Shkëlqim Devolli injoron pranimin e Kosovës në UEFA, sjell Serbinë në Kosovë

  • 12 September 2018 - 19:16
Shkëlqim Devolli  injoron pranimin e Kosovës në UEFA, sjell Serbinë në Kosovë

Është tepër e vështirë ta gjesh qoftë edhe një biznes të Devollëve, që në një formë ose në një tjetër nuk kundërmon korrupsion, konflikt interesi, falsifikim, privatizim të dyshimtë etj., etj. Është e gjatë lista e tyre, homologimi, mielli, gruri, kafja, birra, privatizimet, telefonia mobile... Biznesi i fundit i tyre është bashkëpunimi i Artmotion me Radiotelevizionin e Serbisë dhe Telekomin e Serbisë, në dëm të pavarësisë së Kosovës.

Beteja e gjatë dhe e lodhshme e Kosovës për t'u bërë pjesë e UEFA'së dhe FIFA'së, nën drejtimin e kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri, është hedhur në koshin e plehrave nga kompania Artmotion, e cila përmes RTS'it dhe Telekomit të Serbisë, po blen të drejta televizive për Kosovë, duke e konsideruar shtetin e Kosovës si pjesë të shtetit serb.

Media online ka mësuar se Artmotion, operator kabllor në Kosovë, në mënyrë kundërligjore e ka blerë të drejtën për ta transmetuar Ligën e Kampionëve në territorin e Kosovës, ani pse këto të drejta më herët i kishte blerë kabllori tjetër Kujtesa.

Sipas burimeve, Artmotion, pronë e Shkelqim Devollit, marrëveshjen e ka realizuar përmes RTS'it dhe Telekomit të Serbisë, i cili këto të drejta i kishte blerë për ta transmetuar Ligën e Kampionëve në Serbi.

"Përmes RTS'it, Artmotion do t'i transmetojë ndeshjet në Kosovë, por me komentim në gjuhën serbe", ka thënë ky burim, duke shtuar që në këtë mënyrë, në linjë me politikën serbe, Artmotion, de fakto dhe de jure, e pranon Kosovën si pjesë të Serbisë. 

Një gjë të tillë, në mënyrë të tërthortë, e konfirmojnë edhe punëtorët e këtij kablloviku, kur përgjigjën në pyetjet e qytetarëve në faqen e Artmotion në FB.

Agon Rizvanolli, pjesë e Artmotion, i pyetur për çështjen e Ligës së Kampionëve, thotë se "transmetimi i saj do të bëhet në gjuhën kroate".

 

(Kosova Sot)