Guraziu: Presidenti si Esat Pasha

  • 18 September 2018 - 14:30
Guraziu: Presidenti si Esat Pasha
 Analisti politik Ragip Guraziu vlerëson se Kosova nuk guxon të futet në pazare kaq të rrezikshme, saqë duke shitur territor, konkretisht duke i falur Serbisë, të kërkojë ulësen në OKB, sikur që po pretendon ta bëjë tani Hashim Thaçi. "Fitimi i ulëses në OKB në këtë mënyrë, sikur po dëshiron ta bëjë Hashim Thaçi, Kosovës do t'i kushtojë shtrenjtë. Pra, presidenti Hashim Thaçi me qasjen e tij të gabuar po e degradon shtetin e Kosovës për interesat personale të tij. Ai duhet sa më shpejt të ikë nga politika se e ka fëlliqur tej mase atë vetëm e vetëm duke kërkuar rrugë dhe mjete se sit të shpëtojë nga Gjykata Speciale, apo nëse rrezikohet seriozisht nga kërcënimet e brendshme prej qytetarëve, mbase do të dalë Erdogani që ia ka siguruar azilin politik dhe me Serbi, edhe Rusi dhe Kinë e kështu me radhë, Thaçi në historinë kombëtare do jetë një Esat Pasha i dytë për tradhti kombëtare", u shpreh ai.

PRIVATIZUESI I SHTETIT "Po duket që tani se Hashim Thaçi po sillet sikur ta ketë privatizuar kaherë shtetin e Kosovës, shtet i cili tani po ngjan sikur një 'leckë' e klanit 'Pronto', duke vazhdua të insistojë në lojë bixhozi me territore, madje edhe duke bërë zëdhënësi besnik i Aleksandar Vuçiqit në Kosovë. Konsideroj se është një kalkulim tepër i gabuar i Hashim Thaçit, sepse anëtarësimi në OKB kalon nëpër Këshillin e Sigurimit, ku Rusia dhe Kina janë kundërshtare të pavarësisë dhe sado që supozojmë se Kina do të moderohet në qëndrimin e saj, askush nuk garanton se Rusia do ta mbështeste anëtarësimin e një shteti të ri, të vogël, nga Ballkani, në OKB", theksoi Ragip Guraziu për "Kosova Sot"