Një tjetër biznensmen i fuqishëm mund të lërë Shqipërinë, e masakrojnë bandat

  • 19 September 2018 - 13:08
 Një tjetër biznensmen i fuqishëm mund të lërë Shqipërinë, e masakrojnë bandat

Andrea Zoga, biznesmen i njohur dhe i fuqishëm në Tiranë në fushën e restoranteve dhe Fast Food-eve, është dhunuar në mesnatë nga rreth 6 persona ende të paidentifikuar, teksa po shkonte në banesën e tij në zonën e "Komunës së Parisit".

Ka marrë dëmtime në fytyrë dhe në trup dhe për këtë arsye është shtruar në spital, aty ku ka dhënë një prononcim për mediat në lidhje me dyshimet e tij. Ai nuk i ka dalluar agresorët, sic shprehet, pasi thotë se ata lëviznin me një automjet tip Golf. Por biznesmeni hedh dyshimet tek një konflikt i hershëm i vëllait të tij, i cili tashmë jeton jashtë Shqipërisë, dhe me të cilin Andrea Zoga thotë se nuk ka më kontakte. Zoga thotë se është kërcënuar edhe më parë, ka bërë kallëzim për rastin, por cështja më tej është pushuar në Prokurori.

"Vëllai ka konflikt me persona të tjera. Bëhet fjalë për një konflikt për pronën. Mbi këtë pronë është ndërtuar pallat dhe vëllai ka detyrim ndaj këtyre personave. Jam kërcënuar dhe më parë. Çështjen e kam çuar në prokurori që nuk jam në dijeni dhe i përgjegjshëm për këtë çështje. Prokurori Julian Zonja e mbyll çështjen pa e hapur fare pasi nuk gjen prova. Sot një muaj pasi është mbyllur çështja të del një bandë që të masakron në mes të rrugës. Më herët, kur më kanë ardhur në subjektin tim para Ambasadës amerikane dhe më kanë kërkuar të pronocohem për këtë problem, jam shprehur se nuk jam në dijeni, nuk flas më vëllain prej vitesh, nuk kam asnjë të dhënë. Ju lutem më lini rehat, ju thashë. Herën e parë më kërcënuan me jetë dhe familjen time, kurse këtë rradhë e bënë realitet. Vëllai është jashtë prej muajsh, nuk e di fare ku është. Nuk kam marrëdhënie, nuk kam kontakte".

Por a beson biznesmeni se ka lidhje pikërisht konflikti i vëllait të tij?

"Absolutisht po. Unë nuk kam konflikt tjetër. Kam 20 vjet në këtë shtet, 20 vjet me këtë biznes. Jam një nga sponsorat dhe mbështetësit e Ambasadës amerikane, jam anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë", thotë ai.

Biznesmeni tregon momentet e tmerrit, nga aq sa ai ka mundur të dallojë.

"Dallova vetëm dy persona me kapele që kishin ulur kokën dhe po drejtoheshin drejt meje për të mos i njohur. Njëri më godet nga mbrapa dhe tjetri nga para dhe më pas katër veta të tjerë dalin nga makina duke më goditur në mënyrën më makabre poshtë kameras së një banke. Kam bërë denoncimin në polici, tek kryeministri. Kërkoj që drejtësia të shkojë në vend, kërkoj nga prokuroria të marrë masa në mënyrë të menjëhershme për këto banda", shprehet Zoga.

Nëse prokuroria do të mbyllë sërish çështjen, biznesmeni ndihet i pashpresë: "Do largohem jashtë vendit si gjithë shqiptarët, të siguroj familjen time dhe jetën time".

Nuk janë të paktë rastet në Shqipëri kur biznesmenë të rëndësishëm shqiptarë, por edhe të huaj, janë sulmuar dhe më tej kanë braktisur vendin për shkak të mungesës së sigurisë, dhe faktit që sipas tyre drejtësia nuk do të gjejë de ndëshkojë përgjegjësit 

 

(Kosova Sot)