Shpend Ahmeti e çon komunën në det këtë vikend

  • 19 September 2018 - 15:24
Shpend Ahmeti e çon komunën në det këtë vikend

Qindra shërbyes civilë të Komunës së Prishtinës këtë vikend do t’ia mësyjnë bregdetit shqiptar në Durrës.

Ata do të akomodohen në hotelin “Bonita”. Shpenzimet e hotelit, përfshirë fjetjen, mëngjesin, drekën e darkën do t’ua paguajë Komuna e Prishtinës.

Udhëtimi do të organizohet këtë të premte, dhe punëtorët komunalë do të kthehen në shtëpi të dielën mbrëma.

Ndonëse, e gjithë Komuna e Prishtinës ka rreth 700 shërbyes civilë, FaktePlus ka mësuar se në ekskursionin e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Komunës së Prishtinës do të marrin pjesë afro 500 prej tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendim para pesë ditësh që të paguajë shpenzimet e punëtorëve të tij nga arka komunale, të cilat do të jenë në vlerë prej 5000 eurove.

“Për udhëtimin e cekur në pikën I të këtij vendimi, ndahet shuma prej 5000 (pesë mijë eurove), nga kategoria e subvencioneve. ‘Mjetet e cekura në pikën II të këtij vendimi, do të shpenzohen për akomodim, mëngjes, fjetje, drekë dhe darkë”, thuhet në vendimin e kryetarit Shpend Ahmeti.

“Transportin do ta sigurojë Këshilli organizativ me mjetet e siguruara nga participimi i shërbyesve civilë pjesëmarrës në ekskursion”, thuhet tutje në vendim.

Ndonëse në vendimin e kryetarit thuhet se shërbyesit civilë do të paguajnë udhëtimin vetë, FaktePlus ka mësuar se shërbyesve civilë u është kërkuar që të dërgojnë në Sindikatë nga 30 euro enkas për këtë ekskursion, ani pse mesatarisht bileta për në Durrës kushton 10 deri në 15 euro.
 

Image

(Kosova Sot)