Takimi i fundit, çfarë bisedoi Donald Lu me kryeprokuroren Arta Marku

  • 18 September 2018 - 18:31
Takimi i fundit, çfarë bisedoi Donald Lu me kryeprokuroren Arta Marku

Ditën e djeshme ish Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu ka kryer dhe një takim të fundit me kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Njoftimi është bërë publik këtë të martë nga ana e Prokurorisë, e cila thekson se në fokus të takimit ka qenë përvijimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese amerikane dhe Prokurorisë shqiptare.

NJOFTIMI I PROKURORISË

Më datë 17 shtator 2018, Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku priti në një takim përshëndetës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, i cili përfundoi mandatin në Shqipëri, zëvendësambasadoren e re Leyla Moses-Ones si dhe zyrtarë të OPDAT-it.

Prokurori i Përgjithshëm dhe zyrtarët amerikanë theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori Lu vlerësoi maksimalisht rolin, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e Prokurorit të Përgjithshëm Arta Marku, në një periudhë të rëndësishme për zbatimin e legjislacionit të ri të reformës në drejtësi.

Prokurori i Përgjithshëm i uroi punë të mbarë zotit Lu në detyrën e re dhe çmoi rolin e tij dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara për promovimin, hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi.

Njëkohësisht, Prokurori i Përgjithshëm i uroi mirëseardhjen në Shqipëri zëvendësambasadores së re znj. Leyla Moses-Ones, duke theksuar vendosmërinë për thellimin e punës së përbashkët për të ardhmen, në luftë kundër kriminalitetit.



(Kosova Sot)