por qëndrime dhe ofendime sistematike kundër të gjithë atyre që nuk pajtohen. Sot dëgjuam edhe kërcënime kanunike nga kryeministri, duke u thirr në traditën shqiptare.

Përderisa veprimet kryesore të qeverisë mbeten gjykata speciale dhe asociacioni, e problemet kryesore të Kosovës mbeten korrupsioni e papunësia, faj nuk i kane as opozita e as mediat. Ofendimet nuk e shpëtojnë asnjërin nga paaftësia për ta përfaqësuar e mbrojtur shtetin.

Jo z. Mustafa, nuk është në rregull me i dhënë tender djalit, as 100 mijë, as tre mijë e as një euro edhe me qenë servisi i vetëm në mijëra kilometra, edhe me qenë mekaniku më i mirë që ju e njihni.
Jo z. Mustafa, asociacioni i komunave që kanë deklaruar se qëllim e kanë mosfunksionimin e shtetit të Kosovës nuk mund të jetë i mirë për Kosovën.

Korrupsionin dhe shitjen e Kosovës do ti kundërshtojmë gjithmonë. Në kokën e juaj, kjo më bën gomar, e në mendjen tonë kjo është detyrim që kemi si qytetarë tê këtij vendi.

Koha do të tregojë se cilët e kemi më mirë, por historia tregon që korrupsioni dhe shitja nuk kanë përfunduar asnjëherë mirë për shtetin dhe asnjëherë në fitore për ata të përfshirë në të.