Skandali i veteranëve dëshmoi MJERIMIN E DREJTËSISË

  • 19 September 2018 - 07:38
Skandali i veteranëve dëshmoi MJERIMIN E DREJTËSISË

Miftari: Shtrohet pyetja se për çfarë ligji apo rendi punojnë sot Prokuroria e Shtetit, gjyqësia, Policia, Inteligjenca...

Prokuroria Speciale fillimisht nuk e pranoi të ashtuquajturën 'draftakuzë', kurse tani e pranon me ndryshime shumë problematike dhe e dërgon në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pse ky ndryshim i qasjes së Prokurorisë, kush ndikoi që për situatën e njëjtë t'i kenë dy qëndrime? Pyetje kjo përgjigjja e së cilës dihet -është politika! Prokuroria është e shantazhuar, i ka humbur rruga në oborr. Këtë situatë, në anën tjetër, do ta keqpërdorë politika që t'i ndërmarrë edhe shumë hapa dhe vendime joligjore pa u vërejtur nga askush, sepse dihet që ujku do mjegull", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për "Kosova Sot"

Duke u bazuar në lojën e madhe që ka filluar të luhet së fundi me listat e veteranëve të rrejshëm, njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vlerësojnë se ky fakt po tregon më së miri mjerimin e sistemit të drejtësisë së katandisur keq në Kosovë, po tregon se si politika kriminale po e zbardh fytyrën e vet të vërtetë, së bashku me drejtësinë tërësisht të instrumentalizuar, duke tentuar me çdo kusht që ta komprometojnë dhe pengojnë zbardhjen e së vërtetës me listat e manipuluara të veteranëve, duke futur në aktakuzë në mesin e veteranëve mashtrues edhe veteranët e vërtetë të UÇK-së vetëm e vetëm që ta dështojnë tërë procesin e korrigjimit dhe të ndëshkimit të përgjegjësve për këtë mega-abuzim që po e dëmton rëndë edhe buxhetin e shtetit. Analistët theksojnë se kjo është dëshmia më e mirë që flet për bashkëjetesën e fuqishme të krimit në politikë dhe në drejtësi që përbën një tërësi të krimit të organizuar.

MIFTARI: KOSOVËN E KA MARRË LUMI ME KËTA NJERËZ GJYSMANALFABETË, NJERËZ POLITIKË, POR MAFIOZË TË RRYER PËR NGA PROFESIONI I HAJNIT TIPIK
Sipas Naim Miftarit, ekspert i fushës së sigurisë dhe luftëtar i lirisë - UÇK-së, listat e veteranëve, fryrja dhe mbushja e dhjetëra mijëra veteranëve të rrejshëm politikë dhe loja që po bëhet tani nga Prokuroria e kapur nga bosët politikë të korruptuar deri në gushë, tregon qartë se Kosovën e ka marrë lumi me këta njerëz gjysmanalfabetë, njerëz politikë, por mafiozë të rryer për nga profesioni i hajnit tipik "Kemi parë kohën e fundit një gjueti shtrigash, sharjesh shtazarake e etiketimesh kundër ish- prokurorit special Elez Blakajt, i cili e ka hallakatur mafinë e komandantëve, mafinë politike. Në vend që kryeministri, kryeparlamentari, kryetari, deputetët e Kuvendit dhe Prokuroria ta fusin nën mbrojtje ish-prokurorin, ata me nivelin e kriminelëve të Koza Nostrës e shajnë dhe e etiketojnë, e kërcënojnë edhe me jetë, dhe kjo tregon qartë se në çfarë shteti jetojmë sot, në një shtet ku ligji i mafisë bën 'rend dhe rregull', vend ku ligji i shtetit shkelet pikërisht nga njerëzit dhe zyrtarët e shtetit. Atëherë shtrohet pyetja se për çfarë ligji apo rendi punon sot Prokuroria e Shtetit, gjyqësia, Policia, Inteligjenca....për çfarë ligji flasim kur nga kryetari i shtetit, ai i Qeverisë dhe i Parlamentit, nga kryeprokurorët deri te punëtori i thjeshtë në administratë, janë të korruptuar deri në palcë", tha Miftari për "Kosova Sot". Ai mbetet i habitur se si tani nuk po reagojnë edhe disa ambasada të fuqishme në Kosovës, që sipas Miftarit lë të krijohet bindja se edhe disa ambasadorë janë korruptuar nga politika dhe krimi i organizuar. "Sa i përket veteranëve, e them se ky nuk është problemi kryesor i shtetit, se edhe ky rast nuk do të zgjidhet kurrë, sikur nuk u zgjidhen deri sot asnjë nga rastet e rënda. Ju vetëm paramendojeni lëndën e veteranëve që ia kanë dhënë një zyrtareje, e cila familjarisht është me traditë familjare që të kaluarën e kishte me krimin e organizuar, zyrtare e drejtësisë e dalë nga gjiri i aferës 'PRONTO', që vetëm edhe TOTO RINEN e mafisë italiane nuk di a e kishte familjarisht të afërt", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

Rasti të zgjidhet sipas ligjit
Sidoqoftë, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se edhe kësaj çështjeje duhet dhënë epilog të drejtë të bazuar në ligj pa asnjë hezitim, sado që do jetë një proces i ngatërruar dhe i vështirësuar tani. "Çështja e veteranëve duhet të zgjidhet në proporcion me ligjin, organet e drejtësisë nuk duhet të tregohen të pafuqishme, duhet pasur të qartë se nuk ka drejtësi nëse ka individ apo parti apo lider mbi rendin dhe ligjin. Nëse shantazhohen gjyqtarët dhe prokurorët apo kërcënohen, atëherë shteti duhet të reagojë, që nuk është rasti i Kosovës, sepse këtu ndodh që prokurorët apo gjyqtarët të lirohen nga rastet apo të ikin jashtë vendi. Kjo do të paraqitet dhe raportohet edhe jashtë Kosovës si një minus i madh për drejtësinë kosovare", thekson ai. "Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojnë në këtë rast, pa asnjë devijim, shteti duhet të lehtësojë jetën e qytetarit dhe jo ta mbyllë hermetikisht atë", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas analistit Bislim Aliu, lista e veteranëve të rrejshëm, përfundimisht po tregon mjerimin e madh të sistemit të drejtësisë, të katandisur keq në Kosovë, sepse me këtë, dendur po e tregon politika kriminale fytyrën e vet të vërtetë, së bashku me drejtësinë tërësisht të instrumentalizuar, duke tentuar që më çdo kusht ta komprementojë dhe ta pengojë zbardhjen e së vërtetës, me listat e manipuluara të veteranëve, duke futur në aktakuzë në mesin e veteranëve mashtrues, edhe veteranët e vërtetë të UÇK-së."Jo rastësisht janë shtuar emrat në listë për të kompromentuar aktakuzën e drejtë, ose nëse vërtet janë futur edhe emrat e njerëzve që me të vërtetë janë veteranë të luftës, ndaj, që të dyja tregojnë se me të vërtetë kemi të bëjmë me një sistem tejet joserioz dhe të kapur e të dirigjuar nga mafio-politika e inkriminuar. Krejt kjo është bërë me qëllimin dhe skenarin që Prokuroria të mos lejohet të bëjë punën në mënyrë të pavarur, edhe nëse ka shkelje serioze, e që në këtë rast askush nuk do të duhej t'i shpëtonte ligjit dhe drejtësisë për turpin dhe krimin që është bërë me këto lista", tha Aliu për "Kosova Sot".

PRETENI: QËNDRIMI I PROKURORISË ËSHTË JOPROFESIONAL DHE SHUMË DILETANT!
Njohësi i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni, tha për "Kosova Sot" se rasti që ilustron më së miri gjendjen në sistemin e drejtësisë është ky i fundit me listat. "E linçuan z. Blakaj dhe pastaj vepruan duke e çoroditur listën dhe duke e politizuar rastin. Publikimi i listës është komplet joligjor, jo se u publikua si e tillë, porse më shumë se 20,000 personave iu publikuan numrat personal. Numri Personal është e dhënë personale dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet të publikohet. Nuk u publiku nga gjyqësori, por të njëjtët e kontrabanduan duke ia përcjellë ndonjë mediumi të favorizuar", u shpreh ai. "Prokuroria Speciale, fillimisht nuk e pranoi të ashtuquajturën 'draft akuzë', kurse tani e pranon me ndryshime shumë problematike dhe e dërgon në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pse ky ndryshim i qasjes së Prokurorisë, kush ndikoi që për situatën e njëjtë t'i kenë dy qëndrime? Pyetje kjo përgjigjja e së cilës dihet - është politika! Prokuroria është e shantazhuar, iu ka humbur rruga në oborr. Tani, me situatën e krijuar kriza rreth rastit të veteranëve është kthyer në një telenovelë ku nuk iu dihet fundi. Qëndrimi i Prokurorisë është joprofesional dhe shumë diletant, politika po reflekton duke paralajmëruar kriza dhe reagime qytetare, disa politikanë po kërcënohen me metoda mesjetare, shoqatat e dala nga lufta janë shumë të hutuara dhe konfuze. Këtë situatë, në anën tjetër, do ta keqpërdorë politika që t'i ndërmarrë edhe shumë hapa dhe vendime joligjore pa u vërejtur nga askush, sepse dihet që ujku do mjegull", potencoi Preteni për "Kosova Sot". "Sa isha krenar që isha pjesë e luftës se dinjitetshme të UÇK-së, sa isha krenar që u rreshtova drejt në angazhimet për lirinë e vendit, fatkeqësisht edhe në rastin e Kosovës po vërtetohet ajo hipoteza e Makiavelit, 'Populli i do çlirimtarët, por të njëjtët fillon t'i urrejë kur të njëjtët zbresin në qytet dhe fillojnë t'ua marrin qytetarëve gratë dhe pasuritë'"…, është shprehur Hasan Preteni për "Kosova Sot"


(Kosova Sot)