Mafio-oligarkët nënshtruan Autoritetin, konkurrenca mori fund

  • 20 September 2018 - 08:00
Mafio-oligarkët nënshtruan Autoritetin, konkurrenca mori fund
Monopolet vazhdojnë lirshëm pa u penguar nga askush 


"Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka treguar veten që nuk kanë forcë e guxim për t'i ndaluar mafio-oligarkët, dhe po u vazhdua me këtë përbërje të tashme të Bordit të këtij Autoriteti Kosovar të Konkurrencës, që është shumë i dobët, Kosova dhe ekonomia e saj e brishtë as mos të shpresojnë fare se me këtë përbërje të kësaj agjencie do të luftohet fenomeni i monopoleve", thotë Dardan Grapci për "Kosova Sot"

Me gjithë premtimet e të gjitha qeverive të pasluftës se do ta garantojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme në bërje të biznesit, në Kosovë vazhdohet me avazin e pasluftës. Edhe pas 10 vjetëve të paspavarësisë së Kosovës po funksionojnë lirshëm monopolet e firmave që janë të lidhura me pushtetin dhe mafio-oligarkët, në produktet kryesore që importohen dhe ku bëhet fjalë për miliarda euro gjatë këtyre viteve. Analistët thonë se edhe kjo është arsyeja kryesore se përse askush as nuk po guxon që të flasë për këtë temë. Mbetet një mister se përse Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk ka vepruar asnjëherë dhe nuk po vepron as tani. Lidhur me çështjen që trajtohet nga ana e gazetës, ka folur nënkryetari i Bordit të Autoriteti Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, i cili për " Kosova Sot' thotë se në këtë drejtim nuk kanë punuar diçka në veçanti, veç rastit të monopolit të pastër në homologim makinash. "Ne si agjenci e pavarur e kemi dorëzuar lëndën tona së bashku me vërejtjet tona që i kemi pasur në Udhëzimin e ri Administrativ, që po synon ta miratojë Ministria e Infrastrukturës", vlerësoi ai.

Klientelizmi, shkatërrues për ekonominë
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (LVV),për gazetën " Kosova Sot" thotë se kemi pasur raste të shumta të këtyre monopoleve dhe kemi parë një rrjet të gjerë të këtyre përfitimeve dhe kjo është njëra nga arsyet se përse po heshtë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. "Veç saj, kemi një lidhje të madhe të klientelizmit dhe lidhjes së bizneseve me pushtetarët më të lartë të shtetit, ngase kemi të bëjmë me një korrupsion endemik dhe faktikisht diskursi është i tillë. Andaj, si rrjedhojë e kemi këtë situatë të tillë në ekonominë tonë të brishtë, që vazhdon me monopole të shumta", theksoi ai. "Kosova ka nevojë për ndryshime të mëdha jo vetëm të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, por edhe nëpër institucionet të tjera të kësaj strukture dhe largimin e këtyre matrapazëve, bandave dhe korrupsionistëve që kanë zënë rrënjë kaq të thellë në institucionet tona dhe si të tillë janë antishtetërorë dhe antiligjorë", vijoi më tej Lajçi. Sipas tij, Kosova ka nevojë për ndërrim të prokurorisë, të gjykatave, një ristrukturim të shumë institucioneve tona, ku kemi një rrjetë të gjerë keqpërdoruesish që po e dëmtojnë tej mase Kosovën në një fushë të gjerë, duke filluar nga institucionet qendrore edhe deri tek niveli më i ulët.

KONSUMATORËT E PËSOJNË
"Pasi e shkatërruan PTK-në, 'Trepçën', konkurrencën e lirë, jemi në pritje të shkatërrimit të ndonjë sektori tjetër, mjerë populli në dorë të kujt e ka lënë ekonominë. Ngase, sipas një analize të Institutit GAP, nga monopoli në homologim, në periudhën 2009-2015, konsumatorët kosovarë kanë humbur së paku 2.5 milionë euro. Andaj, duhet pyetur se ku është prokuroria, a ka ndonjë prokuror që i dhemb shpirti për këtë vend, t'i ndalë ata që luftuan dhe na shiten si luftëtarë dhe atdhetarë, e në anën tjetër e shkatërruan vendin, ku është qytetaria aktive, ku jeni ju burra e gra që nuk e doni këtë vatan, pasuria e shtetit po gllabërohet, dikush duhet t'u dalë në ballë këtyre politikanëve matrapazë milionerë", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot".

INVESTITORËT PO IKIN
"Me këto veprime të skenës politike çdo ditë po dëmtohet ekonomia e lirë dhe njëherësh imazhi i Kosovës në nivel ndërkombëtar, duke bërë që të kemi çdo vit ikje të investitorëve të huaj në mungese se sigurisë ligjore dhe infrastrukturës si në lëvizje dhe me reduktime të energjisë elektrike që për një investitor të huaj kjo është e papranueshme në shekullin që po jetojmë", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot". 

Politika e mbrapshtë dirigjon biznesin
Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Kosova është një shtet edhe më "sui generis" sesa vetë pavarësia e saj. "Një shtet ku ekonomia udhëhiqet nga politika ditore, por edhe kjo politikë udhëhiqet nga politikanë me interesa ditore, me parti politike pa orientim të qartë politik dhe ekonomik. Me parti dhe liderë që plot gojën e kanë orientim nga tregtia e lirë dhe kapitaliste, ndërsa në praktikë veprojnë me logjikën orientimit socialist. E them këtë, sepse qeverisjet e deritanishme janë orientuar në buxhete të konsumit ku hyjnë pagat e nëpunësve publikë shumë më të larta sesa në sektorin privat, ky lloj absurdi ndodhë vetëm në Kosovë. Argument tjetër se sa qeveritë tona punojnë sipas ligjeve të tregtisë së lirë tregon më së miri se si i orientojnë politikat e tyre zhvillimore, ku shumica të hyrave në arkën e shtetit janë të orientuara nga dogana dhe më e rënda, që më lehtë gjejnë konsumatorin produktet e importuara sesa prodhimi vendor", u shpreh ai. "Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për vazhdimin e monopolit një kompanie të vetme tregon për rrugën e keqe që ka e marrë ekonomia kosovare, këto ditë ia kanë dhënë edhe të drejtën e kryerjes së A-testeve, si dhe me Udhëzimin e ri Administrativ i kanë hapur rrugë vazhdimit të monopolit në homologim edhe pas 2019, çka shkel rënd konkurrencën e lirë, dhe ekonominë e tregut, dhe kjo na tregon se sa e vështirë është të bësh biznes në Kosove, nuk mjaftojnë krekosjet e politikanëve se kemi ligjet më të mira në botë, përderisa ato ligje janë vetëm në letër", potencoi Beqiri

SHTETI PO DËSHTON Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën " Kosova Sot', thotë se është për keqardhje që veç disa hapave të vogël edhe përbërja e tashme e Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, sikurse edhe Bordi paraprak, kanë bërë shumë pak në luftimin e monopoleve në shumë fusha të ekonomisë së brishtë të Kosovës, si në homologim makinash në fushën e sigurimeve shëndetësore, në sektorin bankarë etj. "Më mban shpresa se Qeveria do ta mbajë premtimin e saj se nuk do të tolerojnë monopole në ekonominë e vendit dhe do t'u ofrojnë të gjitha bizneseve një barabarësi në treg", u shpreh Maloku.

KRASNIQI: PRESIM PËRGJIGJET NGA KUVENDI "Veç punëve të tjera rutinore me të cilat merremi përherë në agjencinë tonë, kjo është e vetmja punë e madhe që e kemi bërë sivjet. Ndërkohë, presim se do të merremi me mbikëqyrjen e situatës në tregun e bizneseve dhe deri atëherë edhe jemi në pritje të përgjigjeve zyrtare nga ana e Kuvendit të Kosovës", tha Ahmet Krasniqi për "Kosova Sot".

Serbia dominon tregun kosovar
Analisti Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ekzistimi i monopoleve në një ekonomi të tregut, siç është Kosova, do të kuptohej vetëm te shërbimet e energjisë elektrike, furnizimi me ujë edhe ngrohja, sepse nuk është e lehtë që të veprojnë në konkurrencë për shkak të kostove të shpërndarjes së rrjetit. "Me logjikën e kësaj elite politike dhe të bizneseve në Kosovë nuk vepron ligji i ekonomisë së lirë, por ligjin e bëjnë mafio-oligarkia në vend që po e shkatërrojnë çdo ditë ekonominë. Kjo njëherësh tregon që elita politike në vend janë të brumosura me ide majtiste ku konkurrencën nuk e shohin si vlerë dhe nxitje të zhvillimit biznesor, por si armiq që përmes mekanizmave çdo ditë e atakojnë tregtinë e lirë, që si rezultat po pëson biznesi dhe qytetari", theksoi ai. "Si rezultat i kësaj mafiooligarkie në vend, sot tregu i Kosovës është i mbipopulluar nga importi duke bërë që paraja të dalë jashtë Kosovës. Dhe më e rënda, që importi më i madh është nga fqinji verior, Serbia, që çdo ditë e atakon shtetin e Kosovës dhe përfaqësues të këtyre brendeve nga shteti serb janë njerëzit e politikës dhe të afërt me politikën", vazhdoi më tutje Kadriaj. 

Mungon denoncimi ndaj kriminelëve
Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot', thotë se Kushtetuta dhe ligji janë primare dhe nëse nuk do të kemi zbatim të këtyre të dyjave, atëherë në njëfarë mënyre po u hapet dera mafio-oligarkëve që të bëjnë çka të duan me shtetin dhe që të importojnë dhe të importojnë çfarë duan. "Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka treguar veten që nuk kanë forcë e guxim për t'i ndaluar mafiooligarkët, dhe po u vazhdua me këtë përbërje të tashme të Bordit të këtij Autoriteti Kosovar të Konkurrencës që është shumë i dobët. Kosova dhe ekonomia e saj e brishtë as mos të shpresojnë fare se me këtë përbërje të kësaj agjencie do të luftohet fenomeni i monopoleve", u shpreh ai. "Arsyeja se përse askush nuk po guxon që të flasë lirshëm dhe haptas kundër këtyre mafio-oligarkëve është frika nga vrasja, frika nga kërcënimet tek ai / ajo dhe familja e tij / asaj, si dhe nuk ka mbrojtje ligjore dhe siguri. Ngase, jam i bindur që po të kishte pak siguri dhe mbrojtje ligjore një person për të folur haptas kundër këtyre mafio-oligarkëve me emra dhe mbiemra, sot këta mafio-oligarkë do të kishin qenë në burg", potencoi Grapci. 

(Kosova Sot)