QARRI: PACOLLI NË FAZËN MË TË NDJESHME MINOI TËRËSISHT DIPLOMACINË E KOSOVËS

  • 19 September 2018 - 12:32
QARRI: PACOLLI NË FAZËN MË TË NDJESHME MINOI TËRËSISHT DIPLOMACINË E KOSOVËS
Ndërsa,analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se mjerisht Kosova jo vetëm se dështoi që nga fillimi të ndërtojë një diplomaci të njëmendtë,të fuqishme dhe profesionale,por me emërimin e rusofilit Behgjet Pacolli ministër të Jashtëm,raporti me të cilin mund të përshkruhet diplomacia kosovare,është thjesht vetëm dështimi. "Fatkeqësisht,qysh nga shpallja shtet i pavarur,diplomacia vendore u shqua dhe bë lajm në mediet vendore dhe ndërkombëtare,jo për arritje as punë të mira,por pothuajse gjithmonë vetëm për ngecje dhe skandale.Madje,Behgjet Pacolli në fazën më të ndjeshme minoi tërësisht diplomacinë e Kosovës,e cila për rreth një vit që nga ardhja e tij në krye të saj,numëron vetëm dështime të njëpasnjëshme.Kosova pas shpalljes së pavarësisë dhe formimit të diplomacisë së jashtme, më kot shpresonte që me angazhimet e kësaj diplomacie dhe ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të bënte forcimin dhe afirmimin e shtetësisë së saj në Evropë dhe në botë",u shpreh ai.Sipas Qarrit, nën udhëheqjen e njerëzve,si Behgjet Pacolli,diplomacia jonë po shënon vetëm ngecje dhe anashkalime të cilat tanimë janë bërë të patolerueshme. "Diplomacia kosovare me në krye Behgjet Pacollin jo vetëm se dështoi keq e më keq në politikën e saj të jashtme,por me Thaçin president,ky tandem i rrezikshëm ruso-serb e nënshtroi plotësisht Kosovën dhe vuri nën dominim total nga Serbia,e cila përmes lobimit në shtetet më të fuqishme,si SHBA-ja,por edhe më gjerë,përfundimisht e futi në agjendën e bisedimeve edhe ndarjen e Kosovës. Madje,dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë,vetë Hashim Thaçi ka marrë rolin e zëdhënësit të Aleksandër Vuçiqit,duke lobuar hapur personalisht për ndarjen e territorit të Kosovës. Kurse me ardhjen e Behgjet Pacollit në postin e ministrit të Jashtëm, definitivisht po realizohen edhe në terren,të gjitha interesat rusoserbe dhe praktikisht po vuloset vasaliteti i Kosovës ndaj Serbisë e Rusisë armike,për të cilat vende Pacolli ka kontribuuar vazhdimisht në të kaluarën,ndërsa tani bashkë me Hashim Thaçin po punojnë qartazi dhe pandalshëm edhe për shkatërrimin definitiv të shtetit të Kosovës",tha Gani Qarri për "Kosova Sot".