BE takim të jashtëzakonshëm për krizën e emigrantëve

  • 31 August 2015 - 09:38
BE takim të jashtëzakonshëm për krizën e emigrantëve

Më 14 shtator, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian janë ftuar në një takim të jashtëzakonshëm, për të diskutuar mbi krizën e emigrantëve.

Takimi do të zhvillohet në Luksemburg, i cili mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian.  Autoritet, përmes një deklarate kanë kërkuar që Europa duhet të ketë një përgjigje përballë këtij fluksi të madh emigrantësh. Sipas Luksemburgut, situata e migrimit brenda dhe jashtë kufijve të Bashkimit Europian është duke marrë përmasa të mëdha.

Në deklaratë thuhet: “Për të vlerësuar situatën, veprimet politike dhe për të diskutuar hapat që duhet të ndërmerren, ministri i Imigracionit dhe Azilit, Jean Asselborn ka vendosur të thërrasë një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të JHA-së”.

Zakonisht ky këshill mblidhet çdo tre muaj, dhe është Këshilli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme. Këshilli i JHA-së përbëhet nga ministrat e Brendshëm ose të Drejtësisë të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, transmeton Shekulli.

“Takimi do të fokusohet në politikën e bashkëpunimit ndërkombëtar, hetimit dhe masat që duhet të ndërmerren për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore si dhe kthimin e emigrantëve”, citohet në deklaratë.