Bëjnë biznes nëpër shtëpi, larg syrit të shtetit

  • 29 August 2015 - 16:51
Bëjnë biznes nëpër shtëpi, larg syrit të shtetit

Ekonomia informale në Pejë

Inspektorati në Pejë ka bërë 150 kërkesa për aktvendime për bizneset, që nuk ishin të futur në sistem

Numri i bizneseve që ushtrojnë veprimtarinë në mënyrë ilegale në qytetin e Pejës është jo i vogël. Ekonomia informale apo shfrytëzimi i hapësirave pa leje kanë dëmtuar buxhetin, por edhe sigurinë e qytetarëve. “Për këtë, ky vit 2015 ishte shpallur vit, në të cilin jemi përpjekur të vëmë nën kontroll të gjitha ato veprimtari të kundërligjshme”, i ka thënë gazetës drejtori i Inspektorateve në Pejë, Demë Dashi. Sipas tij, bazuar në planet operacionale, Inspektorati Sanitar i ndihmuar edhe nga inspektorët e tregut kanë filluar kontrollin e ambulancave që ofronin shërbime shëndetësore dhe ato stomatologjike, të cilat janë të shumta në qytetin e Pejës. Sipas të dhënave nga terreni, është vlerësuar se një numër i madh i tyre nuk kanë plotësuar kushtet elementare higjienike sanitare konform ligjit. “Te disa sosh kanë munguar nyjat sanitare, paradhomat për pacientë, klimatizimi dhe ventilimi, kanë munguar lejet e punës nga Inspektorati, ngase nuk ishin të regjistruara si biznese dhe u mungonte infrastruktura përcjellëse ligjore, nuk kishin çmimoret transparente për pacientë dhe jo rrallë çmimi për shërbime bëhej sipas xhepit të pacientëve e jo sipas vlerës reale të shërbimit, që ofrojnë, mungesa këto që detyrimisht shpien deri te ndalimi i veprimtarisë se tyre”, ka thënë kryeinspektori Demë Dashi. Sipas tij, të gjithë atyre u ka dhënë një afat prej tetë ditësh, që të eliminojnë këto parregullsi, ndërkaq ndaj atyre që nuk kanë përmbushur detyrimet u janë lëshuar aktvendimet për mbyllje të bizneseve deri në përmbushje të detyrimeve, ose edhe u janë bërë fletëdenoncime në gjykata për ushtrim të veprimtarisë pa leje... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)