Graçanica korrigjon kufirin me Fushë Kosovën - Lajme - Kosova Sot
Graçanica korrigjon kufirin me Fushë Kosovën

Graçanica korrigjon kufirin me Fushë Kosovën

Komuna me shumicë serbe, Graçanica, ka vendosur të propozojë korrigjimin e kufijve me komunën e Fushë-Kosovës, që është me shumicë shqiptare, përcjell Insajderi i Beogradit.

Bëhet fjalë për këtë komunë me shumicë serbe, e cila propozon që një pjesë e territorit të saj t’i bashkëngjitet komunës me shumicë shqiptare, Fushë-Kosovës.

Propozues i këtij vendimi, sipas këtij burimi, është kryetari i Komunës së Graçanicës, Sergjan Popoviq.
Në Komunë të Graçanicës theksojnë se ky korrigjim bëhet në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohen procedura më të lehta administrative meqë jetojnë afër Komunës së Fushë-Kosovës, transmeton Koha.net.

I pyetur nga Insajderi pse Graçanica me popullsi shumicë serbe heq dorë nga një pjesë e territorit të vet, në Komunë theksojnë se po vepron në përputhje me procedurat ligjore për rregullimin e njësive kadastrale. Pohojnë se këtë e kanë kërkuar vetë qytetarët.

Sipas dokumentacionit të cilin ka mundur ta shohë Insajderi, bëhet fjalë për rreth 800 mijë metra katrorë tokë dhe objektesh banimi në territorin e njësive kadastrale Uglar e Preoc.

Numri i saktë i metër katrorëve që do t’i lihet Fushë-Kosovës nuk është bërë publik, por këshilltarëve të Kuvendit u është dërguar materiali në të cilin janë të vizatuara hapësirat e tokës me përshkrim të ngastrave.

 

 

(Kosova Sot)

23 orë e 21 minuta më parë
18/11/18