Si i shpenzojnë paratë fituesit e premisë së lotarisë?

  • 19 September 2018 - 16:52
Si i shpenzojnë paratë fituesit e premisë së lotarisë?

Ted dhe Marilyn Newton fituan 7.9 milionë funte në vitin 2009. Ky çift nga Kenti dinte saktësisht se ku do t'i shpenzonin paratë. Qenushin e tyre të vogël, Poppy, ua kishte goditur vetura dy vjet më parë dhe ai kishte mbijetuar falë intervenimit të veterinarit.

Edhe pse, natyrisht, ka fitues të cilët paratë e premisë së lotarisë i shpenzojnë duke blerë jahte super luksoze, apo duke i çuar 'pas lavireve', nuk është i vogël numri i fituesve që janë treguar filantropë të mëdhenj.

BEBJA IVF

Për ish-punëtorin e ndërtimtarisë, Bryan, 70 vjeç dhe gruan e tij, Julie Birkett, 60, familja është gjithçka. Për këtë shkak, kur në vitin 2004 fituan 1,018,064 funte, ata iu dhanë para të pesë fëmijëve të tyre. Por, në rastin e Nicolas, vajzës së Bryan'it nga një martesë paraprake, paratë ndihmuan në krijimin e një gjëje të veçantë: një bebeje. Nicola, tani 46 vjeçe, donte me çdo kusht të bëhej nënë, por sigurimi shëndetësor nuk ia paguante trajtimin IVF meqë burri i saj, Steve, kishte fëmijë nga një martesë paraprake. Ata tanimë i kishin shpenzuar kursimet e tyre në një tentim të dështuar të IVF-it. Julie thotë: 'Kur ua dhamë një pjesë të fitimit tonë, të cilin ua ndamë të gjithë fëmijëve tanë, e dinim se ata do të provonin përsëri. Dhe, muaj më pas, Nicola i thirri dhe iu tregoi se kishte mbetur me barrë. Kjo 'bebe e lotarisë', djali Keane, tani ka 13 vjet.

SHKOLLA E VALLËZIMIT PËR MBESËN

Jean Swatman, 67 vjeçe, nga Sufolk, fitoi 2,021,379 funte në qershor të vitit 2013, me ç'rast, midis tjerash, pagoi që mbesa e saj, Lauren Utting, të vijonte një shkollë profesionale të vallëzimit. Dhe, këto para nuk shkuan huq, meqë Lauren, tani 22 vjeçe, punon si valltare dhe, sa herë që del në skenë, falënderon gjyshen për paratë që ia kishte dhënë. Jean në fakt, me paratë e fituara në loto, i kishte paguar mbesës shkollimin në kolegjin prestigjioz "Masters of Performing Arts" në Eseks, për t'u shkolluar për aktrim, vallëzim dhe këndim. Lauren kishte vallëzuar që nga fëmijëria, prandaj ishte evidente se kishte talent për një gjë të tillë. 

 

KUR TËRË PASURIA SHPENZOHET PËR NJË QEN

Ted dhe Marilyn Newton fituan 7.9 milionë funte në vitin 2009. Ky çift nga Kenti dinte saktësisht se ku do t'i shpenzonin paratë. Qenushin e tyre të vogël, Poppy, ua kishte goditur vetura dy vjet më parë dhe ai kishte mbijetuar falë intervenimit të veterinarit, fytyrë publike TV, Noel Fitzpatrick. Kjo iu kishte kushtuar atyre 15,000 funte, por megjithatë qeni kishte mbetur me pasoja. Shërimi i mëtejmë i qenit iu kushtoi 100.000 funte. Tani, kur e shohin qenin duke vrapuar, pa probleme, nëpër mal, ata e kanë të qartë se nuk i kanë çuar paratë kot.

ËNDRRA AMERIKANE E VËLLAIT

Derisa ishin të rinj, Matt dhe Pete Myles preferonin që të shikonin emisione TV amerikane së bashku. Kështu, kur Matt, tani 31 vjeç, fitoi 1 milion në lotarinë "EuroMillions" në prill të vitit 2014, ai vendosi që ta falënderojë vëllain për vite të tëra të mbështetjes, duke rezervuar një udhëtim në Amerikë, të cilin Pete, 30 vjeç, e kishte ëndërruar gjithmonë. Ja çka thotë Matt: "Para se t'i fitoja paratë, ndihesha me të vërtetë keq dhe ishte Pete dhe prindërit tanë ata që më jepnin gajret, se gjërat do të bëheshin mirë". Matt thotë se dëshironte ta shpërblente vëllain meqë gjithmonë kishte qenë aty kur ai kishte pasur nevojë. Pasi që u kthyen nga Amerika, Matt i ndihmoi Pete-it që ta blinte një shtëpi. Më pas vëllezërit filluan një biznes të përbashkët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

KUR INXHINIERI I AVIONIT UDHËTON ME AVION

Kur i ati plak i Stuart Powellit, Alan, u bë tepër i sëmurë sa që nuk mund ta vazhdonte punën si pjesë e ekipit që merrej me prodhimin e avionëve "Airbus A380", ai u ndie tepër keq. Edhe pse punonte aty ku prodhoheshin avionët, ai kurrë nuk kishte udhëtuar me avion, edhe pse kjo ishte një dëshirë e vjetër e tij. Por, kur i biri i tij, Stuart, 52 vjeç, fitoi lotarinë, respektivisht 1 milion funte, ai nuk hezitoi. Ai e dinte se duhej gjithsesi t'ia plotësonte të atit dëshirën jetësore, që të udhëtonte me avionin në prodhimin e të cilit vetë kishte punuar, duke ua paguar biletat për pushim në Dubai. Përpos të atit, edhe e ëma e Stuartit filloi të qante nga gëzimi. 

 

(Kosova Sot)