Dëshpërimi qytetar po rritet

  • 19 September 2018 - 17:09
Dëshpërimi qytetar po rritet

Analisti politik Faton Mehmeti, për gazetën "Kosova Sot", tha se është momenti i fundit që qytetarët e rëndomtë të Kosovës të marrin në duart e tyre fatin e Kosovës, duke qenë se klasa politike në vend e ka degraduar atë në maksimum."Kjo nuk nënkupton që të thyhen institucionet, apo të krijohen trazira, por që të krijohet një revolucion paqësor, pa dallim partie, por me interesin qytetar për ta bërë ketë vend të jetuar. Duke qenë se pushteti si lokal ashtu edhe qendror e kanë degraduar jetën tonë deri aty ku nuk mbahet më, është krejtësisht e arsyeshme që qytetarët të gjejnë forma dhe mënyra të ndryshme që të largojnë nga pushteti këtë klasë politike. Në veçanti klasa politike në pushtet që çdo ditë pasurohet, derisa statistikat flasin për rënie të numrin të të punësuarve, pra varfëria vetëm sa po rritet", u shpreh ai."Bashkë me rritjen e varfërisë po rritet edhe dëshpërimi i qytetarëve, të cilët po shikojnë si mundësi të fundit liberalizimin e vizave, që t'ia mësyjnë botës në kërkim të një jete më të mirë. Nëse nuk ka ndryshim të shpejtë të gjendjes në vend, kam frikë se Kosova mund të dështojë si shtet, pasi qytetarët do të ikin për të ngelur këtu vetëm një grusht i horrave dhe të të pasurve në mënyrë të pandershme", potencoi më tutje Mehmeti.


(Kosova Sot)