Hoti: Opozita e ndali takimin Thaçi-Vuçiq, s’ka rrugë tjetër pos zgjedhjeve

  • 19 September 2018 - 12:49
Hoti: Opozita e ndali takimin Thaçi-Vuçiq, s’ka rrugë tjetër pos zgjedhjeve

Shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti sot në një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se opozita është duke e bërë gati mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Ai ka theksuar se keq qeverisjes dhe arrogancës po i vije fundi.

Hoti në konferencën për shtyp ka folur për seancën e jashtëzakonshme e cila do të mbahet të enjten ku do të diskutohet për tri marrëveshje ndërkombëtare, për të cilën opozita ka mbledhur 53 nënshkrime. 

“Me kërkesë të partive opozitare do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë të rëndësishme për qytetarët. Për këtë seancë i kemi mbledhur 53 nënshkrime. E kemi ftu për shkak se Kuvendi pothuajse është paralizua”, është shprehur Hoti.

Ai ka thënë se për të dalë nga gjendja e tanishme duhet të bëhen zgjedhje të reja parlamentare, pasi sipas Hotit ka kaluar koha e arrogancës ku koalicioni PAN mund të bëjë ndryshim në vend.

“Nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Ka kaluar koha kur arrogance e koalicionit PAN mund të prodhojë ndonjë ndryshim në këtë vend, ndryshimin e bëjnë qytetarët dhe deputetët e opozitës përfaqësojnë mbi 60 për qind të qytetarëve”, ka theksuar Hoti.

Hoti po ashtu ka thënë se takimin e Presidentit Thaçi me homologun e tij serb e kanë ndalur opozita, e cila bashkë me qytetarët e ka pamundësuar këtë takim, e duke iu referuar kësaj, Hoti thotë se opozita ka fuqi ta rrëzojë edhe Qeverinë.

“Ne jemi partia më e madhe në vend, dhe si e tillë bashkë me opozitën dhe mbështetjen e qytetarëve e kemi stopuar takimin e datës 7 shtator, besojmë që kemi fuqi që të bëjmë që institucionet ti ndalojnë këto vepra. Këtij lloji të qeverisjes është duke i ardhur fundi. Jemi duke punuar në mocionin për qeverinë dhe seancat e ardhshme besoj që do të jenë për rrëzimin e qeverisë.”, është shprehur Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se nëse është nevoja për protestë, LDK’ja është e gatshme ta organizojë një të tillë dhe të ftojë të gjithë qytetarët për pjesëmarrje.

 

(Kosova Sot)