Serbia hap dyert e njohjes së shtetësisë së Kosovës

  • 30 August 2015 - 09:02
Serbia hap dyert e njohjes së shtetësisë së Kosovës

E përditshmja serbe “Vecernje novosti” njofton që data e konferencës mes Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian pritet të jetë 16 dhjetori, ndërsa hapja e kapitujve të parë në negociatat për anëtarësimin në BE do të bëhet në fund të këtij viti.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel të kësaj gazete, pas arritjes së marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës është hapur rruga për hapjen e kapitullit të parë të negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE.

Kapitulli i parë i këtyre negociatave, njofton gazeta beogradase, do të jetë kapitulli 35, që ka të bëjë me Kosovën.

Ekziston një konsensus në Prishtinë dhe në Beograd se hapja e këtij kapitulli nënkupton hapin kryesor të shtetit serb drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës, një kusht kyç për Serbinë në rrugëtimin e saj drejt BE-sëi.

Gazeta njofton se opsioni “B” mund të jetë që, eventualisht, për shkak të përgatitjeve procedural të kësaj konference, të pritet të kalojnë edhe festat e fundvitit, dhe që krerët shtetërorë serbë dhe zyrtarët e BE-së në një takim në muajin janar të shpallin nisjen e bisedimeve.

Burimet e gazetës pohojnë se këtyre çështjeve teknike u është referuar edhe Komisioneri i BE-së për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, kur para tre ditësh kishte porositur në Vjenë se bisedimet do të hapen në fillim të vitit të ardhshëm.

Përveç hapjes së kapitullit 35, njëherësh kapitullit më të favorshëm për Kosovën, në fazën e parë të bisedimeve pritet të diskutohet edhe për kapitullin 32, që ka të bëjë me kontrollin financiar.

Ndërkaq, shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Michael Davenport, është shprehur se sa varet nga Serbia se kur do të jetë e gatshme të hapë negociatat për kapitujt 23 dhe 24, për drejtësi, siguri dhe të drejtat e njeriut,

Vlen të theksohet se Veçernje Novosti njofton se Brukseli ka kërkuar plotësimin e pjesëve të planeve që kanë të bëjnë me pakicat në Serbi (duke përfshirë këtu mediet e pakicave dhe librat shkollorë në gjuhët e pakicave) dhe me problemet e emigrantëve.