Berisha: Rama s’ka mend për vete, jo më t’i japë Europës

  • 30 August 2015 - 21:05
Berisha: Rama s’ka mend për vete, jo më t’i japë Europës

Pak orë pas publikimit të intervistës së kryeministrit Rama në gazetën italiane “Il Mattino” ka reaguar ish –kryeministri Berisha, i cili po dëshmon se po ndjek çdo qëndrim të Ramës në lidhje me politikën e jashtme.

Në intervistë Rama foli për krizën e emigracionit me të cilën po përballet BE. Ai tha se Europa e Bashkuar ka humbur në egoizma dhe nacionalizma të vendeve të caktuara dhe e këshilloi atë që të jetë më strategjike.

Më të tilla deklarata, Berisha thotë se Rama i kujton “etërit e tij që i jepnin  mend si budallenj e paranojakë gjithë botës”.

Përsa i përket emigracionit, Berisha thotë se nëse do të organizohej ndonjëherë ndonjë samit i vendeve të eksosit, Ramës i takonte të ulej në krah të Asadit, pasi Shqipëria zë vendin e dytë në botë, pas Sirisë, për numrin e zilkërkuesve.

Berisha kujton se Rama i ka ndryshuar disa herë deklaratat e tij për eksodin dhe thotë se gjithë këtë ai e bën për të mbuluar dështimet në qeverisjen e vendit.

Deklarata e plotë e Berishës

Ata që nuk kanë mend për vete ju japin të tjerëve!

Edi Rama apo piktori deshtak, per te mbuluar deshtimet e tij i jep mend Europes!

Të dashur miq, Edi Rama, piktori dështak cdo kohë që kalon për të mbuluar dështimet e tij në të gjitha fushat bëhet më i rrjedhur, gjithnjë e më shumë të kujton eterit e tij që i jepnin mend si budallenj e paranojak gjithë botës.

Kështu, ai, për tu mbrojtur nga dështimi total i qeverisjes së tij, një dite ju thotë gjermanve se shqiptarët që kërkojnë azil nuk vijnë nga Shqipëria por nga Greqia, çka i detyron ata ta përgenjeshtrojnë të nesërmen, ditën tjetër deklaron se Europës i ka humbur drejtimi i saj apo ka dështuar së mbajturi shpresën meqë shqiptarët po largohen nga Shqipëria drejt Europës, kurse sot dërgon si qortime dhe konstatime se Europa ka humbur në egoizma, nacionalizma, taktika politike dhe elektorale që konsumohen në vende të veçanta.

Të gjitha këto Rama i bën për të mbuluar dështimet e tij të mëdha në ekonomi që bie në rënie të lirë, me kriminalizimin që shkon e lidhet direkt me të, me korrupsionin e shndërruar në sistem, në krye të të cilit ai qëndron, në papunesinë që është rritur me 40%, në varfërinë ekstreme qe është rritur 4 herë, në rrogat, të cilat në raport me inflacionin dhe rritjen e çmimeve të mallrave të ish shportës janë ulur me 12%.

Rama harron se, në rast se nesër organizohet samiti i vendeve të eksodit të qytetareve për shkak të konflikteve dhe keq qeverisjes, ai do të ulej fiks ne krahun e majte te Asadit te Sirise apo do te renditej i dyti fill pas tij per numerin e qytetareve qe largohen dhe kerkojne azil politik per shkak te qeverisjes te keqe dhe te deshtuar te tij, te bazuar ne krimin dhe korrupsionin e tij dhe suites se tij./Lapsi.al.