Thaçi bën rrush e kumbulla miliona, serbët fitojnë terren diplomatik

  • 19 September 2018 - 07:41
Thaçi bën rrush e kumbulla miliona, serbët fitojnë terren diplomatik

Qarri: Diplomacia kosovare, me në krye Behgjet Pacollin, jo vetëm se dështoi keq, por me Thaçin president ky tandem i rrezikshëm ruso-serb e nënshtroi plotësisht Kosovën dhe vuri nën dominim total nga Serbia

"Përderisa presidenti Thaçi, në rolin e zëdhënësit të Vuçiqit, e futi në agjendën ndërkombëtare ndarjen e Kosovës, me ardhjen e Behgjet Pacollit u vulos mjerimi dhe vasaliteti i Kosovës ndaj Serbisë dhe Rusisë armike të vendit tonë. Si pasojë e dështimit të politikës së jashtme, përveç stopimit të njohjeve, kemi trendin e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së shtetit tonë. Në këto rrethana, anëtarësimi në BE dhe në OKB mbetën vetëm dëshirë e qytetarëve dhe iluzion i pushtetarëve. Lobimi personal i presidentit Thaçi për ndarje të Kosovës është duke u realizuar me paratë e taksapaguesve kosovarë dhe jo vetëm. Me paratë e qytetarëve presidenti e nxori edhe librin vetëlavdërues, pa asnjë vlerë historike dhe kombëtare", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot

Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar nga gazeta e vlerësojnë me notën më të dobët të mundshme diplomacinë e Kosovës në këtë fazë të ndjeshme. Sipas tyre, politika e jashtme kosovare ka dështuar dhe ajo është e nënshtruar nga Serbia, e cila përmes lobimit në shtetet më të fuqishme, si SHBA-ja, por edhe më gjerë, e futi në agjendën e bisedimeve edhe ndarjen e Kosovës, derisa kreu i shtetit Hashim Thaçi, për lobime personale shpenzon dhjetëra miliona euro, para të tatimpaguesve, edhe atë vetëm për libra vetëlavdërues, por harron detyrimet kushtetuese që i ka si president dhe për më tepër ka marrë tani edhe rolin e zëdhënësit të Aleksandër Vuçiqit për të lobuar edhe ai vetë për ndarjen e territorit të Kosovës. Sipas analistëve, kulmi i degradimit të politikës së jashtme arrin me marrjen e pozitës së ministrit të Jashtëm nga Behgjet Pacolli, i njohur për lidhjet e tij me rusët. Sipas politologes Liridona Bislimi, politika e jashtme e Kosovës është duke pësuar fiasko në rrafshin ndërkombëtar si pasojë e mungesës së lobimit dhe avokimit të drejtë në rrafsh ndërkombëtar, si dhe si pasojë e përçarjeve politike në Parlament. "Për gjithë këto veprime prijëse ka qenë Serbia, pasi ajo së bashku me krerët e saj ka organizuar një ekip, për të lobuar në ato shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën për ta tërhequr njohjen, dhe në ato shtete që nuk e kanë njohur të mos e bëjnë një gjë të tillë. Mungesa e pjesëmarrjes së vazhdueshme në konferencat dhe tryezat ndërkombëtare, si dhe mungesa e bashkëpunimit me vendet e suksesshme ndërkombëtare ka bërë që diplomacia kosovare të dështojë jo vetëm në rrafshin e njohjeve për Kosovën, por edhe në fuqizimin e saj në arenën ndërkombëtare", u shpreh ajo. "Mjerisht, ky është fati politik e diplomatik ndërkombëtar i shtetit të Kosovës. Dështimet e diplomacisë janë jashtëzakonisht shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe ngritin dilemën e kontestimit të shtetësisë dhe të qenit subjekt juridik ndërkombëtar", vijoi më tej Bislimi për "Kosova Sot". 

ZEQA: THAÇI, NË ROLIN E ZËDHËNËSIT TË VUÇIQIT, E FUTI NË AGJENDËN NDËRKOMBËTARE NDARJEN E KOSOVËS
Sipas analistit Florim Zeqa, si pasojë e diplomatëve të dështuar, e kemi rënien në pikën zero të diplomacisë kosovare. Ai thotë se është pikërisht kështu për faktin se e kemi një president servil e të shantazhuar nga Serbia dhe një ministër të Jashtëm, i cili trupin e mban në Kosovë dhe mendjen në Moskë. "Përderisa presidenti Thaçi në rolin e zëdhënësit të Vuçiqit e futi në agjendën ndërkombëtare ndarjen e Kosovës, me ardhjen e Behgjet Pacollit u vulos mjerimi dhe vasaliteti i Kosovës ndaj Serbisë dhe Rusisë armike të vendit tonë. Si pasojë e dështimit të politikës së jashtme, përveç stopimit të njohjeve, kemi trendin e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së shtetit tonë. Në këto rrethana, anëtarësimi në BE dhe në OKB mbetën vetëm dëshirë e qytetarëve dhe iluzion i pushtetarëve. Lobimi personal i presidentit Thaçi për ndarje të Kosovës është duke u realizuar me paratë e taksapaguesve kosovarë dhe jo vetëm. Me paratë e qytetarëve, presidenti e nxori edhe librin vetëlavdërues pa asnjë vlerë historike dhe kombëtare", theksoi ai. "Megjithatë, fundi i dështakëve politikë po vjen. Shtetet më të fuqishme, si SHBA-ja, Gjermania, Anglia, etj., çdo ditë e më tepër janë duke ia bërë të qartë presidentit dështak të Kosovës pamundësinë e lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Në një të ardhme të afërt, edhe populli do të flasë me zë të lartë kundër vasalitetit të liderëve shtetërorë", tha Zeqa për "Kosova Sot".


QARRI: PACOLLI NË FAZËN MË TË NDJESHME MINOI TËRËSISHT DIPLOMACINË E KOSOVËS
Ndërsa,analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se mjerisht Kosova jo vetëm se dështoi që nga fillimi të ndërtojë një diplomaci të njëmendtë,të fuqishme dhe profesionale,por me emërimin e rusofilit Behgjet Pacolli ministër të Jashtëm,raporti me të cilin mund të përshkruhet diplomacia kosovare,është thjesht vetëm dështimi. "Fatkeqësisht,qysh nga shpallja shtet i pavarur,diplomacia vendore u shqua dhe bë lajm në mediet vendore dhe ndërkombëtare,jo për arritje as punë të mira,por pothuajse gjithmonë vetëm për ngecje dhe skandale.Madje,Behgjet Pacolli në fazën më të ndjeshme minoi tërësisht diplomacinë e Kosovës,e cila për rreth një vit që nga ardhja e tij në krye të saj,numëron vetëm dështime të njëpasnjëshme.Kosova pas shpalljes së pavarësisë dhe formimit të diplomacisë së jashtme, më kot shpresonte që me angazhimet e kësaj diplomacie dhe ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të bënte forcimin dhe afirmimin e shtetësisë së saj në Evropë dhe në botë",u shpreh ai.Sipas Qarrit, nën udhëheqjen e njerëzve,si Behgjet Pacolli,diplomacia jonë po shënon vetëm ngecje dhe anashkalime të cilat tanimë janë bërë të patolerueshme. "Diplomacia kosovare me në krye Behgjet Pacollin jo vetëm se dështoi keq e më keq në politikën e saj të jashtme,por me Thaçin president,ky tandem i rrezikshëm ruso-serb e nënshtroi plotësisht Kosovën dhe vuri nën dominim total nga Serbia,e cila përmes lobimit në shtetet më të fuqishme,si SHBA-ja,por edhe më gjerë,përfundimisht e futi në agjendën e bisedimeve edhe ndarjen e Kosovës. Madje,dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë,vetë Hashim Thaçi ka marrë rolin e zëdhënësit të Aleksandër Vuçiqit,duke lobuar hapur personalisht për ndarjen e territorit të Kosovës. Kurse me ardhjen e Behgjet Pacollit në postin e ministrit të Jashtëm, definitivisht po realizohen edhe në terren,të gjitha interesat rusoserbe dhe praktikisht po vuloset vasaliteti i Kosovës ndaj Serbisë e Rusisë armike,për të cilat vende Pacolli ka kontribuuar vazhdimisht në të kaluarën,ndërsa tani bashkë me Hashim Thaçin po punojnë qartazi dhe pandalshëm edhe për shkatërrimin definitiv të shtetit të Kosovës",tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

BISLIMI: THAÇI PO I HARRON DETYRAT E TIJ SI PRESIDENT DHE PUNON VETËM PËR LOBIME PERSONALE
"
Fajtor për këtë gjendje të brishtë është pikërisht diplomacia kosovare,e cila,ndonëse nuk po arrin të sjellë njohje të reja për Kosovën,por po i humb edhe ato shtete që tashmë kanë njohur Republikën e Kosovës.Që nga ardhja e Pacollit në krye të MPJ-së ka pasur telash me njohje e tërheqje njohjesh.Një rast ishte ai me Burundin,ku derisa pala serbe deklaroi që ky shtet e ka tërhequr njohjen,Pacolli doli dhe e mohoi këtë.Një tjetër rast ishte ai me Liberinë,për të cilin shtet mediet serbe raportuan se e posedojnë notën e dërguar zyrtarisht ku, sipas tyre,thuhet se ky shtet e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës deri në fund të dialogut dhe marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.E në anën tjetër,Hashim Thaçi po i harron detyrat e tij si president dhe punon vetëm për lobime personale,duke shpenzuar dhjetëra miliona euro,që janë para të tatimpaguesve,edhe atë vetëm për libra vetëlavdërues,dhe për më tepër ka marrë tani edhe rolin e zëdhënësit të Aleksandër Vuçiqit për të lobuar edhe ai vetë për ndarjen e territorit të Kosovës.Kështu,duke bërë të ditur se politika e jashtme kosovare e nënshtruar nga Serbia ka dështuar,e cila përmes lobimit në shtetet më të fuqishme,si SHBA-ja,por edhe më gjerë,e futi në agjendën e bisedimeve ndarjen e Kosovës falë bashkëpunimit të ngushtë me Hashim Thaçin",tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot". 


BADALLAJ: HASHIMI I BROJËS SHPENZON MILIONA PËR NJË TAKIM DHE VETËM TË BËJË NJË "SYRET" ME KRYETARIN AMERIKAN
Një konstatim të tillë negativ e thekson edhe Reshat Badallaj."Dorën në zemër, diplomacia kosovare krahasuar me diplomacinë serbe është shumë e dobët, deshëm apo s´deshëm ta pranojmë, por kjo është shumë e vërtetë. Neve falë miqve dhe shteteve më të fuqishme të botës që na kanë përkrahur dhe mbrojtur se po të ishte në dorën e diplomacisë kosovare si mos më keq! Diplomacia kosovare nuk është diplomaci që ka dalë nga vota e popullit me njerëz të aftë dhe që e njohin këtë lëmi, apo të themi diplomaci enkas e shkolluar, është një diplomaci e dalë me anë të pazareve për ta marrë pushtetin dhe aty pastaj vendosen matrapazë, pro-rusë e pro-serbë të deridjeshëm", u shpreh ai. "Ndonëse disa matrapazë apo si po i thonë biznesmenë, këta janë munduar në botë për përfitimet dhe pazaret personale, për interesa joshtetërore. Bota nuk mund të blihet me para si në disa shtete afrikane që nuk i njeh kush në hartë ose që ecin zbathur dhe nuk dinë çka janë brekët. Dhe, pikërisht kjo diplomaci e paaftë, e pashkolluar na pruri buzë greminës me njerëz halabakë dhe tru turreci", vijoi më tej Badallaj. "Si mund të shpjegohet ndryshe, kur Hashimi i Brojës, që dikush i thotë edhe president, shëtit botën me para të buxhetit të Kosovës, e bën rrush e kumbulla, shpenzon miliona për një takim dhe vetëm të bëjë një "SYRET" me kryetarin amerikan, z. Trump ose të botojë librin e tij për të reklamuar veten, duke ngrënë dreka e darka me krushkun e ngushtë të tij Aleksandër Vuçiqin, një kriminel lufte, duke pirë nga verërat më të shtrenjta të botës dhe le të ma thotë dikush se çfarë diplomacie i thuhet kësaj", tha ai për "Kosova Sot".

BILANCI I PRISHUR "Serbët e diplomacisë së vendit të tyre e kanë gjetur vakumin për të prishur bilancin politik të Kosovës me vendet më mike për strategjinë e këtij vendi. Ata lobojnë në SHBA e në vende të tjera, duke shitur gënjeshtrat e tyre në favor të Serbisë e në disfavor të shqiptarëve të Kosovës. Politika e jashtme e jona duket si një karvan i lodhur dhe veç për shpenzime e dëfrime, duke e mbiçmuar veten me libra të kushtueshëm, si ishte rasti me atë monografinë apo s'di çfarë ishte, kinse si figura unikate eminente e shekullit ?! Këto janë mësime të dikujt tjetër, pa interesin e qytetarëve të Kosovë", tha Shefik Shkodra për "Kosova Sot". 

Qytetarët kritikojnë ashpër lidershipin kosovar
Kritikë për dobësi të skajshme të funksionimit të diplomacisë së Kosovës, ministrisë së Jashtme me gjithë rrjetin diplomatik, kanë qenë edhe qytetarët në cilësinë e vrojtuesit të pavarur. Këtë fakt e pohon pa asnjë dyshim qytetari Edmond Salihi. "Realisht, deri më tash në të gjitha pikat e bisedimeve, Serbia është shumë para nesh si Kosovë, për shkak që klasën politike ata e kanë shumë më të përgatitur sesa ne, dhe dihet se këta njerëz të klasës sonë politike udhëtojnë jashtë, shkojnë atje të papërgatitur, pa kërkesa dhe pa argumente, edhe pse ne kemi qenë dhe jemi viktimë e krimeve të Serbisë, që duket se këto udhëtime jashtë vendit njerëzit tanë më shumë i kanë për shëtitje, për ekskursione dhe për të marrë mëditje sesa për agjenda të fokusuara e konkrete diplomatike. Ndryshe veprojnë serbët, shkojnë të përgatitur dhe shkojnë me plane konkrete dhe normal që vizitat e tyre ndërkombëtare i përdorin për sulme të vazhdueshme kundër Kosovës, sepse dihet që në praktikë mbrojtja më e mirë është sulmi, dhe për këtë arsye ata gjithmonë shkojnë në agjendat diplomatike të përgatitur dhe kanë arritur që shtetin e Kosovës ta lënë me më pak njohje, edhe pse faktikisht kemi pasur disa njohje në fillim të shpalljes së pavarësisë dhe disa vite në vijim, mirëpo ky proces ka stagnuar dhe përveç atyre njohjeve nuk kemi zhvilluar raporte të tjera ndërshtetëror edhe me shtetet që na kanë njohur", u shpreh ai. "Si pasojë e kësaj diplomacie të dobët, u pa edhe ecuria e votimit për liberalizimin e vizave në Parlamentin Evropian ku disa shtete ishin pro, disa votuan si gjysmë për gjysmë, disa kundër, që mezi u kalua votimi në favor të Kosovës, sepse ata e dinë fare mirë se çka zhvillohet këtu brenda shtetit të Kosovës, se çfarë klase politike kemi. Mund të them me plot bindjen se Evropa nuk është shumë e interesuar që t'i hapë dyert për Kosovën dhe kosovarët, kur dihet se akoma këtu mbizotëron krimi dhe korrupsioni, prandaj ata nuk duan që për asnjë çmim ta destabilizojnë vendin e tyre, duke hapur dyert për njerëzit tanë dhe që të lëvizë krimi andej edhe kah Evropa. Edhe ato paratë e shpenzuara për lobim personal me një libër nga ana e presidentit nuk është dashur të shpenzohen për atë destinim, është dashur të shpenzohen për lobim më efektiv në interes të shtetit, sepse presidentit tonë, për aq sa e njohin jashtë vendit për të mirë, për aq e njohin edhe për të keq krejt bota, prandaj ky është edhe një shkak pse ne kaq gjatë kemi ngecur kështu", tha Edmond Salihi. Me notë negative e vlerëson diplomacinë e Kosovës edhe qytetari tjetër Xhafer Jashari. "Nuk ka unitet dhe nuk ka konsensus për çështjet madhore të interesit nacional e shtetëror dhe këtu përgjegjësinë e kanë të gjitha partitë politike, sepse në planin e jashtëm nuk mund t'i adresohet përgjegjësia vetëm një subjekti politik qeverisës, në këtë rast vetëm pozitës, sepse nuk mund të thuhet që është kjo parti politike ose ky lidership më i mirë se tjetri, sepse nuk duhet të lejohet në asnjë rast presidenti që ai vetë të marrë vendime kokë në vete, qoftë a janë ato të dëmshme apo të dobishme për vendin, për shtetin e Kosovës, sepse të gjitha ato vendime të interesit nacional duhet të diskutohen e të merren së bashku nga i gjithë spektri politik.", theksoi ai. "Tani, edhe te këto njohjet që i kemi, edhe te shtete që na kanë njohur dhe ato që nuk na kanë njohur, unë nuk e di se sa do të çojë peshë kjo agjendë e tanishme e temës së bisedimeve, nuk e di sa do të çojë peshe pozitivisht apo negativisht në mesin e tyre, sepse edhe kur thuhet korrigjim territoresh, unë e kuptoj ndryshim të kufijve, sepse kur korrigjohet një gjë shkëputet dhe i bashkëngjitet asaj pjesës tjetër dhe anasjelltas dhe kjo prapë është shkëmbim territoresh dhe jo korrigjim. Mirëpo, vetëm nëse është ajo që thotë se e ka bërë Aleksandër Rankoviqi në vitin 1955- 1956, një gjakpirës i shqiptarëve, që ia kanë dhuruar Kosovës Leshakun, Leposaviqin dhe atë pjesën e Zveçanit, dhe tani në këmbim për këtë të merret komplet Presheva, Medvegja e Bujanovci, edhe unë do të isha për këtë, por nëse bëhet fjalë që për këtë këmbim të merren vetëm disa fshatra dhe të jepen këto, Leshaku, Leposaviqi dhe ajo pjesa e Zveçanit, atë unë dhe askush nuk duhet të jetë për këtë", potencoi Xhafer Jashari për "Kosova Sot". Sipas tij, për interesin nacional edhe LDK-ja, edhe VV-ja, edhe PSD-ja duhet të angazhohen që të kenë një konsensus kombëtar.  

(Kosova Sot)