50 ushtarë të Gardës së Ajovës për vizitë në Kosovë

  • 19 September 2018 - 16:22
50 ushtarë të Gardës së Ajovës për vizitë në Kosovë

Bazuar në Programin e Partneritetit Shtetëror Kosovë – Ajovë, përkatësisht të partneritetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Ajovës (SHBA), 50 pjesëtarë nga “Staff Ride”, prej tyre oficerë dhe nënoficerë të Gardës Kombëtare të Ajovës, po qëndrojnë për vizitë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në mjediset e FSK-së, ushtarakët amerikanë priti dhe iu uroi mirëseardhje komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj.

Më pas, në ambientet e kazermës “Adem Jashari’’, u realizua një takim informues nga rreshter majorët Genc Metaj dhe Fetah Zejnullahu, të cilët u fokusuan në historikun e FSK-së, arritjet e saj të deritanishme, misionin, detyrat, strukturën, trajnimet/ushtrimet, bashkëpunimin me institucione të tjera, etj..

Krahas kësaj, pjesëtarët e kontingjentit amerikan dhe pjesëtarët e FSK-së filluan aktivitete të përbashkëta sportive në disa disiplina, të cilat do të zhvillohen edhe gjatë ditëve në vazhdim.

 

(Kosova Sot)