Kulla e Xhemajl Obrisë, aty ku dikur ndahej drejtësia

  • 30 August 2015 - 11:03
Kulla e Xhemajl Obrisë, aty ku dikur ndahej drejtësia

Në Obri të Drenasit jeton familja e pleqnarit që la nam me veprën e tij

Në odë mblidheshin burrat në kuvend, ose për luftë ose për të “pleqnuar”"Kjo tani është kopje e origjinalit. Kulla është dykatëshe, poshtë e ka një dhomë ku i kanë pritur mysafirët edhe lart i ka dy dhoma të tjera. Po ashtu, mureve ka pasur disa vrima që luftëtarët e kanë shikuar gjendjen gjatë luftës. Këtu ka qenë edhe luftëtari Mehmet Gradica, Tahir Berisha edhe shumë të tjerë”, rrëfen Veseli 71-vjeçar

 

Shqiptarët njihen si popull me traditë e me zakone të shumta. Popull që ka kaluar shumë luftëra e ka humbur shumë trima luftëtarë, të cilët kanë dhënë jetën për vendin. Atë kohë kur vendi ishte në rrezik nga pushtuesit, dijetar e luftëtar të mëdhenj mblidheshin nga vende të ndryshme e kuvendonin për çështje tejet të rëndësishme që kishin të bënin më shumë për atdheun. E këto vende, në të cilat janë mbledhur zakonisht njiheshin si kulla apo oda ku mblidheshin burrat, diskutonin për çështjet e kohës së tyre, por edhe u jepnin zgjidhje problemeve që kishin mes vete. E tillë është edhe kulla e dijetarit të njohur Xhemajl Obria. E vendosur në fshatin Obri të Komunës së Drenasit, kjo kullë pavarësisht se nuk është origjinalja ende ka pjesë që i takonin asaj të vjetrës. E ndërtuar me gurë të mëdhenj, kjo kullë dykatëshe dikur kishte mbledhur dijetarë e luftëtar nga vende të ndryshme për të kuvenduar bashkë me dijetarin Xhemajl Obria. Shqiptarët të cilët kishin vuajtur nën pushtues të ndryshëm, duke mos dashur të gjunjëzohen dhe duke mos njohur traditat e të ardhurve, gjatë shekujve kishin ngritur një sistem të veçantë të drejtësisë. Pleqnarët siç njihen në popull kishin ndërmjetësuar ndërmjet familjeve të hasmuara, për të ardhur deri te pajtimi. Një prej pleqnarëve, apo siç njihen ndryshe krenarëve më të njohur është edhe Xhemajl Obria nga Drenica. Shumë nga thëniet e tij janë dokumentuar edhe në kuadër të mbledhësve të prozës popullore, siç ishte Anton Çetta dhe mbledhës të tjerë. Shqiptarët tani janë krenarë që kanë pasur dikur një sistem të tillë, çfarë e kanë pasur në kohë të hershme edhe popujt e tjerë të qytetëruar. Kulla e Xhemajl Obrisë në Drenas është një dëshmi në kohë e kësaj periudhe. Vesel Xhemajli, 71 vjeç, i cili ishte brezi i katërt që nga Xhemajli, tregon më së miri gjërat që ishin bërë në këtë kullë...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)