Policia sqaron pse u arrestua Salih Zyba

  • 29 August 2015 - 08:03
Policia sqaron pse u arrestua Salih Zyba

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka sqaruar se pse e ka arrestuar dje aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zybën.

Më 28.08.2015, gjatë realizimit të lëvizjes në eskortë, afër Komunës së Prishtinës vetura e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është gjuajtur me vezë nga disa persona, njofton Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës duke u bazuar në informacionet e sakta ka pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka ( të dyshuar) tek rrethoja e Komunës së Prishtinës (saktësisht tek gardhi i gjallë), transmeton Kosova Sot Online.

Dy zyrtarët policor në detyrë kanë shkuar në atë lokacion për të verifikuar se për çfarë qese bëhet fjalë në mënyrë që të eliminohet dyshimi për ndonjë mjet të dyshuar, dhe aty në ato momente nga dera hyrëse e Komunës ka dalë një person i dyshuar (S. Z.) duke thirrur me zë të lartë, duke fyer, e pastaj edhe duke sulmuar fizikisht zyrtarët policor të angazhuar në detyrë zyrtare. 

"Pasi që i dyshuari në fjalë (S. Z.), ishte mjaft i dhunshëm, dhe si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policor, në asistencë për ta vu në kontroll janë angazhuar edhe dy zyrtarë të policisë në rroba civile. Pas reagimit efikas të policisë i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në qendrën e mbajtjes për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore, thuhet në njoftimin e PK-së. 

(Kosova Sot)