Preteni: Politika me prokurorinë së bashku i futën emrat e disa veteranëve të vërtetë vetëm për të krijuar huti e mjegull!

  • 18 September 2018 - 15:17
Preteni: Politika me prokurorinë së bashku i futën emrat e disa veteranëve të vërtetë vetëm për të krijuar huti e mjegull!
Sipas ish-kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tanimë çdo ditë po dëshmohet se si funksionon "drejtësia" në Kosovën e kapur ashpër nga politika, krimi dhe korrupsioni."Mbetem pranë konstatimit se gjithçka është politike dhe se politika me dy duart e ka kapur fort "drejtësinë". Rasti i veteranëve është dëshmia e fuqishme për këtë, politika e minimizojë, politika e riaktualizojë, por politika ndërhyri në listën e të atakuarve. Prokurori Blakaj i evidentoi rreth 19000 raste dhe tani doli lista me 2000 emra më shumë, ndërhyrja e bëri të veten. Kjo u bë me qëllim të denigrimit personal të prokurorit dhe me qëllim të zhvlerësimit të listës, politika me prokurorinë së bashku i futën emrat e disa veteranëve të vërtetë vetëm e vetëm për të krijuar huti e mjegull", u shpreh ai."Tani politika po paralajmëron edhe "reagim qytetar". Kjo është gjithçka një farsë e planifikuar mirë. Ky rast është dëshmia kryesore se si kontrollohet "gjyqësori", si vepron për interesin e kupolës politike në vend", vijoi më tej Preteni. "Me një qasje të tillë nuk ka shanse që në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të ketë progres apo lëvizje sadopak të vogla pozitive. Është bllokadë e tërësishme. Derisa pagat e mira dhe privilegjet e tjera ishte dashur të jenë frymëzim dhe motivim për punë të mirë dhe të pavarur, fatkeqësisht po ndodh e kundërta", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".