"Kosova Sot", luftëtare e paepur në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe monopoleve kriminale

  • 14 September 2018 - 08:11
Ishte një lajmëtare e lirisë me reportazhet e luftës, tani është përsëri lajmëtare e informacioneve të sakta e të shpejta

Sipas lexuesve të devotshëm të gazetës "Kosova Sot", kjo gazetë lidere është më e lexuara në Kosovë jo vetëm për shkak të lajmit të shpejtë dhe real, por edhe për konsistencë në shfaqjen e lajmit direkt ashtu si është, jo të bishtnuar apo të anuar politikisht. Sipas tyre, kjo gazetë me vite mban primatin e gazetës më të lexuar dhe me meritë. Lexuesit thonë se është e para dhe urojnë që gjithmonë të jetë e para në lajme të vërteta dhe gjithmonë në shërbim të drejtë të qytetarit. Të anketuarit thonë se pa asnjë dyshim gazeta "Kosova Sot" është i vetmi medium në vend që në vazhdimësi, që nga lufta e deri më sot, e pati guximin ta thotë të vërtetën në procesin skandaloz të privatizimit që ka ndodhur në Kosovë dhe që ka qenë fatal për ekonominë e vendit, duke i ndriçuar me këtë rast përvetësimet e pasurisë së shtetit
 
Image

Ramiz Bojaj, publicist (SHBA) "Kosova Sot" me përgjegjësi të lartë kreu detyrat e veta informative e profesionale, ku me plot meritë mban kurorën e medias kreatore në vend. Asgjë nuk ka kaluar pa sfidë e sakrificë. Por e vërteta, realja dhe e sakta mbijetojnë përgjithmonë, rriten e kultivohen me vite e dekada. Për 20 vjet me radhë gazeta gjithëshqiptare e përditshme "Kosova Sot" ishte dhe mbetet dritare e hapur për informim objektiv, të saktë dhe të paanshëm. Besueshmëria e audiencës publike është barometri më i saktë se kjo e përditshme është mishëruar me qytetarin e Kosovës dhe më gjerë, duke qenë shoqëruese e tij në mëngjes e mbrëmje. Ashtu siç kemi nevoje për bukën dhe ujin e përditshëm, ashtu kemi nevojë edhe për lajmet e përditshme, natyrisht për lajmet e sakta, të vërteta e të paanshme, të cilat mund t'i gjejmë në faqet e të përditshmes 'Kosova Sot', por tashmë edhe 'online'. Natyrisht të qëndrosh i paanshëm dhe objektiv në këtë kohë, kur mori mediumesh, janë në shërbim të klaneve mafioze e kriminale, në shërbim të interesit klanor, politik e partiak, nuk është edhe e lehtë, por 'Kosova Sot' ka zgjedhur të jetë e paanshme, me ndershmërinë dhe besueshmërinë e dëshmuar, duke bashkëjetuar ngushtë dhe me çdo familje të qytetarëve të shtetit të ri, Republikës së Kosovës. Askush sikur 'Kosova Sot' nuk i ka shpallur asnjë tjetër luftë krimit e korrupsionit: gjykatave të politizuara e të njëanshme, të cilat u shërbyen klaneve mafioze e jo drejtësisë; krimit të organizuar ekonomik e politik: uzurpimit të korporatave publike nga më të fortit e pushtetit: bizneseve klandestine dhe nëpërkëmbjes së produkteve vendore: nepotizmit nëpër institucione publike e universitare, si dhe demaskimin e mashtruesve të shumtë, të cilët e kanë sjellë një jetë të rëndë, veçmas për gjeneratën e re. Por, shpresa mbijeton duke qëndruar në ndërlidhje me gazetën 'Kosova Sot', sepse ky medium është në aleancë të përjetshme me qytetarin, të cilat së bashku do ia dalin ta çrrënjosin korrupsionin, padrejtësinë, krimin e organizuar dhe bandat oligarkike parapolitike e të nëntokës. Pra Kosova rritën e vet shteformuese e ka me të përditshëm 'Kosova Sot', andaj kjo gazetë mbetet një tribunë për publikun, që e thotë saktë fjalën e tij, mendimin e tij, dëshirën e tij si dhe ambiciet e tij. Rrugëtimi i fjalës shqipe vazhdon bashkë me gazetën 'Kosova Sot', ku qytetari, gazetarët, stafi, bashkëpunëtorët e në veçanti audienca publike mbeten aleatët më të besueshëm, në rrugëtimin, sfidat dhe proceset në të cilat po kalon shteti ynë i ri, bashkë me popullin më të vjetër në Ballkan - shqiptarët. Urojmë që edhe në 100-vjetorin e pavarësisë së Kosovës të festohet bashkë me të përditshmen "Kosova sot".
 

Image

Lexuesit nga Prizreni: Ka ruajtur kontinuitetin dhe pavarësinë e vet Nysret Durmishi, afarist "Kosova Sot është gazeta më e pavarur, e cila deri më tani në përhapjen e lajmet ka qenë e pandikuar nga asnjë parti politike, e ka ruajtur kontinuitetin dhe pavarësinë e vet. Edhe përkundër faktit që disa klane mediale janë munduar ta përdhosin,e drejta gjithmonë triumfon.
 

Image

Blerim Çoçaj Gazeta "Kosova Sot" vazhdon të ketë rol në ngjarjet e rëndësishme që po zhvillohen brenda shoqërisë në vend. Fatkeqësisht, shumë medie sot në Kosovë në shumë raste janë edhe burim informacioni i ndikuar nga pushteti dhe grupet e tjera të interesit, ndërsa gazeta "Kosova Sot", fatmirësisht, ka arritur të ruajë me profesionalizëm pavarësinë e saj. Për dy dekada kjo gazetë tregoi plot frymëzim e përkushtim, përkundër rrethanave jo të mira. Prandaj, uroj që "Kosova Sot" të ketë sa më shumë suksese e datëlindje!
 

Image

Reshit Kushaj, zyrtar i lartë në DKA në Prizren "Kosova Sot" gjithmonë është gazeta më e lexuar në Kosovë, jo vetëm për shkak të lajmit të shpejtë dhe real, por edhe për konsistencën në shfaqjen e lajmit direkt ashtu si është, jo të bishtnuar apo të anuar politikisht. Kjo gazetë me vite mban primatin e gazetës më të lexuar dhe me meritë. Është e para dhe uroj që gjithmonë të jetë e para në lajme të vërteta dhe gjithmonë në shërbim të drejtë të qytetarit. Ishte një lajmëtare e lirisë me reportazhet e luftës, tani është përsëri lajmëtare e informacioneve të sakta e të shpejta.
 

Image

Ymer Berisha, zyrtar i Komunës së Prizrenit Gazeta "Kosova Sot" ka kontribuar në shumë dimensione në këto njëzet vjet të rrugëtimit të saj, duke ndarë fatin e saj së bashku me proceset e ndryshme që kaloi edhe shoqëria jonë. Informimi i drejtë, mbrojtja e interesave të përgjithshme qytetare, formimi kulturor dhe intelektual i shtresave të ndryshme, edhe atyre politike e akademike, janë rezultate evidente që ka mbajtur aktive kjo medie me qasje pragmatike, profesionale informuese. 

 

Image

Sportistët: Një ndihmesë e madhe për sportistët Erdin Hashani, trajner Jemi me fat që e kemi pasur një gazetë si "Kosova Sot" që 20 vjet, duke e ditur se Kosova në çfarë vështirësi ka kaluar dhe kjo gazetë ka arritur me mbijetuar. Është sulmuar e shantazhuar, madje nga okupatori edhe është djegur, por gazeta "Kosova Sot" ka arritur t'i sfidojë të gjitha vetëm që të jetë afër popullit të vet. Unë si sportist mund të flas në këtë aspekt më shumë dhe them se ishte një ndihmë e madhe për çdo sportist, nëse jo në mënyrë direkte, në atë indirekte gjithsesi, sepse ka qenë mbështetje për çdo sportist, dhe pasi kam qenë vetë futbollist them në veçanti për çdo futbollist. Unë u uroj dhe përgëzoj që keni mbërri në dy dekada dhe uroj që të arrini edhe shumë dekada të tjera, pasi vërtet jeni më e mira për sportin tonë.

 

Image

Mentor Zhdrella, futbollist Prej fillimit të karrierës sime, gjithmonë gazetë "Kosova Sot" më ka mbështetur, kështu që unë i jam mirënjohës kësaj gazete. Gazeta "Kosova Sot" është shumë e privilegjuar tek sportistët, pasi gjithmonë e ka pasqyruar realitetin. Ju uroj 20- vjetorin me shpresë që të keni edhe shumë përvjetorë të tjerë, pasi vërtet gazeta "Kosova Sot" ka qenë shumë korrekte me sportin e në veçanti futbollistët, ku i ka mbështetur edhe në kohët më të vështira. E dimë që si medium jeni përballur me shumë vështirësi, por ju ia dolët, për çka ne si sportistë duhet t'ju përgëzojmë dhe t'ju mbështesim vazhdimisht.

 

Image

Albert Kastrati, kryetar i "Plisave" Para se t'ju uroj për 20- vjetorin gazetës "Kosova Sot", unë ju falënderoj për mbështetjen që na keni dhënë neve si tifozë të Prishtinës, "Plisat". Gazeta "Kosova Sot" ka qenë një mbështetje e madhe për sportin, por edhe për tifozët, kështu që është kënaqësi që jeni në mesin tonë. Uroj të festoni edhe shumë përvjetorë të tjerë në mesin e sportistëve.

 

Image

Genc Nuza, gjyqtar i FIFA-s Fillimisht ju uroj 20- vjetorin e mediumit tuaj dhe tonit "Kosova Sot", e cila gjithmonë e paraqet realitetin e sportit kosovar, fakt ky që është shumë i rëndësishëm për funksionimin e një mediumi, por edhe të sportit. Kjo gjë ndërlidhet edhe me punën tonë si gjyqtar, ku puna jonë është shumë e ndjeshme dhe normalisht kemi nevojë të paraqitet në mënyrë korrekte realiteti që ndodh nëpër terrenet sportive. Unë ju falënderoj për punën korrekte që keni bërë deri tash, me shpresë se do të vazhdoni edhe në të ardhmen të jeni afër sportit dhe ta paraqitni atë në mënyrë reale para lexuesve tuaj. Ju uroj edhe shumë përvjetorë të tjerë më shumë suksese.

KËNGËTARËT:

 

Image

Dafina Dauti, këngëtare Ishte pikërisht "Kosova Sot" dritare e artistëve mbarëshqiptar, ishte ajo që na mbajti gjallë krijimtarinë tonë si artistë ndër vite dhe me respektin më të madh i uroj jetëgjatësi kësaj dritareje të artë të artistëve. Ju prift e mbara gjithmonë.

 

Image

Pandora, këngëtare Me shumë respekt, sot dua të bëj një urim për një gazetë, e cila është ndër të rrallat gazeta, e tanimë dhe me portalin Kosova-Sot.info, që sadopak dhe pa asnjë shpërblim ( pagesë etj..), e ka mbështetur aktivitetin tim, e kjo është gazeta "KOSOVA SOT", e cila sot feston 20-vjetorin, e unë i uroj që të mbërrijë edhe shumë e shumë 20-vjetorë të tjerë bashkë me gjithë stafin e saj, shumë suksese dhe punë të mbarë.

 

Image

Malësor Prënkoçaj, këngëtar Unë e kam lexuar gazetën "Kosova Sot" prejse kam ardhur në studime në Prishtinë. Ishte dhe mbetet burim i informimit të mirëfilltë dhe të saktë, në çdo kohë. Çdo herë ka qenë më se kënaqësi për mua kurdo që kam pasur rastin me dhënë intervista për "Kosova Sot". Urime 20- vjetorin, me shpresë që kjo gazetë të vazhdojë me punën e shkëlqyeshme siç ka qene deri më sot. Me nderime e respekte". 

 

Image

Drenusha Latifi, këngëtar "Kosova Sot" ka qenë një gazetë që mua më ka përkrahur në fillimet e karrierës sime, dhe për mua ka qenë shumë e rëndësishme të kem përkrahjen mediale, sidomos në kohën kur unë ju futa shoubizit, atëherë nuk ishte interneti aktiv, dhe gazeta "Kosova Sot" ishte ajo që shkruante shumë shpesh, dhe i mbante në dijeni për të arriturat e mia lexuesit si dhe adhuruesit e mi. Andaj, në këtë 20- vjetor, unë vazhdoj t'i uroj të gjitha të mirat stafit të gazetës dhe gjithë gazetarëve që punuan dhe vazhdojnë të punojnë sot, suksese dhe të gjitha të mirat. 

 

Image

Naser Berisha, këngëtar Sikur të kishte më shumë gazeta të tilla, siç është "Kosova Sot", ndoshta së paku gjendja në kulturë do të ishte shumë më mirë, pikërisht për shkak të përkrahjes së artistëve të mirëfilltë.

(Kosova Sot)