Veliu i pakënaqur me policinë, lëshon urdhrin e ri për të kapur kriminelët

  • 20 September 2018 - 10:23
Veliu i pakënaqur me policinë, lëshon urdhrin e ri për të kapur kriminelët

Drejtoritë dhe komisariatet në të gjithë vendin kanë marrë urdhër nga Tirana për organizimin e ri, “Zonat Policore”.

Urdhri i drejtorit të përgjithshëm kërkon kapjen e personave të lidhur me krimin dhe rifreskimin e listave të kontingjentit kriminal. Po ashtu do te identifikohen edhe personat që lëvizin me mjete të blinduara.

Një urdhër i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dërguar drejtorive në qarqe, por edhe komisariateve, i kërkon strukturave të krimeve të evidentojë situatën në territorin që mbulojnë, nisur edhe nga organizimi i ri me të ashtuquajturat “zonat policore”.

Sipas burimeve, në urdhrin e kryepolicit Ardi Veliu, ky i fundit shpreh pakënaqësinë me rezultatet e deritanishme dhe i kërkon strukturave të punojnë me prioritet për kapjen e personave në kërkim, atyre për të cilët ka informacione që mbajnë armë, rifreskimin e listave të kontingjentit kriminal, por edhe identifikimin e personave që lëvizin me automjete të blinduara.

Një operacion i ngjashëm për makinat e blinduara u zhvillua dhe ne vjeshte te 2017-es, por shumica dërrmuese e automjeteve që u bllokuan iu kthyen sërish pronarëve.
Kushtet që një individ të marrë autorizim nga policia për përdorimin e një mjeti të blinduar janë shumë strikte, ndaj sipas burimeve, ka dyshime se personat me probleme të përfshirë në aktivitete kriminale, përdorin edhe automjete të shoqërive private të sigurisë fizike për të lëvizur. Së fundmi 5 makina të blinduara u bllokuan në Shkodër pas ndërhyrjes në dy lagjet problematike të qytetit.

Mjetet dyshohet se nuk kishin asnjë dokumentacion ndërkohë që po hetohen edhe procedurat e futjes së tyre në Shqipëri.
 

(Kosova Sot)