Kostoja e ndryshimit të TVSH-së bie mbi bizneset

  • 31 August 2015 - 12:42
Kostoja e ndryshimit të TVSH-së bie mbi bizneset

Ndryshimi i normave të TVSH’së po u kushton bizneseve kosovare. Ata po pretendojnë se përveç ngarkesave fiskale nga Qeveria janë edhe duke u plaçkitur edhe nga kompanitë e arkave fiskale.

Rrustem Nika, që ka mbi vete disa kompani të sigurimeve dhe kontroll teknik është dashur të paguaj kosto shtesë vetëm për të ndryshuar shifrën e TVSH’së nga 16 për qind në 18 për qind. Nika për këtë shërbim në kompaninë “Gekos” ka paguar fiks 29 euro.

Për të cilat para i thotë se nuk ka marrëveshje për ti paguar dhe se e konsideron si plaçkitje.

“Nuk kemi marrëveshje me askënd për këtë shërbim. Aty nuk kishte punë as dy minuta, dhe kompaninë në fjalë me detyroi që ti paguaj edhe 29 euro. Nuk e di për çfarë u dashtë ta bëjë këtë pagesë. Rimbursimi dhe mirëmbaja e akrave është marrëveshje në vete. Për këtë shumë të parave nuk jemi marr vesh me askënd”, ka thënë ai.

Janë edhe disa dokumentet që ky biznesmen ka paguar në kompaninë “Gokos” gjatë ditës së hënë.

11982412_10207717742005852_2088847521_oKestrin Kumnova, zëdhënës i katër kompanive te licencuara për pajisje fiskale, ka thënë për gazetën Fjala se pas ndryshimit të ligjit për TVSH nga ana e Ministrisë së Financave, bizneset janë të obliguara të bëjnë ndryshime teknike në pajisje fiskale dhe kompanitë e licencuara e ofrojnë këtë shërbim me pagesë prej 25 euro plus TVSH.

“Këtë pagesë për servisim janë të obliguara ta bëjnë një numër kryesisht i vogël i bizneseve pasi ato biznese që tash e kanë kohën e kontrollës periodike vjetore dhe ato biznese që posedojnë pako të garancionit këtë shërbim e kanë falas”, ka thënë ai.

Kumnova ka treguar se çdo ndërhyje në pajisje fiskale duhet të bëhet përmes teknikëve të autorizuar për shkak të rëndësisë dhe të dhënave që përmban pajisja fiskale.

“Sikurse paguhet për çdo servisim të pajisjeve elektronike (sikurse telefonat, kamerat, televizioret etj) edhe për pajisjet fiskale caktohen pagesa të servisimit që në këtë rast janë minimale”, ka thënë ai.

Ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind për produktet bazike dhe rritje të TVSH-së nga 16 për qind në 18 për qind për produktet tjera, që fillon të zbatohet nga 1 shtatori, obligon bizneset që të bëjnë ndryshimet teknike në pajisjet fiskale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka kërkuar nga bizneset, që të bëjnë rregullimet e nevojshme në programet e tyre dhe të vendosin normat e reja, në pajisjet elektronike fiskale.

E për këtë ndryshim, bizneset duhet të paguajnë një shumë të mjeteve materiale te kompanitë e licencuara të arkave fiskale

Ndryshe, shumë biznese e kanë neglizhuar procesin e pajisjeve me arka fiskale. Mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese.

Një ndër arsyet e ikjes së fiskalizimit, sipas pronarëve të bizneseve, është çmimi i lartë për blerjen e një aparati fiskal, si dhe çmimi vjetor, siç ka qenë deri më tash, për mirëmbajtjen e tyre.

Por, me qëllim të përshpejtimit të përfundimit të procesit të fiskalizimit të operatorëve ekonomikë, Ministria e Financave, në fillim të këtij viti, ka miratuar një udhëzim administrativ për pajisjet fiskale, udhëzim ky që ul çmimin e fiskalizimit. Po ashtu, edhe kontrolli teknik i pajisjeve nuk do bëhet çdo 12 muaj, por çdo 24 muaj, me një vlerë më të vogël financiare.

Sipas analizës së Institutit GAP, buka, si produkt që përbën rreth 2.75% të shportës së konsumatorit, pritet të lirohet për 2 centë, disa produkte do të lirohen deri në 17 centë, ndërsa energjia do të lirohet për 0.5 centë kilovat orë.

Por, në anën tjetër, thuhet në këtë analizë, mishi si produkt i rëndësishëm ushqimor pritet të shtrenjtohet në mesatare për 9 centë për kg, transmeton gazeta Fjala.

Produktet tjera ushqimore, të cilat priten të shtrenjtohen janë patatet, domatet, fasulet, kafja, çaji dhe sheqeri.

Derisa, derivatet e naftës, të cilat përbëjnë rreth 3% të shportës së konsumatorit (madje më shumë se buka) do të rriten për rreth 2 centë litri.