Ambasadori i SHBA’së në Beograd: Ne përkrahim Thaçin e Vucicin, mbështetemi te urtësia e Mogherinit

  • 19 September 2018 - 14:44
Ambasadori i SHBA’së në Beograd: Ne përkrahim Thaçin e Vucicin, mbështetemi te urtësia e Mogherinit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Kyle Scott ka thënë sot në një konferencë për media, se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vucic dhe Hashim Thaçi kanë ndihmën e Amerikës për të gjetur një zgjidhje paqësore, dhe se Shtetet e Bashkuara mbështeten në urtësinë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini.

Scott foli në një konferencë mbi sfidat e sigurisë të Ballkanit Perëndimor, ku tha se “ka tre çështje kritike” në rajon, e që në mesin e tyre është dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, mosmarrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë rreth emrit dhe ruajtja e Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet.

“Lajm i mirë është se këto probleme nuk janë të pazgjidhshme, ne shohim guximin e liderëve të Maqedonisë dhe Greqisë. Përparimi në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk është aq i shpejt. Në Beograd, ne shohim një lëvizje të re në lidhje me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Ne shpresojmë që sa më shpejt të jetë e mundur për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme”, tha Scott

Ambasadori amerikan në Beograd, tha se zgjidhja e problemeve në Ballkan varet nga gatishmëria e udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të bërë kompromise dhe të pranojnë bashkëpunimin.

Ai tha se roli i Serbisë është thelbësor në procesin e ruajtjes së paqes në rajon, dhe SHBA-ja do të bëjë gjithçka të mundshme për të ndihmuar rajonin dhe Serbinë për të gjetur një zgjidhje për zgjidhjen e konfliktit.

Ai tha se në vitet 90 i gjithë rajoni kishte konflikte etnike.

Scott shpjegoi se të gjitha problemet në Ballkanin Perëndimor mund të zgjidhen me dialog të përbashkët dhe se të gjitha vendet në rajon e shohin të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian.

Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic tha se ideja e demarkacionit me Kosovën i propozuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic deri tani është njëra prej propozimeve, dhe tha se është i shqetësuar për mungesën e propozimeve të tjera që do të mund të ishin të pranueshme për të dyja palët.

Dacic tha se ideja e demarkacionit ende është vetëm objekt diskutimi, dhe se Serbia po bashkëpunon me aktorët relevant si SHBA, Rusia, Italia, Franca dhe Bashkimi Evropian për të ndryshuar mendjet e tyre dhe të mbështesin kërkimin e një zgjidhje paqësore për Kosovën.

Ai tha se Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tani mbështesin pikëpamjen se nuk ka ndryshim të kufijve. 

(Kosova Sot)