Bush pritet me protesta në Nju Orlenas

  • 29 August 2015 - 08:51
Bush pritet me protesta në Nju Orlenas

Në qytetin e rindërtuar të Nju Orlenasit, 10 vite pas uraganit “Katrina”, është rikthyer ish-presidenti George W. Bush. Ai është një ndër figurat më të kritikuara pas kësaj fatkeqësi natyrore.

Në fjalën e tij, Bush tha se populli i këtij qyteti meriton nderime, për shkak se nuk u dorëzuan përballë “Katrinës”. Ish-presidenti foli para një turmë të mbledhur në shkollën “Warren Easton Charter” në qendër të Nju Orleansit.

Vizita e Bush ishte edhe njëra nga vizitat më të kontestuara, si pjesë e organizimeve për të shënuar 10-vjetorin e kësaj fatkeqësie. Bush ishte President në kohën kur “Katrina” goditi Misisipin.

Arsyeja se pse ish-presidenti kritikohet ashpër është për shkak se nuk vizitoi qytetin menjëherë, pasi që ishte përmbytur në shkallën 80%. Ndërsa gjithmonë është kritikuar edhe për menaxhimin e dobët me rastin e kësaj tragjedie.

Fotoja që bëri jehonë gjatë asaj kohe, ishte ajo kur Bush po shihte nga dritarja e Air Force One, kur avioni i tij ishte mbi Nju Orleans, ndërsa njerëzit ende ishin mbi çatitë e shtëpive duke kërkuar për ndihmë. Ai vazhdoi udhëtimin pa u ndaluar në këtë vend.

Ndërkohë, gjatë vizitës së Bush, në vendin ku ai po mbante fjalim, disa qytetarë ishin mbledhur dhe po protestonin kundër ardhjes së tij. “Ke ardhur shpejt, hajde pas një jave”, shkruhej në njërën nga parullat e protestuesve, transmeton Shekulli.

Ndërsa një protestues u shpreh: “Të gjithë e dinë që në kohën kur njerëzit këtu po qanin dhe po bërtisnin për ndihmë, Bush ishte me pushime”.