Politika e inkriminuar e KA NËNSHTRUAR DREJTËSINË

  • 20 September 2018 - 07:49
Politika e inkriminuar e KA NËNSHTRUAR DREJTËSINË
Aliu: Kanceri më i madh është korrupsioni dhe krimi i organizuar, të metastazuar brendapërbrenda vetë sistemit të drejtësisë dhe të lidhur me mafio-politikën

"Nëse nuk luftoni për të qenë të pavarur edhe nuk do të jeni të tillë. Gjyqësori po i pranon privilegjet financiare që po i ofron qeveria e pastaj "normalisht" që nuk do të kundërshtojnë Qeverinë nëse diçka kërkohet nga ata. Rastet e ndërhyrjes në mes të pushteteve janë përditshmëri dhe praktikë joligjore. Kosova ka nevojë për pastrim Ambasadori amerikan në largim, ka kritikuar pak më ashpër politikanët, duke u thënë atyre të qëndrojnë jashtë e larg proceseve gjyqësore, ndonëse sipas njohësve të kësaj fushe këto kritika është dashur të jenë më të theksuara dhe më konkrete e kërkuese gjatë gjithë mandatit të tij. Ata presin që në këtë drejtim të ketë më shumë kritika nga ambasadori që do të marrë detyrën së shpejti. Sidoqoftë, një gjë është e qartë, se me këto kritika, sipas njohësve të sundimit të ligjit, edhe njëherë u dokumentua dhe argumentua se me të vërtetë problemi më i madh i Kosovës është ndërhyrja e përditshme e politikës në sistemin e drejtësisë, në gjyqësor, polici dhe prokurori. Sipas analistëve, kanceri më i madh në shoqëri është ai i korrupsionit dhe krimit të organizuar, i metastazuar brenda për brenda vetë sistemit të drejtësisë të lidhur me mafio-politikën dhe korporatokracinë kriminale", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për "Kosova Sot"

AMERIKANËT ME NDIKIM TË MADH
"Amerikanët mund të kthejnë këtë sistem për 360 shkallë në gjendje funksionale e të drejtë, kur është fjala te përmirësimi i sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik e politik për Kosovën. Kjo i duhet shumë Kosovës për të ardhmen, pasi deri sot Kosova po njihet vetëm për dështimet e shtetit dhe sidomos dështimin politik nga sistemi mafioz i sundimit të ligjit", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". 

ALIU: PROBLEMI MË I MADH I KOSOVËS ËSHTË NDËRHYRJA E PËRDITSHME E POLITIKËS NË SISTEMIN E DREJTËSISË, PRA NË GJYQËSOR, NË POLICI DHE NË PROKURORI
Ndërsa sipas Bislim Aliut, më në fund ambasadori amerikan në largim ka kritikuar pak më ashpër politikanët, duke u thënë atyre që të qëndrojnë sa më larg proceseve gjyqësore, por kjo sipas Aliut nuk mjafton për të vënë sistem funksional me një hedhje guri."Me këtë, ai hapur u tregoi atyre se ju po e kontrolloni gjyqësorin dhe nuk po e lini që të punojë në mënyrë të pavarur! Dhe, për këtë u dokumentua, por edhe u argumentua edhe një herë se me të vërtetë është problemi më i madh i Kosovës ndërhyrja e përditshme e politikës në sistemin e drejtësisë, pra në gjyqësor, polici dhe në prokurori", vlerësoi ai. Sipas Aliut, dihet fare mirë se prokurorët me ligj duhet të jenë vetë në krye të hetimeve, megjithatë kjo nuk po ndodh në Kosovën tonë. "Edhe Policia, që zakonisht i prish hetimet, nuk i jep përgjegjësi prokurorisë dhe për këtë ekziston një vakum i madh në komunikimin në mes tyre. Andaj, dihet mirëfilli se kanceri më i madh i korrupsionit dhe krimit të organizuar i metastazuar brendapërbrenda vetë sistemit të drejtësisë, të lidhur me mafio-politikën dhe korporatokracinë kriminale", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot". 

Dallaveret me lëndët
Sipas njohësit të fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, sado që vijnë kritika serioze nga ndërkombëtarët, është vështirë të zgjidhen një varg problemesh të përziera në mes veprave të palejueshme që bëjnë gjyqtarët nëse hedhin poshtë aktakuzat për shkak të cilësisë së dobët të hetuesisë apo edhe kallëzimet penale që nuk kanë ndonjë bazë të fuqishme të indicieve. "Ky është një segment profesional, por segmenti tjetër mund të jetë kur lëndët nuk trajtohen fare, mbeten në sirtar apo fshihen dhe parashkruhen, pastaj kemi bashkëngjitjen e lëndëve të personave pa bërë fare vepër penale, e që pala e pafajshme e merr vesh rastësisht se i është bashkëngjitur lënda kur të shkojë të kërkojë certifikatën e nën hetimeve", u shpreh ai. "Ka shumë gjëra që ndodhin në këtë sistem të drejtësisë, sepse tash dihet se si funksionon ky sistem i kapur, po dihet që për shkak të ndikimit asnjëherë nuk ka aktgjykim të formës së prerë për njerëz apo zyrtar të lartë, për të cilët ngrihen aktakuzat dhe zvarriten proceset me vjet të tëra dhe në fund të tillët lirohen. Kjo gjendje flet mjaft për jo normalitetin dhe përgjegjësinë e këtij sistemi", tha Burjani për "Kosova Sot".

Ambasadori i ri ta ndryshojë qasjen
Njohësi i fushës së sigurisë dhe sundimit të ligjit, Naim Miftari, thotë se ambasadori Delawie ka mundur të bëjë shumë më shumë, që të japë kontribut më të theksuar në fushën e forcimit të institucioneve të drejtësisë, por ai nuk e ka bërë këtë sa duhet, sepse më shumë është marrë me disa tema të tjera, më pak të rëndësishme, kurse këto tone kritike i jep kalimthi vetëm pasi e përfundon mandatin. "Ambasadori në largim më mirë ka qenë mos me fol fare as mos me kritiku askënd, pasi vetë ambasadori ka shprehur shpesh interes aty ku nuk i takon një ambasadorit as me ligj, me ndikuar për shembull në demarkacion të gabuar. Sa u përket kritikave, vetëm mediatike për sundim të ligjit dhe për gjyqësorin, pasi Ambasada amerikane i di shumë mirë padrejtësitë dhe dështimet e drejtësisë dhe dështimin e sundimit të ligjit, shpresoj që ambasadori i ardhshëm do të jetë shumë më energjik dhe do të fokusohet aty ku duhet", vlerësoi ai. "Shpresoj se nuk do t'i përkrahë më politikanët e korruptuar, që pikërisht ata politikan me ndikimet e tyre në favor të kriminelëve e kanë dështuar shtetin. Po dua të shpresoj se ambasadori i ri amerikan do të kritikojë dhe do të veprojë më shumë, sidomos për sundim të ligjit dhe të drejtësisë, pasi pa këto dy komponentë kurrë nuk do të ketë zhvillim, drejtësi dhe barazi", ka thënë Miftari. 

PRETENI: GJYQËSORI PO I PRANON PRIVILEGJET FINANCIARE QË PO I OFRON QEVERIA E PASTAJ "NORMALISHT" QË NUK DO TË KUNDËRSHTOJNË QEVERINË, NËSE DIÇKA KËRKOHET NGA ATA
Eksperti i kësaj fushe, Hasan Preteni, thekson se nuk e tha ambasadori këtë për herë të parë se e ka thënë shumë shpesh edhe në organizime të ndryshme, por nuk ka shkuar mesazhi atje ku duhet dhe nuk është materializuar as zotimi si duhet e sa duhet. Sipas Pretenit, tri pushtetet, edhe pse të ndara dhe mirë të përkufizuara në teori, nuk funksionojnë në praktikë. "Secili prej titullarëve punon ashtu siç ja merr mendja. Qeveria nuk i do bisedat në Bruksel, kurse në anën tjetër kërkon që prokurorët t'i raportojnë për punën e tyre, Kuvendi merret me çështje ekzekutive, kurse Gjyqësori si të dëshirojnë këto dy të parat. Nuk ka pavarësi në veprim. Kemi titullar të shantazhuar dhe joprofesional", u shpreh ai."Pavarësia nënkuptohet se si të veprojë secili prej tyre ashtu siç dëshiron. Pavarësia nënkupton pavarësi nga ndikimet nga jashtë dhe kjo duhet të ngulfatet në kokat e titullarëve të institucioneve shtetërore. Nëse nuk luftoni për të qenë të pa varur edhe nuk do të jeni të tillë. Gjyqësori po i pranon privilegjet financiare që po i ofron qeveria e pastaj "normalisht" që nuk do të kundërshtojnë Qeverinë, nëse diçka kërkohet nga ata. Rastet e ndërhyrjes në mes të pushteteve është përditshmëri dhe praktikë jo ligjorë. Kosova ka nevojë për pastrim mendësie", vijoi më tej Preteni. "Disa nga titullarët e institucioneve kanë ushtruar detyra të ndryshme në institucione të ndryshme, kështu që me kalimin nga një institucion në institucionin tjetër nuk po e ndërrojnë edhe mendësinë. Komandanti komandon në ushtri, por me të njëjtën metodë nuk mund t'i udhëheqë edhe institucionet tjera. Nuk janë të gjithë për të gjitha punët, këta bëjnë sikur i dinë të gjitha, e kjo është e pamundur. Imitimi i Qerqilit nuk mund të kalojë!", tha ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)