ZEQA: VUÇIQ PO E SHET IDENË E SHKËMBIMIT TË TERRITOREVE PËRMES ZËDHËNËSIT TË TIJ NË KOSOVË, HASHIM THAÇIT

  • 18 September 2018 - 18:12
ZEQA: VUÇIQ PO E SHET IDENË E SHKËMBIMIT TË TERRITOREVE PËRMES ZËDHËNËSIT TË TIJ NË KOSOVË, HASHIM THAÇIT

Sipas analistit politik Florim Zeqa, ideja për shkëmbim të territoreve me Serbinë nuk është ide e Hashim Thaçit. Ai thotë se si e tillë kjo ide ka qarkulluar në opinion që nga fillimvitet e '90-ta, e lansuar nga qarqet millosheviqiane të Serbisë dhe është shkatërrim i shtetit të Kosovës. "Riaktualizimi i kësaj teme është bërë sërish nga ish-nxënësi i Milosheviqit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili po e shet këtë ide në tregun politik përmes zëdhënësit të tij në Kosovë, Hashim Thaçi, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, aktualisht i ashtuquajtur president i vendit tonë", u shpreh ai. "Pas privatizimit të shtetit dhe monopolizimit të plotë të institucioneve shtetërore, dhe pas bërjes "leckë" të sistemit të drejtësisë nga ana e Hashim Thaçit dhe klanit "Pronto", tani po insistojnë edhe që ta cungojnë territorin e Kosovës për interesa puro kriminale, për ta shpërblyer Serbinë armike! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur insistohet pamëshirshëm t'i jepen Serbisë resurset ujore (Ujmani) dhe pasuritë nëntokësore ('Trepça') në këmbim të një pjese të Luginës së Preshevës dhe një ulëse të premtuar në OKB. Edhe sikur të kishim garanci, të cilat në fakt as që do t'i kemi ndonjëherë për anëtarësim në OKB, shkëmbimi territorial nuk do të ishte aspak një ide e mirë, por me pasoja tejet negative për Kosovën", vlerësoi Zeqa për "Kosova Sot". "Dhënia e veriut (Ujmanit e 'Trepçës') në këmbim të marrjes së Luginës së Preshevës do ta nxirrte Serbinë fituese absolute, ngase të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi nuk janë bërë për popull, por për territore, përkatësisht pasuri nëntokësore dhe resurse natyrore të rëndësisë strategjike. Kështu Serbia gjakatare, edhe pas 25 viteve, falë arrogancës dhe injorancës së Hashim Thaçit dhe sejmenëve të tij, arriti ta rikthejë në agjendën evropiane ndarjen e Kosovës, ndërsa ky i fundit sikur është bërë një kuisling e lobuesi kryesor i Beogradit, kësaj radhe nga pozita e presidentit të Kosovës! Edhe më të dëmshëm se vetë presidenti Thaçi në këtë aventurë politike janë disa prej mediave nën kontrollin e presidentit, të cilat në forma të ndryshme po e promovojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, përmes të ashtuquajturve "analist", që me pompozitet promovojnë raportet miqësore të Thaçit me Vuçiqin, duke e quajtur këtë të fundit mik të Kosovës. Ujku qengj nuk bëhet!", tha Zeqa për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)