Thaçi mund ta pësojë SI SEJDIU E PACOLLI

  • 20 September 2018 - 07:54
Thaçi mund ta pësojë SI SEJDIU E PACOLLI
QARRI: Në misionin armiqësor të Vuçiqit për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, ai po ndihmohet e mbështetet nga vetë kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe agjentët e tij të UDB-së, si miq të pandarë të Vuçiqit dhe Thaçit

"Nëse deri më tani Gjykata Kushtetuese i ka shkarkuar dy presidentë (Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin) për shkelje shumë më të vogla, madje edhe procedurale, pse mos t'i japë sinjalin Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e presidentit më fatkeq për vendin -shkelësin flagrant të Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit, z. Hashim Thaçi. Për fat të keq, opozitës po i mungon forca kreative për të marrë veprime konkrete në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, për t`a ndaluar misionin armiqësor Vuçiqit në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në të cilin mision ai po ndihmohet e mbështetet nga vetë kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, me agjentët e tij të UDB-së, si miq të përbashkët të Vuçiqit dhe Thaçit", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Deputetët e opozitës, analistët politikë dhe qytetarët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për qasjen kundërkushtetuese të agjendës së bisedimeve më Serbinë nga ana e presidentit Thaçi, duke e futur në agjendë çështjen e ndryshimit të kufijve mes dy shteteve, respektivisht shkëmbimin e territoreve, që është një thyerje flagrante e Kushtetutës në fuqi. Ky fakt,sipas analistëve dhe qytetarëve, bazohet në angazhimin e hapur të presidentit Thaçi në konferencat e tij gati të përditshme për shtyp, në të cilat po flet edhe hapur dhe nuk po e fsheh më faktin se në dhjetëra takime me mikun e tij, Vuçiq, e ka shoshitur gjerë e gjatë idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe pse kjo është e ndaluar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës dhe betimin presidencial. Për të parandaluar këtë veprim kundërkushtetues do të duhej angazhuar deputetët e Kuvendit që problemin të ngrinin deri në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetit Naser Rugova , deri më tani nuk ka ndonjë veprim konkret, por nga momenti që mund të nënshkruhet ndonjë marrëveshje e dëmshme në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë do të ndodhë  edhe adresimi i vlerësimit kushtetues. "Çdo lëvizje nga parimet kushtetuese dhe që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të garantuar me kushtetutë konsiderohet shkelje kushtetuese", theksoi Rugova për "Kosova Sot"

BADALLAJ: KJO SHKELJE KUSHTETUESE NGA HASHIM THAÇI PO NDODH PASI ASKUSH NUK PO E ADRESON SHKELJEN NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Kurse analisti Reshat Badallaj thotë se kjo shkelje kushtetuese nga Hashim Thaçi po ndodh pasi që po heshtin të gjitha subjektet politike, askush nuk po e adreson shkeljen në Gjykatën Kushtetuese, sikur është e paraparë me ligj. "Matrapazi i Brojës, ose si po i thonë president i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet përkujtuar edhe pse nuk jam jurist se neni 24 i Kushtetutës së Kosovës (tradhtia ndaj vendit), thotë kështu: Kushdo që në cilësinë e presidentit të Republikës nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt, pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet me burgim së paku me 15 vjet ose me burgim të përjetshëm. Pra, shihet se ky matrapaz e ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e vendit dhe se ky dilenxhi shihet se nuk ka kurrfarë respekti ndaj shtetit, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit", tha Badallaj për "Kosova Sot".

GURAZIU: KY VEPRIM I THAÇIT PO DUKET SI TA KETË PRIVATIZUAR SHTETIN DHE KUSHTETUTËN
Ndërsa analisti Ragip Guraziu thotë se ky veprim i Thaçit po duket si ta ketë privatizuar shtetin dhe Kushtetutën që nga dita e shpalljes së Pavarësisë. "Shkelja skandaloze e Kushtetutës nga Hashim Thaçi po ndodh vazhdimisht, derisa Gjykata Kushtetuese po i mban veshtë në lesh. Ne kemi tani në pozitë një president si ky, Hashim Thaçi, i cili vetë e shpalli pavarësinë e Kosovës nga pozita e kryeministrit, mbi bazën e kësaj kushtetute. U betua si president në këtë Kushtetutë dhe në mbrojtjen e saj dhe tani po del vetë ai që po e shkel me të dy këmbët, me agjentet e tij të UDB-së dhe në bashkëveprim me Aleksandar Vuçiqin, presidentin serb", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Kushtetuta e ndalon bisedimin për territoret
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se është fakt që këto veprime të presidentit përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të shtetit."Asnjë veprim vetëm për vetëm Kosovë-Serbi nën drejtimin e evropianëve nuk duhet ta përkrahë Kosova. Pa SHBAnë e ardhmja është e rrezikshme dhe këtë e ka dokumentuar e kaluara, respektivisht dy takimet e mëdha të shteteve të Evropës, kur shqiptarët i ndanë dhe i copëtuan, siç është Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadoreve e vitit 1913. Tani i përmenda këto për të parë se nuk duhet të ecet në asnjë takim me shtetin serb vetëm me evropianë, sepse me ta rreziqet për Republikë janë evidente. Tani problemi paraqitet se pse z. Thaçi po vazhdon të diskutohet dhe me propozuar korrigjimin e kufirit me shtetin serb? Pse vazhdon me marrëveshje nën diktatin e BE-së tërësisht anti-Kosovë? Pse po pranon të bisedon vetëm për vetëm me shtetin serb? Pra të gjitha këto janë tema të rrezikshme. E dihet fare mirë që në Kushtetutë dhe në Kodin Penal të Kosovës çdo diskutim i karakterit që prek tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit dënohet rëndë. Në nenin 1 të Kushtetutës theksohet karakteri unik, i pandarë dhe sovran i shtetit", shpjegon ai. "Çdo diskutim i z. Thaçi është tani në kundërshtim me këtë nen të Kushtetutës dhe me shumë nene të tjera ku flitet për tërësinë territoriale dhe për sovranitet. Si president i Kosovës, z. Thaçi, i ka kompetencat e caktuara. Ai duhet të punojë dhe të angazhohet në raportet ndërkombëtare çdoherë sipas normave kushtetuese", theksoi prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Sidoqoftë, ai shton se derisa nuk ka guxim asnjë subjekt politik për ta çuar çështjen në Gjykatë Kushtetuese, presidenti po vazhdon të punojë kundër shtetit, por ai dyshon që edhe nëse denoncimi shkon në Kushtetuese, ajo do të vendosë në favorin e tij, pasi që edhe Kushtetuesja është e kapur nga kthetrat kriminale të politikës.

Shkodra: Deputetët duhet të veprojnë për të parandaluar që dikush të bëjë tregti me tokat e atdheut
Analisti Shefik Shkodra thotë se do të duhet vepruar pa vonesë deputetët për të parandaluar që dikush të bëjë tregti me tokat e atdheut."Për këtë populli i ka deputetët dhe Kuvendin e Republikës. Aty duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet lidhur me kufijtë dhe për pazaret e tjera. Këta janë të paguar e të zgjedhurit nga populli për këtë vend që të japin përgjegjësi. Kushtetutën besoj se pjesa më e madhe e tyre e kanë lexuar. Dhe ata duhet ta dinë se kjo është akti më i lartë. Shkruan edhe për mbrojtjen dhe integritetin territorial të vendit. Po, më duket se shkruan edhe për detyrat e një kryetari të republikës. Me këtë akt juridik, unë nuk besoj se është e paraparë se mundet kushdo qoftë të prekë kufijtë shtetërorë. Pra, deputetët, Kuvendi, nëse nuk ka mundësi të bëjë ndalimin e kësaj afere, atëherë le të thërrasin mbledhje për ndërrimin e kushtetutës, në mënyrë që presidentit t'i jepet mundësia juridike të veprojë si të dojë në ndarje (a korrigjime të kufijve). Përndryshe, me këtë kushtetutë duhet ta kenë të qartë se askush nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë. Sa i përket leverdisë së Kosovës, absolutisht asgjë prej gjëje nuk do të ketë. Veç e dëmtuar dhe e rrënuar, më keq sesa që ka qenë. Këtë provë nuk do ta dëshironim, jo për inati, po për dashurinë e këtij vendi", tha Shkodra për "Kosova Sot".

ZEQA: MBETET KREJTËSISHT E PAJUSTIFIKUESHME INDIFERENCA E GJYKATËS KUSHTETUESE KARSHI SHKELJEVE SERIKE TË KUSHTETUTËS NGA ANA E PRESIDENTIT
Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se tanimë nuk ka asnjë lloj dyshimi se e ka shkelur Kushtetutën presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, i cili javëve të fundit po flet edhe hapur dhe nuk po e fsheh më faktin se në dhjetëra takime me mikun e tij, Vuçiq, e ka shoshitur gjerë e gjatë idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe pse kjo është e ndaluar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës dhe betimin presidencial. Tani sipas tij i takon Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese që ta adresojnë këtë konstatim."Mirëpo, mbetet krejtësisht e pajustifikueshme indiferenca e Gjykatës Kushtetuese karshi shkeljeve serike të kushtetutës nga ana e presidentit të vendit. Në asnjë rrethanë Gjykata Kushtetuese si gardian i Kushtetutës nuk guxon të heshtë kur kreu i shtetit shkel betimin e presidentit, duke negociuar territorin e vendit me armiqtë shekullorë! Andaj, e ftoj publikisht Gjykatën Kushtetuese që të deklarohet rreth pozicionit të presidentit Thaçi, i cili po bën hapur pazare me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese nuk ka fare nevojë të pres kërkesa nga opozita e as nga shoqëria civile, pasi presidenti Thaçi po deklarohet hapur për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve me shtetin e Serbisë pa pëlqimin e Kuvendit dhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese", theksoi ai."Nëse deri më tani Gjykata Kushtetuese i ka shkarkuar dy presidentë (Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin) për shkelje shumë më të vogla, madje edhe procedurale, pse mos t'i japë sinjalin Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e presidentit më fatkeq për vendin-shkelësin flagrant të Kushtetutës dhe sovranitetit të vendit, z. Hashim Thaçi. Për fat të keq, opozitës po i mungon forca kreative për marrë veprime konkrete në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, për t`a ndaluar misionin armiqësor Vuçiqit në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në të cilin mision ai po ndihmohet e mbështetet nga vetë kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, me agjentët e tij tw UDB-së, si miq të përbashkët të Vuçiqit dhe Thaçit", tha Zeqa për "Kosova Sot".

QARRI: HASHIM THAÇI VËRTET ËSHTË BËRË SHUMË BAJAT DHE I KANË MBARUAR TË GJITHA "ARGUMENTET" E RREJSHME E MASHTRUESE
Analisti politik Gani Qarri thotë se për vetë faktin se Kosova përkundër Serbisë si shtet presidencial kjo është Republikë parlamentare, Hashim Thaçi qoftë edhe vetëm me përfshirjen e tij në bisedimet me presidentin e Serbisë, pa autorizimin e Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese, ngase ai nuk ka mandat për një veprim të tillë. "Megjithatë, sikur mos të mjaftonte kjo, presidenti aktual i shantazhuar i shtetit, kuislingu Hashim Thaçi, javët e fundit ka filluar të flasë hapur dhe as që po e fsheh më faktin, si deri më tani, në dhjetëra takime me mikun e tij, Vuçiq, e ka shoshitur gjerë e gjatë, pikërisht idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe pse kjo është e ndaluar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës dhe betimin presidencial. Madje Kosova as nuk ka nevojë për ngut që të bëjë një marrëveshje të shpejtë e të dëmshme me Serbinë, ndërsa kjo e fundit është e detyruar ta arrijë një marrëveshje obligative me vendin tonë dhe ta njohë Kosovën shtet të pavarur e sovran, nëse dëshiron të ecë përpara drejt BE-së", u shpreh ai."Ndaj është koha e fundit që t'i këputen "drutë" shkurt, abrogohen të gjitha kompetencat ligjore e kushtetuese dhe të mos merret më seriozisht as dëgjohen më tej "pallavrat" banale të kuislingut Thaçi, i cili vërtet është bërë shumë bajat dhe i kanë mbaruar të gjitha "argumentet" e rrejshme e mashtruese. Për aq më tepër, duhet të reagojë edhe vetë Gjykata Kushtetuese dhe të dalë me komunikatë publike, se a është shkelje e Kushtetutës, marrëzia që e bën për çdo ditë presidenti aktual", vlerësoi Qarri. "Për çudi, është bërë e pakuptueshme se si edhe opozita po heziton të marrë çfarëdo veprimi konkret në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, për ta ndaluar misionin armiqësor të Vuçiqit në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në të cilin mision ai po ndihmohet e mbështetet nga vetë kreu i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe agjentet e tij të UDB-së, si miq të pandarë të Vuçiqit dhe Thaçit, përderisa Vuçiqi vetë viziton shtete të mëdha, ku po merr garanci miliardësh për investime në Serbi", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

KELMENDI: KU TA PADISIN PRESIDENTIN?!
"Këtu dhe në këtë çështje nuk ka subjekte për të paditur dhe as Gjykatë Kushtetuese për të vendosur mbi qëndrimet e z.Thaçi.Asnjë subjekt nuk e paditi z.Thaçi në Gjykatë Kushtetuese. E nëse paditet jam tërësisht i sigurt se përgjigjja do të jetë negative, në llogari të z. Thaçi. Kjo për faktin se kemi sistem gjyqësor tërësisht të varur nga politika dhe asnjëherë të lirë dhe ligjor. Përndryshe po të vendoset drejt dihet çfarë duhet të jetë gjykimi sepse në Kodin Penal, në nenet 123,124 dhe 125, theksohet se veprat e tilla dënohen deri në burg të përjetshëm. Kjo mjafton për të konstatuar antiligjshmërinë e veprimtarisë së z.Thaçi. Por, kush ta padisë z.Thaçi? Prokuroria e Kosovës, e cila është krejtësisht e varur nga ai! Prokuroria Speciale, e cila dirigjohet nga klikat politike në pushtet. Pra, kush ta padisë dhe kush ta dënoi. Jam i bindur se dikush qëndron prapa z.Thaçi dhe kriminelit Vuçiq. Qëndron ndonjë forcë a subjekt vendosës ndërkombëtar që punon për shkatërrimin e Republikës. Dhe, këtë z.Thaçi duhet ta dijë", ka thënë Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët, të trembur për sovranitetin e vendit
Qetarët e anketuar nga gazeta janë të mendimit që presidenti i vendit po bën shkelje serioze, të rëndë Kushtetuese, duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke punuar për copëtimin e territorit të shtetit në favor të shtetit armik Serbisë. Një konstatim të tillë e bënë qytetari Hajdin Musliu."Sipas mendimit tim unë po kam frikë që me këto veprime ne po duam ta kthejmë mbrapa edhe pavarësinë e shtetit që e kemi shpallur dhe e kemi pasur deri më tash. Po rrezikojmë ta humbim këtë pavarësi pa na e marrë dhe pa na sulmuar askush. Ndryshe unë mendoj që nuk duhet të ketë ndërrim dhe shkëmbim të territoreve në asnjë mënyrë dhe për asnjë kusht e çmim, sepse Serbia nuk jep territor, këtë e dimë ne fare mirë, ajo është vetëm një fjalë goje, të cilën unë nuk di pse po e përdor dhe po e manipulon kryetari i shtetit. Për mendimin tim është një ide shumë e keqe dhe është sikur me thënë ne ja nuk po e duam më pavarësinë e këtij shteti dhe po kthehemi edhe njëherë aty ku kemi qenë, nën Serbi. Kjo nuk mund të ketë kuptim tjetër derisa flitet për veprime kundërkushtetuese, të asaj kushtetute që e kemi shpallur shtetin në këtë territor sipas Pakos së Ahtisarit, e që e thotë saktë se kufijtë janë të pacenueshëm dhe të pandryshueshëm. Unë po i frikësohem se krejt këtë po e bën për shkak të Gjykatës Speciale", shprehet ai për "Kosova Sot". Sipas tij, shpëtimi i vetëm i shtetit do të ishte ngritja e qytetarëve në protesta masive paqësore, duke detyruar këta qeveritarë që të dorëhiqen, vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe të zgjidhen krejtësisht njerëz të rinj, të pakorruptuar e të pashantazhuar, që nuk nënshtrohen për asnjë çmim nga presionet për koncesione, të cilat çojnë në rrezikimin e integritetit dhe sovranitetit të shtetit. Qytetari Xhevat Dedinca thotë se deputetët e kanë zgjedhur presidentin në këtë pozitë dhe ata duhet t'i dalin tani zot vetes që kanë marrë nga qytetarët për të ndaluar vazhdimin e veprimeve të dëmshme, në dëm të shtetit, që po dyshohet se është duke i bërë Hashim Thaçi. "Përgjegjësia mendoj që duhet të shkojë te vetë kryetari, e këtë përgjegjësi paraprakisht duhet ta vërtetojë Kuvendi i Kosovës, për ta përcjellë më pastaj, siç e parashohin ligji dhe Kushtetuta, në Gjykatën Kushtetuese. Pra, këtë obligim dhe përgjegjësi veprimi e kanë ata që në këtë pozitë e kanë zgjedhur presidentin Thaçi. Mirëpo, nëse vazhdon akoma kjo heshtje e Kuvendit në ndërmarrjen e masave dhe veprimeve ligjore e kushtetuese kundër këtyre shkeljeve, kjo është tepër skandaloze dhe i bie që edhe këta po e përkrahin presidentin në këtë veprim kundër kushtetues", theksoi Dedinca për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)