Pa u dhënë hise oligarkëve, nuk ka shans për investime

  • 18 September 2018 - 08:04
Pa u dhënë hise oligarkëve, nuk ka shans për investime
Investitorët kushtëzohen nga çdo nivel pushteti 

"Investitorët e huaj janë ata që gjithmonë po dalin viktimë e pushtetit komunal. Kjo, ngase nëse një biznesmen i huaj vjen në Kosovë të ndërtojë ndonjë fabrikë apo për ta hapur një biznes ku do të punësoje rreth 60 punëtorë, pushteti komunal i kërkon edhe 10 për qind për xhepin e tyre. Gati mund të thuhet se kushti për të hyrë në Kosovë dhe për të investuar është që fillimisht të japësh haraç për pushtetarët e të dyja niveleve dhe vetëm më pastaj mund të vijnë investimet serioze", thotë Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe Qeverinë "Haradinaj", kanë dështuar në aplikimin e masave të reja fiskale që mund të nxitnin investimet e huaja. Ndërkaq, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe deputetëve të Kuvendit, e tëra kjo po ndodh, ngase Kosova nuk po ofron lehtësira serioze, por periferike për kapitalin e huaj. Sipas njohësve të kësaj fushe, thuhet se në fakt investitorët e huaj dhe as ata vendore, nuk mund ta mendojnë biznesin e tyre në Kosovë pa bërë hisedarë oligarkët e pushtetit, pasi, sipas tyre, në të kundërtën po qe se pushtetarët nuk janë aksionarë të fshehtë, nuk ka asnjë shans për zhvillim të asnjë lloj të biznesit në Kosovë. Lidhur me çështjen, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma ), për gazetën "Kosova Sot", thotë se çdo qeveri në Kosovë do të dështojë në masat e reja fiskale që nxitnin investimet e huaja, pa pasur një sundim të mirëfilltë të ligjit dhe pa këtë parakusht është shumë e vështirë që të vijnë investimet e huaja. "Edhe nuk duhet që të çuditemi fare se përse në ekonominë e Kosovës mungojnë investimet e huaja në sektorë të ndryshëm. Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat e bizneseve dhe atyre ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë. Andaj, kjo është edhe arsyeja se përse viteve të fundit kemi pasur një rënie drastike të investimeve", vijoi më tej Hoti.

Qasja negative ndaj investitorëve
Bankieri Milazim Abazi, për gazetën " Kosova Sot', thotë se Kosova nuk është keq me ligje të aprovuara, e as me pakon fiskale sa i përket përkrahjes së investimeve. Sipas tij, kryeministri Haradinaj ka qëndrim miqësor ndaj investimeve private si të vendit, ashtu edhe të huaja, por kjo porosi e kryeministrit, fatkeqësisht, ende nuk ka depërtuar sa duhet tek ministrat, entet rregullatore, Autoriteti i Konkurrencës dhe te vetë komunat. "Ende Administrata Publike e Kosovës nuk e ka kuptuar nevojën për një qasje miqësore ndaj investimeve private. Administrata Publike e Kosovës akoma po vazhdon me avazin e vjetër të neglizhimit të kërkesave të investitorëve", u shpreh ai. "Qeveria duhet që krahas angazhimit në zgjedhjen e problemeve politike dhe të dialogut me Serbinë të punojë shumë më tepër në përmirësim të klimës së biznesit dhe të investimeve. Derisa në vendet fqinje fondet e Bashkimit Evropian kanë depërtuar në çdo ndërmarrje prodhuese deri në 60 për qind të investimeve, në Kosovë këto fonde ende kanë depërtim minimal, kjo edhe për fajet e opozitës që nuk po i aprovojnë pakot e nevojshme të përafrimit me BE-në. Kur është në pyetje shfrytëzimi i fondeve përkrahëse për ekonominë e vendit duhet të harrohen inatet politike dhe të gjithë të bëhen unik", vlerësoi Abazi

MAFIO-OLIGARKËT VENDOSIN
"
Në parim Kosova ka bazë ligjore dhe infrastrukturë, por grupet mafio-oligarkike janë ato që e vendosin për çdo investim që e dëmtojnë ekonominë e tregut, duke bërë shumë biznese që të largohen nga Kosova, sepse ligji dhe çekani i drejtësisë nuk është i njëjtë për të gjithë dhe si rezultat po pëson ekonomia në vend, e cila reflekton në punësim dhe në mirëqenie të qytetarit. Përderisa në Kosovë ligjin e bëjnë grupet joformale, ende Kosova do të jetë larg kushteve të të bërit biznes që për ekonominë e Kosovës është e dëmshme", u shpreh Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot".

MBI 20 MIJË BIZNESE TË SHUARA
"
Që nga viti 2001 deri në vitin 2017, aktivitetin e tyre ekonomik e kanë shuar 20,250 biznese kosovare, si pasojë e kushteve të vështira për të bërë biznes, dhe ky trend i mbylljes ka vazhduar edhe në vitet në vijim. Pra, 1,589 biznese i dhanë fund aktivitetit të tyre vetëm në vitin 2017, shifër kjo alarmuese për institucionet e vendit, prandaj duhet hartuar politika më afatgjata strategjike për mbështetjen e ndërmarrjeve të rrezikuara nga falimentimi, pauzat tatimore, lehtësirat në qasje në financa, këshillat profesionale janë vetëm disa nga faktorët që kishin me dhënë rezultat pozitiv. Numri i bizneseve që shuhen për një vit është shumë i madh dhe është shumë shqetësues për bizneset në përgjithësi dhe për ekonominë e vendit. Shuarja e bizneseve është një fakt që tregon se në Kosovë nuk ka kushte të favorshme për biznes dhe se bizneset nuk përkrahen sa duhet, pra nuk kanë lehtësime që do të duhej t'i kishin në veprimtarinë e tyre", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot".

Nuk ka reforma, bilancet negative
Analisti Luzim Beqiri, për gazetën " Kosova Sot", thotë se investimet e huaja direkte konsiderohen një nga mënyrat e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe hapjes së vendeve të punës. "Por, në këtë aspekt Kosova vazhdon të ketë bilance negative. Pra, interesimi i investitorëve të huaj vazhdon të bjerë nga viti në vit. Sipas ekonomistëve, ky është një lajm shumë i keq për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, por edhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. E gjithë kjo po ndodh, edhe pse Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, por u mbetet institucioneve kompetente që të krijojnë një ambient të mirë për t'i tërhequr investitorët, e jo të bëjnë të kundërtën", potencoi ai. "Një ndër detyrat e para të Qeverisë së ardhshme të Kosovës mbetet përmirësimi i reformave dhe kushteve, si dhe eliminimi i barrierave aktuale, me të cilat përballen investitorët potencialë. Shteti i Serbisë po përdor çdo metodë për ta diskredituar ekonominë e Kosovës dhe se ka pasur shumë raste kur shteti serb ka ndërhyrë në sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke dhënë mesazhe negative në mediet ndërkombëtare, kemi rastin e Brezovicës, 'Trepçës', pastaj mosanëtarësimi në UNESCO, propaganda serbe dhe ruse në OKB etj. Pra, e keni parasysh që Kuvendi i Kosovës është bërë arenë e 'gladiatorëve', thuajse aty bëhet luftë, në njërën anë opozita dhe në anën tjetër kryeneçësia e Qeverisë së vjetër, por pa anashkaluar edhe Qeverinë e re. Kosovës i duhet një ndërrim i metodologjisë udhëheqëse, kjo garniturë aktuale nuk ka kapacitete të rritë interesimin e investitorëve të huaj, për këtë vendit i duhet një sistem tjetër i zhvillimit ekonomik", vijoi më tej analisti Beqiri. "Jemi dëshmitarë se si kompanitë e shteteve mike investimet e tyre i kanë orientuar nga Serbia, për shkak të klimës më të mirë të të bërit biznes, dhe kjo aspak nuk po i shqetëson politikanët kosovarë. Bizneset që veprojnë në Kosovë përballen me vështirësi të shumta dhe nga më të ndryshmet, si procedurat burokratike, konkurrenca jolojale, kamatat e larta, mungesa e energjisë elektrike, moszgjidhja e shpejtë e kontesteve gjyqësore dhe shumë probleme të tjera. Këto probleme dhe vendosja e arkave fiskale po ndikojnë që shumë biznese të ndërpresin veprimtarinë e tyre", ka potencuar ai.  

Mjedis biznesor katastrofal
Eksperti i fushës së Financave, i shkolluar në Angli Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot", tha se investimet në Kosovë nuk mund të rriten me çfarëdo mase fiskale që Qeveria mund të ndërmarrë për faktin se shkaqet për mungesë të investimeve nuk janë masat fiskale. "Shkaqet pse nuk kemi investime në Kosovë është mjedisi për të bërë biznes. Mjedisi për të bërë biznes është me shkallë shumë të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, dhe me shkallë tepër të ulët të zbatueshmërisë së ligjit. Ka mbi 10 vjet që e kemi këtë mjedis për të bërë biznes", thekson ai. "Pandryshueshmëria e këtij lloji mjedisi për të bërë biznes është e lidhur me faktin tjetër që kemi individë të njëjtë në krye të institucioneve më të larta të shtetit, që dëshmon për konsolidim të kontrollit të institucioneve tona nga individë dhe struktura të organizuara", vlerësoi Meha. Kurse, analisti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot", tha se keqqeverisja në Kosovë nga grupet mafiooligarkike nuk kanë disponim për një shtet ligjor, ku ligji është fjala e fundit, por ligjin e bëjnë grupet e afërta me politikën. "Me këtë nivel të bërit biznes në Kosovë për investitorin e huaj, Kosova është vend joatraktiv për të zhvilluar aktivitetin biznesor", potencoi ai.

Me haraç nuk ka investime
Analisti Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot', thotë se kjo Qeveri, por edhe ato të mëparshmet, kanë dështuar plotësisht në aplikimin e masave të reja fiskale. "Qeveria aktuale duhet të fillojë aplikimin e këtyre masave nëse dëshirojnë që investimet e huaj nga investitorë të huaj dhe shqiptarët që jetojnë në Diasporë të investojnë lirshëm dhe pa kurrfarë frike ose rreziku nga falimentimi ose haraçi", u shpreh ai. "Investitorët e huaj janë ata që gjithmonë po dalin viktimë e pushtetit komunal. Kjo, ngase nëse një biznesmen i huaj vjen në Kosovë të ndërtojë ndonjë fabrikë apo për ta hapur një biznes ku do të punësoje rreth 60 punëtorë, pushteti komunal i kërkon edhe 10 për qind për xhepin e tyre", potencoi Grapci. "Që nga kontakti i parë i drejtpërdrejtë i të dyja palëve, kërkesa e parë e pushtetarëve tanë ndaj investitorëve të huaj është kërkesa e tyre për marrje të mitës, por edhe zhvatja e tyre, në formën e kërcënimit, ndaj investitorëve të huaj", vlerësoi ai. Sipas Grapcit, gati mund të thuhet se kushti për të hyrë në Kosovë dhe për të investuar është që fillimisht të japësh haraç për pushtetarët e të dyja niveleve dhe vetëm më pastaj mund të vijnë investimet serioze.  

(Kosova Sot)