Suspendohen pesë mjekë të QKUK'së, nuk respektuan orarin e punës

  • 19 September 2018 - 10:00
Suspendohen pesë mjekë të QKUK'së, nuk respektuan orarin e punës

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se janë pesë raste kur mjekët janë suspenduar pasi nuk kanë respektuar orarin e punës.

Në këtë intervistë ai po ashtu flet edhe për përpjekjet që po bëhen për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

“Varfërinë më të madhe popullata jonë e ka pasur pikërisht nga sëmundjet. Një numër i madh i patologjive nuk kanë mundur të trajtohen në institucione publike dhe me një kosto të lartë janë detyruar të trajtohen jashtë dhe ky ka qenë dëmtim i buxhetit tonë dhe i xhepit të pacientëve”, tha Sejdiu.

Drejtori i SHSKUK-së thekson se sa i përket furnizimit me barna gjendja është përmirësuar. Sipas tij, nga lista esenciale (e barnave), furnizimi është diku rreth 70 për qind dhe 50 për qind me material shpenzues, por gjithmonë duhet të përmirësohet më tepër gjendja.

“Disa kontrata që ka pasur Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna kanë qenë me afate të skaduara, të tejkaluara. Tashmë janë bërë disa ndërprerje të kontratave për shkak të buxhetit, çmimit më të lartë se ai real dhe nga gjithë kjo kemi pasur një benefit, kemi pasur përfitim sa i përket buxhetit pikërisht për shkak të ndërprerjeve të këtyre kontratave. Ka shkaktuar pak vakuum, por gjendja me furnizim me barna po shkon duke u përmirësuar. Me ndërprerjen e këtyre kontratave përfitimet në buxhet kanë qenë rreth 6 milionë euro”, tha ai.

Sejdiu theksoi se me ardhjen e tij në këtë pozitë ka identifikuar prioritetet dhe ato pikat e ndjeshme në sistemin shëndetësor.

“Për mua ka qenë Qendra Emergjente, mjekimi intensiv, sistemi kardiovaskular si dhe shërbimet ambulatorike, ato që mendoj se ndër të tjera kanë pasur probleme të theksuara. Tashmë veç është përuruar Qendra Emergjente, ku mund të vëreni një sistem tjetër të organizimit, me një ristrukturim komplet të ndryshuar, me blerjen e të gjitha pajisjeve të reja. Kështu që, Qendra Emergjente ka filluar me një komoditet më të madh për mjekët, stafin dhe me një siguri më të madhe për pacientët, për çka edhe mundohemi”, tha ai.

Sipas tij, po ashtu janë marrë me sistemin e ambulancës specialistike.

“Aty kemi filluar së pari me ambulancat e degëve kirurgjike, siç është ortopedia me fizioterapi dhe mandej me pjesë të tjera të klinikave interne. Aty dukshëm vërehet një shërbim më cilësor. Po e marr shembull ortopedinë, ku nga 70 pacientë të vizituar më herët, tani vizitohen 200 në kushte më të mira. Gjithashtu kanë në dispozicion edhe pajisjet e reja dhe nëse e marrim krahasimin e cilësisë, mund të themi se është një parametër që vërehet edhe nga aspekti mikroskopik dhe jo vetëm në analizë. Mund të shihni edhe pacientët të cilët janë të kënaqur, por edhe stafit që ka një komoditet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Po ashtu është edhe sistemi kardiovaskular. Aty mendoj se është një e arritur mjaft e madhe sepse fillimi i punës 24-orësh në Kardiokirurgji, ku tash i kemi dy salla kardiokirurgjike dhe dy salla të mjekimit intensiv. Gjithashtu edhe në Kardiokirurgjinë Invasive është edhe një aparat i ri. Kështu që, me dy salla në Kardiokirurgjinë Invasive dhe dy në Kardiokirurgji veç po vërehen rezultatet…”, tha ai.

Sipas tij, në Kardiokirurgji tani bëhen të gjitha operacionet, duke llogaritur edhe ato më të rëndat, ku njëherë kemi pasur rast të disekacion të aortës, vlera ka qenë 28 mijë euro në institucion privat dhe në QKUK është kryer falas.

(Kosova Sot)